Ajo që Botapress ka shkruar dhe ka kërkuar disa herë përmes shkrimeve të veta, sot më në fund është bërë zyrtare: Xhafer Gashi, kryetari aktual i Obiliqit prej sot është edhe zyrtarisht pjesë e LDK-së. AI bashkë me mbi një mijë anëtarë të tjerë ka aderuar në LDK dhe ky aderim zyrtar është bërë në prani të kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhikut dhe anëtarëve të Kryesisë Qendrore, shkruan Botapress.
Xhafer Gashi pritet që edhe zyrtarisht të marrë drejtimin e Degës së LDK-së në Obiliq dhe kështu Obiliqi do të rikthehet si bastion i LDK-së ndërkaq kësaj partie do t;i shtohet edhe një komunë e re duke e bërë LDK-në të jetë partia me më së shumti komuna të fituara në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në vjeshtën e vitit të kaluar.
Anëtarësimin e Xhafer Gashit në LDK e ka uruar vetë Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së përmes një postimi në Facebook:
Sot, së bashku me anëtarë të Kryesisë, deputetë e struktura të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i uruam mirëseardhje në shtëpinë tonë politike Xhafer Gashit, kryetarit të Obiliqit. Ai, së bashku me 1017 anëtarë të tjerë, u bënë anëtarët më të rinj të familjes sonë politike.
LDK në rradhët e veta shton një aset të jashtëzakonshëm politik; një patriot të ditëve të rënda e një kryetar me mbështetje të vulosur në Obiliq. Qytetarët e Obiliqit ndërsa, do të kenë gjithë mbështetjen e LDK-së në qeverisjen lokale; e zërin e artikuluar politik në rrugëtimet tjera përpara.
LDK është në proces të reformimit, strukturimit e organizimit më të mirë në të gjitha nivelet e saj. Reforma është zëri i anëtarësisë sonë. Obiliqi, së bashku me 10 degë të tjera, me propozim të Kryesisë e me vendim final të Këshillit të Përgjithshëm është dërguar në zgjedhje të parakohshme. Ky proces po bartet nga Komisionet Koordinuese, me regjistrime të anëtarësisë, hapje, bashkim, e demokratizim të plotë të partisë. Në këtë proces jetik për organizimin tonë në themel, do t’i hapim dyert për të rinjtë e të rejat, burrat e gratë e vendit, që ndajnë bindje të njëjta politike e programore me LDK-në. Janë të mirëseardhur të gjithë!
Ardhja e Xhafer Gashit me qindra anëtarë të rinj, është tregues i besimit të shtuar në LDK tek të gjithë. Këtë besim do ta kultivojmë në vazhdimësi.
Mirë se erdhe Xhafë!
Na priftë e mbara.