Me gabime në përllogaritjen e koeficientit që e përcakton Ligji i ri i Pagave është bërë ekzekutimi edhe i pagave të treta për profesionistë shëndetësorë. Në disa prej spitaleve rajonale treguan për diskrepancë të madhe në kalkulim të pagave.
Që nga shkurti, kur ka nisur zbatimi i Ligjit të Pagave, profesionistët shëndetësorë janë ankuar se kanë hasur në probleme, me pagën e tyre mujore.
Dokument: Gënjeshtra e ministres Haxhiu, amnistia e 2013-ës nuk i falë krimet e luftës dhe vrasjet
Në spitalet rajonale treguan se mjekëve dhe infermierëve nuk u janë llogaritur pagat bazë dhe kujdestaritë me koeficientet e reja, të caktuara me këtë ligj.
Bazuar në pretendimet nga këto spitale, diskrepanca në llogaritje të pagave është e madhe dhe se me gjithë përditësimin e listave të punëtorëve shëndetësorë, gabimet nuk janë rregulluar nga ShSKUK-ja.
“Me ligjin e Pagave, shefit të repartit që është mjek specialist, llogaritja e pagës duhet t’i bëhet me koeficientin 12.2, ndërsa është llogaritur me koeficientin 7.35. Disa pozita janë llogaritur me koeficientin 12.00. Me Ligjin e Pagave, kryeinfermierit të repartit llogaritja e pagës duhet t’i bëhet me koeficientin 6.2, ndërsa është llogaritur me koeficientin 4. Ka edhe disa pozita të tjera në stafin e infermierisë, administratë, shërbime teknike etj”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për komunikim me media në Spitalin e Prizrenit.
Situatë e njëjtë është përshkruar edhe në Spitalin e Gjilanit.
“Me gjithë përmirësimet e bëra te ne dhe të dërguara në instancat më të larta, ende një pjesë e gabimeve nuk janë përmirësuar. Mirëpo jemi vazhdimisht në kontakt me instancat më të larta përmes Departamentit të Burimeve Njerëzore në SHSKUK dhe i kemi premtimet që të gjitha gabimet do të përmirësohen. Një pjesë e gabimeve janë evituar me pagën e prillit dhe besojmë që do të përmirësohen të gjitha gabimet”, kanë thënë në këtë spital.
Në Spitalin e Mitrovicës treguan se gabimet në llogaritje kanë shoqëruar edhe pagat e treta të ekzekutuara që nga zbatimi i Ligjit për Paga.
“Se sa është vlera nuk mundem ta di, pasi që ajo varet nga profili i punëtorit shëndetësor, si dhe nga koeficienti. Nga administrata e spitalit kanë shkuar llogaritjet në rregull, por gabimi është si duket nga qendra apo diku tjetër nuk mundem ta di”, thuhet në përgjigje.
E në Spitalin e Pejës, nëpërmjet një komunikimi elektronik, kanë paralajmëruar ShSKUK-në për veprimet dhe pakënaqësitë që mund t’i marrin punëtorët shkaku i pagave. Porse, me gjithë insistimin e KOHËS, nuk kanë specifikuar se për çfarë veprimesh bëhet fjalë.
Lidhur me gabimet në llogaritjen e pagës bazë dhe të kujdestarive për punëtorët shëndetësorë, televizioni ka adresuar pyetje edhe në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar, që është përgjegjëse edhe për shtatë spitalet rajonale, por që nga e mërkura, ky institucion nuk ka ofruar përgjigje.
Krahas pagës bazë, një pjese të infermierëve nuk u janë paguar as orët shtesë të punës, pagesat e rrezikshmërisë, si dhe shtesat e tjera të parapara me ligj. Për mosekzekutimin e shtesave të rrezikshmërisë, një ditë më parë ka reaguar edhe Sindikata e Policisë së Kosovës. Sqarime gjatë ditës nuk dhanë as në Ministrinë e Financave.
Ditë më parë, nga kjo instancë është bërë e ditur se bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme po punohet në evitimin e gabimeve./Botapress.info/