Procesi i migracionit është një proces moçshëm dhe i pandalshëm por çdo epokë e migracionit i ka specifikat e veta. Shikuar gjatë historisë milijona njerëz kanë migruar nga një vend në një vend tjetër, dhe bazuar në burimet shkencore supozohet se procesi migrues shënohet para 2 miljonë viteve nga lëvizjet e homo erectus-ve nga kontinenti i Afrikës, nga vendi Rift Valley në drejtim të Euro-Azisë. Që nga ajo kohë e deri në ditë tona procesi i migracionit nuk ka ndaluar dhe është aktual edhe në ditët e sotme.
Në shtjellim të fenomentit migrim është sqaruar se ky proces është i ndikuar nga shumë faktorë sic janë: shkaqet e rrethanat ndryshme ekonomike, sociale apo politike që nxisin apo bëjnë shtyjen e tij. Faktorët e procesit migrues janë specifike për secilin vend apo komunitet dhe në varërsi të tyre procesohet i gjithë procesi. Mirëpo, duke u fokusar në procesin e mërgatës shqiptare gjatë viteve të 1980-ta shihet qartë që gjatë kësaj periudhe kryesisht faktorë për migrim ishin persekutimi, përndekja, shantazhimi i shqiptarëve nga qeverisja e regjimit të ish federatës jugosllave. Në veçanti pas demonstratave të vitit 1981-të dhe ashpërsimit të raporteve të qeverisjes së regjimit komunist dhe popullit shqiptar u përkeqësua edhe më tej klima shoqërore dhe për një pjesë ishte e pamundur që të jetojnë lirishëm brenda Kosovës.
Përdorimi i masave represive kundër shqiptarëve i detyruan ata që të ikin për t’iu shmang burgosjeve, maltretimeve, përndjekjeve, represalje, shantazhit e mjeteve tjera të dhunshme. Kryesisht, nga dhuna dhe keqtrajtimet e ushtruara nga regjimi i atëhershëm u detyruan shqiptarët t’a braktisin vendin e tyre dhe të migrojnë jashtë territorit të Kosovës. Në këtë periudhë këta migrantë shqiptarë nuk ishin migrant që thjesht kërkonin punë për të siguruar ushqim por kërkonin strehim politik për të shpëtuar nga pasojat e masave kundrejt tyre që ishin në veprim në ish federatën jugosllave.
Në këto masa ishin të inkluduara faza të ndryshme të ushtrimit të metodave gjenocidale, që ishin nën urdhërat e regjimit të ish federatës jugosllave, që udhëhiqej nga forca që mbanin qëndrim kundër të drejtave dhe lirive të shqiptarëve. Këto intenca u shpërfaqen në mënyrë të vrazhdë pas demonstratave të vitit 1981-të e në vecanti pas suprimimit të Autonomisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Në këto rrethana një vecanti që e karakterizoj mërgatën shqiptare ishte se shqiptarët ishin orientuar të kërkonin strehim në shtetet Perëndimore, në ato vende ku dominonte sistemi demokratik. Përcaktim i mërgatës shqiptare për tu vendosur në shtetet demokratike ishte i qartë meqë mërgimtarët shqiptarë ishin të bindur se shtetet me vlerave demokratike do të mund të jenë përkrahës të kërkesave të shqiptarëve për liri e drejtësi. Përcaktimi i mërgatës drejt migrimit në këto vende ishte një vendim i mençur meqë duke synuar mësimin e përvojave nga vlerat demokratike fituan monedhën më të çmuar, përvetësimin e parimeve demokratike të cilat shërbyen gjatë gjithë kohës, si gjatë sensibilizimit të gjendjes në Kosovë por edhe gjatë zhvillimit të luftës në Kosovë.
