Fetah Bahtiri : Xhavit Çitaku: ”Ëndrra të thyera”, roman, Prishtinë, 2022, 130 faqe,
Botues: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi
Xhavit Çitaku kësaj radhe del para lexuesve me një roman të cilin njeriu e lexon me një frymë për shkak të ngjarjeve interesante në rrugëtimin e familjes Caka nëpër golgotën e tmerrshme të traditës së mbështetur në sistemin e vlerave të një shoqërie patriarkale, ku daja dy mbesave të veta jetime u bën shumë padrejtësi, i shtyp dhe i keqpërdor ato.
Pra, romani bën fjalë për odiseadën e tmerrshme të dy vajzave që nga mosha gjashtë dhe dyvjeçare, nga koha kur atyre u vdes babai, e deri në shuarjen e jetës së tyre në familjet ku ishin të martuara dhe ku i lanë pasardhësit e tyre. Njëra ndërroi jetë nga kanceri e tjetra në një fatkeqësi komunikacioni.
Mesazhet e këtij romani përcjellen me anë të disa rrëfimeve për krimet mbi fatet e njerëzve që ishin akte vrastare, sepse ”t’ia prishësh jetën katër femrave dhe t’ia vrasësh dashurinë një vajze, ku do të ketë krim më të rëndë?” – nënvizon vetë autori i romanit qysh në parathënie.
Ngjarjet janë interesante e prekëse dhe ato zbërthehen nëpërmjet personazheve të shumta, ndër të cilat kryesore janë: motrat Fatimja e Nexhmija, nëna e tyre – Ajshja, Heseti – i dashuri i Fatimes, Neziri – vëllau i Ajshes – daja i Fatimes dhe Nexhmijes, Xhaferi – babai i Fatimes e Nexhmijes, Hasimja – gruaja e Nezirit, Agimi – shoku i Hesetit, Sala – nëna e Xhaferit, Xha Bardhi – kryeplaku i fshatit, etj.
Prandaj vlerësoj se është e vlefshme të ndalem shkurtimisht në disa nga momentet më interesante.
Kryefamiljarja Sala kishte dështuar disa herë në shtatëzanitë e saj dhe shumë vonë i kishte lindur një djalë, Xhaferi. Xhaferi u martua me Ajshën e cila në martesë lindi një vajzë që e pagëzuan me emrin Fatime. Pas katër vjetëve lindi edhe vajzën e dytë, Nexhmijen.
Një ditë vjeshte kësaj familjeje iu ndërpre gëzimi e lumturia përgjithmonë. Duke marrë dru në pyll me qerre, Xhaferi në mënyrë të pakujdesshme doli në anën e gabuar të qerres dhe ajo u rrokullis dhe e mori me vete këtë burrë të vyeshëm. Xhaferi dalngadalë dha shpirt, duke kërkuar ndihmë, klithmat e të cilit i kishin dëgjuar edhe Hyseni e Selmani, dy vëllezër nga fshati i afërm. Kur këta arritën te qerrja, Xhaferin e gjetën pa shpirt. Vëllezërit e morën kufomën, e vendosën në qerre dhe e sollën te kryelpaku i fshatit Xha Bardhi.
Kështu, Ajshja mbeti e vejë, pa i mbushur 33 vjet. Ajo i kishte edhe dy vajzat e vogla. ”Athua çfarë do të bëhet dhe si do t’ia dalin ato dy gra me dy vogëlushe e pa asnjë mashkull në shtëpi?” – pyet autori.
Shumë shpejt erdhi vëllau i Ajshes, Neziri, kundër dëshirës së motrës Ajshe, e mori atë me të dy vajzat dhe i dërgoi në shtëpinë e vet, sepse kështu ishte tradita. Ajshes askush nuk i doli në ndihmë për të qëndruar në shtëpinë dhe trollin e burrit, së bashku me vjehrrën, Salën. Por, vjehrra e saj, Sala, nuk e lëshoi trollin sepse e kishte vështirë ta braktiste këtë shtëpi. Ajo ngeli e vetme aty dhe kur u sëmur rëndë shkoi te vëllezërit e vet.
Daja (Neziri) i kishte katër fëmijë, dy djem, Enverin e Fetahun dhe dy vajza, Sanijen e Kadrijen. Gruaja e dajës quhej Hasime. Ai ishte një njeri zullumqar që sillej me një ashpërsi të tepruar. Ishte njeri problematik.”Sytë i kishte të blertë që gjallëronin çuditërisht dhe dukeshin sikur lëshonin xixa”.
