Fetah Bahtiri
Këto ditë doli nga shtypi një libër interesant i autores Hyrë Tejeci nga Prishtina me titullin ”Dielli i jetës (Rrëfim i një nane hasjane)”.
Libri botohet në 70-vjetorin e lindjes së nënës së autores – Rukës, në nderim të saj dhe për ta shprehur dashurinë e një bije për nënën e vet. Por, jo vetëm kaq…
Libri ka 286 faqe dhe është me kapakë e lidhje të fortë.
Libri është i ndarë në 9 kapituj të cilët autorja i quan Pjesë, kurse në fund ka edhe një shtojcë me emërtimin ”Jeta përmes fotografisë”, ku jeta e Nanës Rukë dhe e familjes së saj është ilustruar me 148 fotografi, kryesisht me ngjyra dhe në letër cilësore.
Botimin e këtij libri e kanë mbështetur fëmijët e Nanës Rukë.
Këtë libër autorja ia kushton nënës së vet, Rukës, në 70-vjetorin e lindjes nëpërmjet rrëfimeve të saj.
Rrëfimet e Nanës Rukë në vetën e parë fillojnë me rrëfimet për nipin e saj i cili mban emrin Diell, e që atë e ndriçon gjithmonë dhe me te e kalon ditën. Pasojnë rrëfimet për Hasin, veshjen karakteristike e ëra punëdore, furrat – pronë familjare, fëmijërinë e saj në skamje e varfëri, martesën, jetën ”në fshatin e zorshëm”, lindjen e fëmijëve, punët e rënda në fusha e ara, gatimet, pritjen e mysafirëve të shpeshtë e të shumtë, lindjen e fëmijëve, përballjen me “jetën e rannd” që nga vegjëlia, raportet mes saj dhe bashkëshortit etj.
Pasojnë rrëfimet edhe për ndryshimin e jetës në aspektin pozitiv që fillon kur familja shpërngulet në qytetin e Prizrenit, rrëfimet për raportet e Nanës Rukë me vëllain e saj tëvetëm që e kishte, për raportet me kunetërit, punën në furra buke, martesën e gjashtë fëmijëve të saj, krijimin e amvisnive të reja. Mirëpo, Nana Rukë i ndryshon botëkuptimet dhe u përshtatet rrethanave të kohës në të cilën vazhdon të jetojë. Edhe ajo shpërngulet në Prishtinë, kur ndihmon familjen në biznesin që ata e zhvillonin që nga viti 1994. Vazhdon me rrëfimet për luftën e fundit me okupatorin serb, për jetën si refugjate në Maqedoni të cilën e ka përjetuar shumë të rëndë, kthimin në Prishtinë pas çlirimit të Kosovës e rifillimin e punën dhe jetës në Prishtinë e në Prizren.
Me fjalë prekëse Nana Rukë rrëfen për shkuarjen në amshim të djalit të saj, Nakiut, në një fatkeqësi të komunikacionit më 15 qershor 2007, për vazhdimin e jetës të cilës i japin kuptim dy djemtë e tjerë – Enveri (Veli) e Skenderi (Neli) dhe fëmijët e të ndjerit Nakiut. Për ta zbutur disi këtë pikëllim të madh, në vitin 2012 martohet edhe vajza e dytë e Nanës Rukë,
Lula – si e quan ajo autoren e këtij libri, e cila më 11.10.2013 lind vajzën me emrin Nara dhe për këtë ngjarje rrëfen në mënyrë të veçantë, sikur edhe për shuarjen e jetës së bashkëshortit të saj, përmallimet që e kaplojnë për vajzën e vogël – Limen e cila jeton në Gjermani etj.
Si grua që e kupton çdo rregull të jetës, Nana Rukë rrëfen edhe për ndarjen e bashkësisë familjare të djemve të saj, por edhe për sukseset me biznesin e tyre, për çka ajo është e lumtur dhe krenare.
Rrëfimet e nënës hasjane për rrugëtimin e saj jetësor në këtë libër kanë filluar me nipin – Diellin dhe me te edhe përfundojnë. Nana Rukë e kalon ditën me te dhe ai është dritë e diell
njëmendtë për te.
Autorja ka në këtë libër i ka shënuar edhe “70 arsye për të kujtuar ditëlindjen e nënës”. Duke i lexuar të gjitha këto arsye, lexuesin e kaplojnë emocinet për begatinë shpirtërore, virtytet e përsosura morale dhe karakteristikat që i posedon Nana Rukë, për vlerën e nënës dhe tërësinë e figurës së saj si dhe për mënyrën e shprehjes së kësaj materjeje nga autorja Hyrë Tejeci.
Unë mund të nënvizoj se si lexues jam i befasuar me faktin se Nana Rukë i ka mbajtur në mend me saktësi shumë data, shumë ngjarje, shumë vende e individë nga e kaluara jonë e bujshme historike, si dhe me faktin se ajo është moderne në botëkuptime e veprime.
Nëse këtë libër e shikojmë me syrin e kritikës letrare, atëherë mund të themi lirisht se ky është një përmbledhje tregimesh autobiografike që si tërësi krijojnë një roman. Nëpërmjet këtyre rrëfimeve dhe gojës së Nanës Rrukë praktikisht dhe faktikisht paraqitet jeta e përditshme me të gjitha ngjyrat e saj, historia e popullit tonë gjithnjë të shtypur, të varfëruar, vuajtjet, skamjet, travajet, por, edhe gëzimet që i ka përjetuar Nana Rukë dhe shumë nëna shqiptare.
Një vlerë e veçantë e këtij libri është gjuha e përdorur. Autorja gjithnjë përdor të folmen e Hasit me të gjitha karakteristikat sintaksore, morfologjike dhe dhe fonetike që i përdor Nana Rukë në të folmen e zakonshme, të përditshme. Hyrë Tejeci ka vepruar kështu “me qëllim që ta ruhej identiteti i saj, i nanës së vërtetë…” Kjo është vlera më e madhe e librit, për arsye se për studiuesit e sotëm dhe të ardhshëm gjuhësorë, ky libër është një dokument besnik i të folmes së Hasit. Pra, libri do t´u hyjë në punë gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme për qëllime shkencore gjuhësore. Po i cek vetëm disa nga fjalët karakteristike që përdoren: djel (për: djalë), fjel (fjalë), të keshne (qeshje), uja (uria), aborr (oborr), i paçtë (i pastër), k´valtë (kuajt), hajki (hante), nnashta (ndoshta) e shumë të tjera.
Është interesante se Nana Rukë në rrëfimet e saj rregullisht i përdor disa fjalë të gjuhës standarde, si p. sh.: është, njëri (për njani – në dialektin gegë) etj.
Si i tillë, libri është dhe mbetet një monument lapidar i një nëne hasjane.