Banka Botërore ka thënë se donatorët ndërkombëtarë janë pajtuar që të transferojnë 280 milionë dollarë nga fondet e ngrira tek agjencitë e Kombeve të Bashkuara për ndihma ushqimore e shëndetësore.
Paratë nga Fondi për Rindërtimin e Afganistanit, që administrohet nga Banka Botërore, do t’u transferohen Programit Botëror të Ushqimit dhe UNICEF-it – agjenci të Kombeve të Bashkuara. Programit Botëror të Ushqimit do t’i transferohen 180 milionë dollarë, ndërsa UNICEF-it (Fondi Emergjent Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët) do t’i transferohen 100 milionë dollarë.
Vendi përballet me krizë të thellë ekonomike e humanitare, të përkeqësuar nga largimi i përkrahjes financiare pas ardhjes në pushtet të talibanëve në gusht, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.
Programi Botëror i Ushqimit paralajmëron se më shumë se gjysma e popullsisë së Afganistanit kërcënohet nga uria akute. Tre milionë fëmijë raportohet se janë duke vuajtur nga kequshqyerja.
Kjo gjendje është rezultat i thatësisë së madhe, që ka shkatërruar një pjesë të madhe të të mbjellave dhe ka shkaktuar rritje të konsiderueshme të çmimeve. Kriza ekonomike u përshpejtua nga vendimi i vendeve perëndimore për t’i ndërprerë ndihmat financiare pas ardhjes së talibanëve në pushtet.
Fuqitë perëndimore kanë refuzuar që ta njohin zyrtarisht qeverinë talibane. Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera kanë ngrirë rreth 10 miliardë dollarë të rezervave të Afganistanit, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore gjithashtu ia kanë ndërprerë vendit qasjen në fonde.
Programi Botëror i Ushqimit vlerëson se 23 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente ushqimore në prag të dimrit dhe gjendjen në Afganistan e cilëson si “krizën më të keqe humanitare në Tokë”.