Pas një viti Neziri, pa dijen dhe pa pëlqimin e saj, e fejoi dhe e martoi motrën e vejë – Ajshen sepse, i thoshte asaj, ”Ti je ende e re dhe medoemos duhet të krijosh familje tjetër. Ta kam gjetë një burrë për merak që nuk ta ka shoqin në shtatë katunde”. Por, Ajshja këtë veprim të vëllait e përjetonte si torturë të madhe dhe si një gozhdë të futur thellë në zemër.
Tani Fatimja dhe Nexhmija mbetën jetime të vërteta duke vazhduar jetën te daja.
Ishte koha kur Fatimja me sukses të shkëlqyeshëm e kreu edhe vitin e dytë të shkollës së mesme. Vazhdoi vitin e tretë me po atë entuziazëm e vullnet të madh. Në shkollë ajo kishte shkruar një hartim emocional autobiografik i cili, ”kur u lexua në klasë, pothuajse shumica e shokëve dhe shoqeve me lot në sy e përcollën përfundimin e tij. Iu afruan Fatimës shumë prej tyre. E përqafuan duke e ngushëlluar për atë çfarë ka përjetuar”.
Fatimja tashmë kishte mbushur 17 vjet. ”E gjatë e shkathtë. Plot shëndet e hir. Ndriçonte si rrezja e diellit. Ajo kishte shpirtin dhe fytyrën e një engjëlli”.
Rastisi që në një dasmë u takua me një djalë që quhej Heset. Heseti ishte student i shkëlqyeshëm në shkencat e mjekësisë. Fatimes në shikim të parë ai djalë i pëlqeu shumë. Edhe Hesetit i kishte pëlqyer shumë Fatimja dhe ishte interesuar për te.
Fatimja ishte e shtrënguar që sekretin e saj të mos ia shfaqte askujt, duke marrë parasysh faktin se jetonte në shtëpinë e dajës.
Kjo dashuri në shikim të parë dita-ditës rritej dhe depërtonte thellë zemrën e saj.
Një ditë kur Fatimja me motrën Nexhmijen, shkoi te mjeku në shtëpinë e shëndetit, rastësisht u takua me Hesetin, i cili ia la një letër në dorë. Me këtë letër ai ia shpalli dashurinë.
Dashuria e tyre vazhdoi me takimet nën dritën e Hënës te përrocka nën shtëpi, pastaj edhe në vetëshërbimin e qytetit.
Kur kreu klasën e tretë të gjimnazit me sukses të shkëlqyeshëm, pesë ditë pasi ishte takuar për herë të fundit me Hesetin, daja Nazir asaj ia ndërpreu vijimin e shkollës. Arsyetimi i dajës ishte: ”Je rritë e je bërë për martesë. Ta gjen daja ty një burrë të mirë”.
Edhe bijën e vet, Sanijen, e ndali nga shkolla. Por, Sanija kishte ikur me të dashurin e vet, për ç´arsye babai i saj, Neziri, e ndjeu veten të poshtëruar dhe si fajtore e rrahu brutalisht bashkëshorten e vet, Hasimen. Pastaj së bashku me dy shokë të armatosur hynë në dhomën ku gjendej bija e tij. E mori atë dhe po atë natë e martoi dhunshëm, duke ia dorëzuar një njeriu që as ai vetë nuk e kishte njohur mirë, e lëre më Sanija! Sanijes ia ndaloi që të vinte më në shtëpinë e tyre.
Pas një muaji, ai e fejoi edhe Fatimen. Burri i saj i ardhshëm quhej Bajram dhe ishte mbi dhjetë vjet më i vjetër se Fatimja. Ai ishte ndarë nga gruaja e parë për shkak se ajo nuk kishte lindur fëmijë.
Fatimja kundërshtoi këtë fejesë dhe reagoi ashpër, duke i thënë dajës Nezir: ”Deri më tash të kam respektuar shumë, por nga dje të ra përdhe maska e jote hipokrite dhe po ta them troç, se për juve ndiej një antipati të madhe dhe ju urrej sa më s’bëhet!” Vajza ishte e trishtuar. Ajo përjetonte tortura të tmerrshme shpirtërore.
Kur Heseti mori vesh se çfarë kishte ndodhur, edhe ai u trishtua dhe në kokë ziente lloj-lloj mendimesh. Ai e dashuronte Fatimen me tërë fuqinë e shpirtit. E dinte fare mirë se e dashura e tij nuk pajtohet me vendimin e dajës. Për këtë bisedoi edhe me shokun e tij, Agimin.
