Disa zyrtarë të niveleve të ndryshme në LDK, në Qendër e në nivele komunale nuk po e dijnë ose nuk po duan të dijnë se çfarë ka ndodhë në LDK më 14 mars? Ata ose ato që fatmirësisht janë gjithnjë e më pak e fatkeqësisht ende janë në disa pozita kyqe, sidomos në nivelin lokal, po vazhdojnë avazin e tyre të vjetër sikur asgjë nuk ka ndodhë as më 14 shkurt e as më 14 mars.
Për dijeninë e tyre po ua rikujtojmë se më 14 shkurt LDK ka shënuar humbjen më të madhe të saj prej themelimit e deri më tash.
Poashtu për dijeninë e tyre po ua rikujtojmë se më 14 mars ka ndodhë ndryshimi i madh në kreyn e LDK-së: Ka fituar kandidati më përvojën më të vogël në LDK përballë një kandidati me përvojën më të gjatë në LDK! Pra ka fituar fryma e re përballë “gardës së vjetër” në LDK.
Por, përderisa në disa degë, si në Dragash, Rahovec e Podujevë po reflektohet efekti i 14 marsit, në disa tjera, po shtihen sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Një nga këto është komuna e Obiliqit!
Kjo Degë që para 8 vitesh ishte bastion i LDK-së, sot ka degraduar tej mase. është Dega më e përçarë në LDK, me plot fraksione e grupacione dhe me një kryetar që ka humbur dy herë garën për kryetar të Komunës përballë Xhafer Gashit dhe që ka shënuar rënien më të madhe në elektorat edhe në zgjedhjet nacionale.
Por kryetari aktual Mehmet Krasniqi me “sejmenët” e tij po shtihet sikur nuk ka ndodhur asgjë më 14 mars. Ai edhe më tutje po mban postin e kryetarit të Degës, paçka se i ka humbur të gjitha zgjedhjet (edhe si kandidat për kryetar komune edhe si kandidat për deputet) dhe po synon prapë garën për të parin e kësaj komune.
Por LDK me Mehmet Krasniqin e ka humbjen e sigurt në Obiliq.
Por LDK ka edhe një “kartë” të fortë për ta rikthyer Obiliqin nën pushtetin e saj.
Ai është Xhafer Gashi.
Gashi i cili për dy mandate ka garuar nën siglën e AAK-së, në fakt ka fituar falë fraksioneve e aktivistëve të LDK-së të cilët “për inat të Mehmet Krasniqit” e kanë votuar Xhafer Gashin. Madje në mandatin e parë po edhe në të dytin, shumica e drejtorëve komunale janë me prejardhje nga LDK-ja.
Në një situatë të tillë kur LDK nuk ka kandiat të fortë për të rikthyer këtë komunë, e ka Xhafer Gashin.
Xhafa, siç e njohin në Obiliq ka formuar një Iniciativë Qytetare por që pa votat e LDK-së nuk ka shansë të ruajë pushtetin. Ndërkaq LDK ka Anton Qunin, një mik të ngushtë të luftës e të paqes të Xhafer Gashti, të cilit mund t’ia japë votën atij në garën për të parin e komunës dhe si “kundërvlerë” e marrëveshjes është që Iniciativa e Xhafës t’i takojë të kaluarës ndërkaq Dega e LDK-së në Obiliq të drejtohet nga Xhafer Gashi.
Çdo “matematikë” tjetër zgjedhore për LDK-në do të jetë humbje kohe, tretje e anëtarësisë dhe humbje e shpresës për të rikthyer këtë komunë.
Fjalën e kanë Anton Quni e Xhafer Gashi…natyrisht në marrëveshje me Lumir Abdixhiukun!