Me ardhjen e mërgimtarëve që kërkonin strehim politikë në këto vende demokratike filloj një angazhim më intenzivë i gjithë mërgatës në Perëndim. Faza fillestare e angazhimit të tyre ishte e fokusuar në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe ishin të përkushtuar në rritjen e masivizimit të përkrahjes së mërgatës shqiptare kudo nëpër botë. Natyrisht, që në këtë angazhimi ishte etabluar një strukturë e mirëfillt organizative e cila ishte prijëse për të dhënë drejtim të qartë e të caktuar të gjitha aksioneve për të drejta e popullit shqiptar në ish federatën jugosllave. Grupet e organizatave udhëheqëse kishin filluar që të vepronin haptazi kundër qendrave diplomatike të ish federatës jugosllave dhe ju bënin paralajmërim se shqiptarët kudo që janë do të vazhdojnë të punojnë për të drejtat legjitime të popullit shqiptar.
Mërgata jonë që nga periudha e viteve 1980-ta e deri në fund të viteve të 1990-ta nuk ishte vetëm një lëvizje e njerëzve për të gjetur një vend pune apo vendbanim ose që rehatoheshin, që vetëm të siguroni standarde europiane për veten dhe familjen e tyre. Mërgimatarët tanë ishin azilantë politikë sepse rrezikohej jeta e tyre jo si individ por kanosja ndaj tyre kishte motive të përkatësisë së tyre etnike. Kosova ishte një vend i përndjekjeve të njerëzve mbi baza të përkatësisë etnike shqiptare që pushteti i atëhershëm i konsideronte armiq të sistemit, kundërrevolucionar, seperatisit e irredentist me qëllimi të stigmatizimit të karakterit të kërkesave të drejta të shqiptarëve.
Shtrirja e organizimeve të mërgimtarëve
Në periudhën e viteve 1980-90-ta mërgatën shqiptare e karakterizon organizim dhe mobilizim i tyre për bërë të njohura kërkesat e shqiptarëve para institucioneve të shteteve demokratike. Me përkushtim të jashtëzakonshme dhe me tërë qenien e tyre u angazhuan mërgimtarët për të kontribuar për çështjen kombëtre dhe lirshëm mund të themi se në kokat e mërgimtarëve tanë ishte instaluar slogani ja vdekje ja lire dhe me këto moto vepronin mërgimtarët. Ky përkushtim përforcohej çdo ditë e më shumë meqë kërkesat e mërgimtarëve shqiptar ishin në përputhje me vlerat demokratike të vendeve që i kishin pranuar dhe sigurar strehim politik këtyre mërgimtarëve.
Në shtetet si Gjermania, Zvicra, Autria, Suedia, Danimarka, Norvegjia, SHBA e shumë vendet tjera ekzistonin grupime që kishin struktura organizative për të zhvilluar veprimtarinë për çlirimin e shqiptarëve. Një ndër organizatat që ka lën gjurmë të thella dhe që është paraprijëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është oraganizata Lëvizja Popullore e Republikës së Kosovës (LPRK) e cila vepronte aktivisht për kauzën e popullit shqiptar. LPRK e më vonë LPK përvec agjitimi, mobilizimit, mbajtjes së demonstratave, parashtrimin e peticioneve në ambasada apo edhe në të gjitha institucionet e shteteve ku jetonin anëtarët e LPK-së. Demonstratat masive të mërgimtarëve tundnin sheshet e shteteve Perëndimore. Mirëpo për të mobilizuar mërgatën nevojitej kuadra të vecanta dhe me këtë qëllim udhëheqja e LPK-së themeloj edhe sektorë të veçantë që të rritnin kontributin për liri. Në të gjitha instancat organizative kontribonte edhe femra shqiptare duke u mishëruar si pjesë përbërëse e veprimtarisë së LPK-së. Me këtë synim në kuadër të LPK-së ndër këta sektor ishte themeluar edhe Grupi i Grave që ishte një fuqi vepruese dhe dha një kontribut të çmuar duke u angazhuar drejtpërdrejt në organizime të njëpasnjëshme që bëheshin nëpër Evropë.