Në ndërkohë Fatimja mendonte vetëm për të dashurin e saj dhe fatin e zi që e kishte goditur. Një ditë ajo Hesetit ia shkroi një letër në të cilën, ndër të tjerat ceku edhe: ”Të mos kesh të drejtë të dashurosh është një padrejtësi e madhe njerëzore dhe një krim i rëndë që ka hapur një plagë të madhe. … Shkaku i ndarjes sonë është se daja më ka fejuar për dikë tjetër pa me pyetur fare dhe duhet ta keni të qartë se kjo punë më nuk zhbëhet…”
Heseti i shkroi Fatimes dhe ndër të tjerat i konfirmoi: “Ti je dashuria e ime e pandalshme.
… Gjithmonë do të jesh në zemrën time. Të uroj fat!”
Edhe Ajshja shprehte kundërshtim ndaj veprimit të Nezirit. ”A mund t’i quaj njerëz këta të mjerë, sikurse që është soji i vëllait tim, Nezirit. Jo, kurrsesi” – konkludonte ajo.
Gjyshja Sala vdiq pas katër muajsh. Në varrimin e saj morën pjesë Fatimja e Nexhmija
Vdekja e saj përgjithmonë la gjurmë të mërzisë dhe pikëllimit te Fatimja dhe Nexhmija, por edhe të hidhërimit ndaj dajës dhe kushërinjve të tyre që nuk i kishin lënë të vazhdonin e të jetonin së bashku në shtëpinë e vet, në truallin e tyre.
Fatimja u martua më 3 korrik, ditë e diel, pikërisht në ditën kur ajo i mbushi 18 vjet. Në vend të gëzimit, ajo në natën e kanaxheqit ishte plotësisht e dërmuar dhe ia shpërtheu të qarit si një fëmijë.
Në shtëpinë e burrit, kur yjet puthnin agimin, Fatimja u ngrit dhe iu afrua dritares së asaj shtëpie që tash e tutje do të jetë fole e saj. Në oborr e pa një grua. Kjo ishte vjehrra e saj. E vetëdijshme se ku ndodhej, Fatimja i tha vetes me mendje: ”Unë do të duhej të isha te i dashuri i im”.
Pas martesës së Fatimes, Nexhmija që tani ishte 14-vjeçare, filloi të përballet me një jetë akoma më të vështirë pa nënën, e cila pa dëshirën e saj ishte e shtrënguar që të martohet dhe pa motrën Fatime. Ajo vendosi të mbyllet në vetvete dhe, mjerisht, t’i nënshtrohet fatit që me kohë ia kishte gatitur daja. Filloi të merret me qëndisje dhe në këtë zanat askush nuk mund t’ia kalonte.
Kur Nexhmija ishte afër 17 vjeçe, në muajin dhjetor, daja Nezir atë e fejoi për një njeri që ishte nja 12- 13 vjet më i vjetër se ajo. Nga dëshprimi, Nexhmija nuk lejoi të bëhet as kanaxheq e as dasmë. ”Dua të martohem thjesht, ashtu siç jam vetë” – kishte thënë ajo. U martua tre muaj pa i mbushur 18 vjet.
Në martesë Fatimja filloi ta ndjente veten të lumtur me burrin i cili e respektonte, sillej mirë ndaj saj dhe ishte i përcaktuar që atë ta bëjë të lumtur. Lumturi për te ishte edhe fakti se ajo u bë nënë e katër fëmijëve të mrekullueshëm, dy vajza dhe dy djem, të cilët po rriteshin e po bëheshin krah i fortë i familjes. Fëmijët e donin shumë nënën e tyre.
E hidhëruar shumë ndaj dajës, Fatimja shumë rrallë vizitonte familjen e tij. Vizitat i bënte vetëm për hir të motrës së saj Nexhmijes. Pas martesës së Nexhmijës ajo asnjëherë më nuk shkeli në derën e shtëpisë së dajës.
Fatimes dhe Nexhmijes u vdiq nëna. Ato tani përjetonin se u bënë jetime edhe më shumë se që kishin qenë.
