SHBA pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, Nurellari: Shuplakë për Albin Kurtin

Pezullimi i dialogut strategjik të SHBA me Kosovën, analisti Adri Nurellari, thotë se nuk ka të bëjë me popullin e Kosovës, por me qëndrimet dhe deklarimet e Albin Kurtit. Nurellari shprehet se uron që ata që kanë votuar Kurtin të reflektojnë dhe t’i japin një mesazh në zgjedhjet lokale.

Analisti Adri Nurellari e sheh pezullimin e dialogu strategjik të SHBA me Kosovën si një shuplakë për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. I ftuar në Report Tv, Nurellari thotë se pezullimi i dialogut strategjik tregon se kemi arritur në kulmin e dështimit të politikës së jashtme. Për Nurellarin, ky veprim i SHBA-së nuk ka të bëjë aspekt me popullin e Kosovës, pasi ata janë kujdes të sqarojnë në deklaratë se gjithçka ka të bëjë me qëndrimet dhe deklarimet e Kurtit.

“Është pika më e ulët e gjendjes diplomatike të Kosovës. Është akt i rëndë, i turpshëm, faktikisht kjo tregon që kemi arritur kulmin e dështimit, të politikës së jashtme. Nuk është aspekt protokollar, është shuplakë e mirëfilltë, goditje për qeverinë Kurti dhe për atë në mënyrë të përveçme. Ata e kanë theksuar në deklaratë elementin e tij personal, madje thuhet se janë veprimet e fundit dhe deklaratat e kryeministrit që i çuan në këtë vendim. Janë përpjekur të bëjnë një diferencë mes kryeministrit edhe popullit të Kosovës. Kjo tregon që ata duan të ruajnë raportet afatgjatë, por kanë problem me një grup uzurpuesish të pushtetit. Është e rëndë, se SHBA është aleati strategjik”, tha Nurellari.

Nurellari thotë se me Albin Kurtin në kryer, prej 4 vitesh Kosova nuk ka zhvilluar asnjë vizitë në Departamentin Amerikan të Shtetit. E ndërs shton, se jo vetëm me SHBA, por me Kurtin në krye Kosova nuk ka raporte të mira as me Tiranën dhe as me Brukselin.

“Pika më e ulët në pozicionin demokratik të Kosovës. Po të shohësh historinë e Kosovës, të gjithë liderët kanë pasur akses të drejtpërdrejtë në nivelet më të larta në SHBA, duke nisur nga Ibrahim Rrugova, por edhe Isa Musfata e Abdulla Hoti. Këtu kemi 4 vite që s’kemi një vizitë të nivelit të lartë në Departamentin e Shtetit. Kjo s’ka të bëjë me Amerikën, as me Trumpin, ka të bëjë me Kurtin. Me të kemi pikën më të ulët të raportit me Tiranën, por edhe me Brukselin ne vazhdon ta mbajë Kosovën të përjashtuar nga ndihma, e konsideron të sanksionuar”, theksoi Nurellari.

Në fund, Nurellari shprehet se uron që ata që kanë votuar Kurtin të reflektojnë dhe t’i japin një mesazh në zgjedhjet lokale kundër arrogancës së tij dhe sjelljes në dëm të interesave të Kosovës.

“Kjo është pikë dramatike, shpresoj se që ata që kanë votuar Kurtin, të reflektojnë te zgjedhjet lokale. Shpresoj që aty të jetë sinjali i parë kundër kësaj arrogance, sjellje aventureske, harbute dhe shumë të dëmshme të Kurtit për interesat e Kosovës”, përfundon Nurellari.

Të tjera