Në strategjinë politike të LPK-së synohej kontakt i drejpërdrejt dhe kultivim i vlerave kulturore për ruajtjen e qenësisë shqiptare. Me këtë planifikim strategjik u themelua edhe grupi kulturor ”Luftetarët e Lirisë” dhe në kuadër të këtij grupit ishin anëtarët e LPK-së që përgatitëshin këngë, recitime, valle në koncenertet të shpeshta. E gjithë veprimtaria ishte e fokusuar që të mobilizonin mërgimtarët përmes shfaqje kulturore e me takime të ndryshme me të vetmin qëllim: çlirimi i shqiptarëve nga pushtesit serb. Në bazë të gjitha analizave të mëvonshme mund të konstatojmë se LPK-ja kishte strategji të mirëfillt politike dhe kryesuesit e kësaj organizate me të drejt konsiderohen diplomatë e ambasadorët e parë të shtetit në ardhje, pra të Republikës së Kosovës.[1]
Strategjia e organizatës së LPK-së ishte konform zhvillimeve në Kosovë. Kështu ndodhi edhe gjatë viteve të 1990-ta pas Deklaratës së pavarësisë dhe Kushtetutës së Kaçaknikut, të 7 shtator të vitit 1990-të. LPK-ja kishte vullnet dhe shprehi gatishmëri që t’i bashkërendoj veprimet e mërgimtarëve me rrethant e reja që u krijuan në Kosovë duke rekomanduar që anëtarët e LPK-së që vepronin brenda Kosovës të bahkëveprojnë me partitë shqiptare të cilat ishin transferuar nga sistemi komunist në sistem demokratik., Kështu pas rënies së sistemit komunist edhe ata shqiptarë që ishin anëtarët të deri atëhershëm të Partisë së Lidhjes së Komunistëve themeluan partinë e re të quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo parti ishte përkrahur nga LPK-ja e cila kërkonte të bashkëpunonte me këtë parti që të bashkërendojnë veprimet e tyre për të kontribuar e përmirësuar gjendjen në Kosovë.
Zgjerimi i organizimit të LDK-së e rrit optimizmin jo vetëm në Kosovë por edhe tek mërgimtarët se çështja e Kosovës mund të zgjidhej shpejt dhe në mënyrë paqësore. Mirëpo niveli i bashkëpunimit mes organizatës legale[2], siç ishte LDK-ja dhe organizatës ilegale siç ishte LPK-ja ishte i vagët dhe me një varg pikëpamjet e qëndrime kundërthënëse rreth mënyrës se si të vazhdohet për të kontribuar në çështjen e Kosovës. Divergjencat e mëdha rreth strategjisë për veprim ndikuan në ftohjen dhe pothuajse në shkëputjen totale të bashkëpunimit në mes LDK-së në njërën anë dhe LPK-së në anën tjetër. LDK-ja me platformën e saj për rezistencë pasive ishte kundërshtuar nga LPK-ja që kërkonte rezistencë aktive në mbrojtjen e popullit shqiptar nga politika shfarosëse e Serbisë e cila intesifikonte dhunën kundër shqiptarëve. Mërgata shqiptare në shtetet perëndimore u ndikua nga formimi i LDK-së dhe si rezultat i këtij ndikimi filloj një përçarje e theksuar në mesin e mërgimtarëve. Gjendja në Kosovë nuk përmirsohej ndonëse ishte krijuar një sistem paralel i shqiptarëve por qeverisja e tij ishte pa asnjë kompetencë ekzekutive, bile as edhe një dokument, bie fjala një çertifikatë të lindjes, nuk kish të drejtë ta procedonte në shërbim të shqiptarëve.
Kurimi i shpresave të thyera
Gjendja në Kosovë rëndohej dhe mërgimtarët e përcjellnin këtë gjendje me shqetësim të madh. Në veçanti pas helmimeve të fëmijëve shqiptarë dhe pas dëbimit të 70 % të shqiptarëve nga puna u krijua një gjendje tej mase e rëndua dhe mërgimtarët filluan ta kuptonin që Kosovës i nevojitej një rezistencë aktive. Mërgimtarët të zhgënyer nga rezistenca pasive kërkonin që të filloj rezistenca aktive në Kosovë. Këtë kërkesë të domosdoshme për çlirim,pas luftës së Kroacisë e Bosnjë e Hercegovinës, e kishte kuptuar mirë LPK-ja e cila e morri përsipër që t’a drejtonte këtë aspiratë të popullit shqiptar.
