Rama: Shteti nuk është agjenci turistike e Vetëvendosjes!

 

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj financimit të ardhjes së qytetarëve nga diaspora për votime, duke akuzuar pushtetin për “kapje brutale të shtetit për interesa partiake”.

Përmes një reagimi publik, Rama deklaroi se “shteti nuk është agjenci turistike e Vetëvendosjes”, duke e cilësuar këtë veprim si “hajni” dhe abuzim të pastër me paranë publike.

Sipas tij, shpenzimi i miliona eurove nga buxheti i Kosovës për të financuar ardhjen e individëve vetëm për votim partiak është fyerje për qytetarët që jetojnë dhe paguajnë taksa në vend.

Statusi i tij i plotë:

SHTETI NUK ËSHTË AGJENCI TURISTIKE E VETËVENDOSJES!

Kjo nuk është as politikë sociale as përkrahje për diasporën, kjo është kapje brutale e shtetit për interesa partiake. Kjo është hajni!

Të shpenzosh miliona nga buxheti i Kosovës për të financuar ardhjen e individëve vetëm që të votojnë për një parti, është një akt i pastër abuzimi me paranë publike dhe një fyerje e rëndë për çdo qytetar që jeton, punon dhe paguan taksa në Kosovë.

Ndërkohë që qytetarët përballen me varfëri, mungesë barnash, paga të ulëta, çmime të papërballueshme dhe ikje masive të rinisë, pushteti zgjedh që paratë e taksapaguesve ti shfrytëzojë për kalkulime elektorale.

Ky është degradim moral dhe institucional i shtetit!

Buxheti i shtetit nuk është pronë private e askujt. Kush përdor paranë e qytetarëve për interesa elektorale, nuk po i shërben demokracisë po e shkatërron atë, po e kthen ne autokraci.

Ky është momenti kur qytetarët duhet të reagojnë fuqishëm kundër arrogancës së pushtetit dhe kundër çdo tentimi për ta kthyer shtetin në makineri partiake. Demokracia nuk mbahet me bileta avioni të paguara nga taksat e popullit, por me përgjegjësi, drejtësi, zhvillim dhe respekt ndaj qytetarit.

Të tjera