Kur Fatimja kishte mbushur moshën 52 vjet, u diagnostifikua me sëmundjen e kancerit në shkallën e tretë. Gjatë trajtimit me rrezatim te onkologu, rastis që aty, pas 34 vjetësh të takohet me dashurinë e saj të parë – Hesetin i cili në spital punonte si mjek. Kur e njohu dashurinë e parë, Fatimja e vështronte me mallëngjim. Edhe Heseti e kishte njohur Fatimen së pari nga emri, e pastaj edhe kur e kishte takuar në spital si paciernte. Heseti, që nga ajo ditë e kishte marrë përgjegjësinë që të kujdesej për gjithçka që i nevojitej ish të dashurës së tij. Pas dy muajve Fatimja iu nënshtrua edhe kimioterapisë.
Ende pa i mbushur tetë muaj nga koha kur u diagnostifikua me sëmundjen e kancerit, Fatimja ndërroi jetë dhe pas veti la katër fëmijë të.
Vdekja e Fatimes e kishte goditur rëndë Nexhmijen e cila vdiq në një fatkeqësi të komunikacionit.
Me vdekjen e Nexhmijes u pre edhe dega e fundit e trungut të familjes Caka, e cila, pa dyshim, se do të mbahet mend si një familje e nemur.
Heseti u martua me kolegen e tij, Pranverën, për të cilën kishte pasur një simpati gjatë kohës sa ishin studentë dhe njëri – tjetrin e njihnin mirë.
I mësuar nga përvoja personale përkitazi me dashurinë, Heseti u angazhua, veproi dhe i rregulloi punët dhe dashuria e motrës së tij Mejremes me shokun e tij të ngushtë – Agimin nuk pati pasoja kur këta dy të dashuruar ai vetë i kishte zënë ”me pelë për dore”.
Shumë shpejt edhe shtëpia, edhe familja Caka u tretën dhe u harruan
Kështu Xhavit Çitaku në këtë roman me një gjuhë të rrjedhshme në formë narative arrin ta mbajë lexuesin të mobilizuar fund e krye. Dialogët dhe monologët e shumtë realizojnë një efekt të jashtëzakonshëm në bukurinë e të shprehurit artistik. Ka shumë përshkrime të bukura të ndjenjave njerëzore e të natyrës. Gjuha e përdorur është e pasur me shumë shprehje nga sfondi i përditshëm, me figura stilistike, krahasime, simbolika e thënie të cilat maksimalisht arrijnë efektin e dëshiruar dhe trokasin në ndërgjegjen e lexuesit. Po i përmend vetëm disa shembuj që janë më karakteristikë: po e zezëdita koka ba, bre; në jetën time nuk e kam ndie veten ma ngushtë se kësaj here; a je në veti, oj vjehrra ime; pse nuk me lëshon kjo tokë, por me lë të vuaj; tesh e kotesh; një të zezë e paske bërë; të dyja u shkrinë në vaj; gjendje, as në qiell, as në tokë; oqean mërzie; lotët e Ajshes ia bën qull këmishën e Hasimes; m’i ka futur të dy këmbët në një këpucë; njeriu dëshiron e propozon, ndërsa Zoti vendos; sytë e Fatimës u ngjitën në ata të Hesetit; lodhja ia kishte prekur qepallat; fytyra e saj ishte bërë prush nga zjarri dhe ndjenjat e një dashurie të sinqertë; koka i avullonte nga zjarri i dashurisë; u zhduk si ta lëshonte toka; me sy të shqyer shikonte djathtas e majtas; fytyra e saj ishte e mbytur në lot; të bëjmë llafe mbar e mbrapsht; së bashku me zërin e gjelit, ajo përshëndeti rrezet e para të diellit; fill e për pe; pa futur asnjë moment gjumë në sy; do të bëhet “gazi i botës”; të bëjë konak e të hajë bukë me “sherr”; çile gur gojën; tradhëti, që se lanë as Drini i Bardhë; u shkri nga dhëmbi i kohës dhe shumë të tjera.
Duke përfunduar këtë recension dëshiroj të theksoj edhe njëherë se Xhavit Çitaku me këtë roman ka arritur t`i godas fuqishëm traditat mbrapshta kanunore patriarkale, sidomos në raport me trajtimin e femrave, dukuri këto që ende ekzistojnë aty-këtu në ambientet tona.
Klithma e tij tingëllon fuqishëm, sepse aktualisht në mesin tonë janë duke u përhapur edhe disa fenomene të cilat po e dëmtojnë shumë kombin e shoqërinë tonë dhe shi për këtë arsye ekziston rreziku i madh që të na kthejnë prapa për ndonjë shekull.