Rezistenca aktive ishte një kurim i shpresave të thyera të shqiptarëve sidomos pas kohës së Marrëveshjes së Deytonit. Në këtë drejtim filluan organizimet për t’u përgatitur për mbrojtje të armatosur të popullatës në Kosovë. Mbrojta e armatosur bëhej përmes përgatititjeve të luftetarëve në grupe të vogla, pra guerila e parë kosovare. Kjo guerilë kishte strukturën e vet udhëheqëse nga liderët dhe përfaqësuesit e LPK-së. Guerila kosovare u emërtua Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK ) e cila në vitin 1997-të doli publikisht duke paraqitur haptazi ekzistencës e saj. Më pas ishte pikërisht UÇK -ja e cila në vitet 1998-99-të zhvilloj rezistencë aktive duke luftuar në mbrojtje të popullatës së pa armatosur. Edhe në këtë angazhim u dalluan mërgimtarët me përkushtimin e tyre. Në ombrellën e UÇK-së ishin inkuadruar një numër jashtëzakonisht i madh i mërgimtarëve që kontribonin me të gjitha forcat për të ndihmuar luftën e popullit tonë. Kontributi i tyre i jashtëzakonshëm ishte një gurë themel në ndërtimin e shtetit të Kosovës, gjejgësisht Republikës së Kosovës. Në përgjithësi, pa u lëshuar në detaje më të hollësishme, kjo ishte e kaluara e afërt mërgimtarëve shqiptarë të cilët fillimisht ishin drejtuar kah vlerat demokratike dhe vepronin konfrom këtyer vlerave e më vonë në emër të këtyre vlerave u angazhuan t’a mbronin vendin e të parëve të tyre.
Edhe pas çlirimit mërgata jonë vazhdoj kontributin e vet dhe vazhdon të jetë aktive në forma të ndryshme. Parasegjithash është e një rëndësie të veçantë të nënvizohet se mërgata shqiptare kontriboj në demokratizimin e vendit pasiqë ata i kishin absorbuar vlerat e demoracisë dhe këto vlera në mënyrë direkte apo indirekte i bartën edhe tek familjet e tyre në Kosovë. Në këtë aspekt ndikimi i tyre ishte i madh meqë shqiptarët kishin mësuar për vlerat e demokracisë dhe prandaj sistemi i demokracisë në Kosovë u përqafua shumë shpejt dhe më lehtë në krahasim me vendet të tjera ndonëse edhe atje bota Perëndimor ka investuar shumë që ta shtrinë demokracinë por megjihtkëetë ka dështuar. Pra, përpos këtij aspekti facilitues të mërgimtarëve për demokratizimin e Kosovës, ndikimi i mërgatës ka qenë dhe është i një rëndësie të madhe edhe në aspektin ekonomik si para kohës së para luftës edhe tani. Vecanërisht kontributi i tyre është i zgjeruar përmes remitencave të tyre tejet të nevojshme , prej të cilave çdo familje shqiptare në vend ka pasur në një formë a formë tjetër dobi apo përkrahje socio-ekonomike. Përfundimisht, rezulton se mërgata është një aset kombëtar dhe vlerat e tyre janë vlera të pakontestueshme në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës. Në cdo kohë shpresat e thyera të shqiptarëve janë kuruar nga mërgata e sic duket ky kurim do të vazhdoj edhe në të ardhme dhe që do të kontribon për ta fuqizuar shtetin e Kosovës.
[1] Salihu, S. 2016, ”Migracioni dhe Shteti-komb në Epokën Globale” f. 139-143
[2]LDK-ja ishte regjistruar në ish-federatën jugosllave kurse LPK-ja nuk ikshte të drejtë të regjistrohet pasi anëtarët e tyre konsideroheshin të rrezikshëm për ish federatën jugosllave.