Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot është shprehur i pikëlluar për vdekjen e ish-drejtorit të “Trepçës”, Nazmi Mikullovci.
Në telegramin e ngushëllimit për Mikullovcin, kryeministri Kurti ka vlerësuar lartë kohen e ish-Jugosllavisë.
Ai ka bërë me dije se ato ishin vite të shkëlqyera të industrializimit të Kosovës, duke harruar përndjekjet e shqiptarëve nga regjimi jugosllav.
“Nazmi Mikullovci është përfaqësuesi i një gjenerate të jashtëzakonshme profesionistësh që projektuan dhe realizuan në masë të gjerë vetëqëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës. Kushdo e njeh atë si Drejtorin e Trepçës në vitet e shkëlqyera të industrializimit të vendit. Ndërsa shumë nga ne si orientuesin e përpiktë se si të optimalizohen mundësitë vendore në industri dhe ekonomi. Për mua ka qenë më shumë se sa një bashkëpunëtor në më shumë se sa një dekadë. Nazmi Mikullovci është mentori i dijes mbi Kosovën dhe ekonominë e saj”, ka shkruar Kurti.
Derisa kryeministri Albin Kurti lavdëron progresin në kohen e ish-Jugosllavisë, ai vazhdimisht mohon të arritura e Kosovës pas luftës.
Pothuajse në çdo paraqitje publike, ai mohon progresin e pasluftës duke thënë se gjatë këtyre 20 viteve në Kosovë vetëm është vjedhur.
Vlerësimet e larta të Kurtit për kohen ish-Jugosllavisë kanë nxitur reagimin e opinionistit Arben Ahmeti.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në këtë mënyrë Kurti po e lavdëron periudhën e përndjekjes dhe burgosjeve të shqiptare të Kosovës.
“E mohon çdo progres në 20 vite zhvillim te paprecedan prej çlirimit të vendit, e periudhën e përndjekjes, shtypjes, varfërisë, burgosjes së mijërave të rinjve e të rejave, diskriminimit e përdhosjes i quan si ‘vitet e shkëlqyera të industrializimit të vendit’. Gjeje se kush është. PS Gjate ‘viteve të shkëlqyera te industrializimit të vendit, të rinjtë shqiptare mbajtën plot 666 shekuj burg”, ka shkruar Ahmeti
Nuk është vetëm Albin Kurti që mohon çdo progres në periudhën e pasluftës.
Të njëjtin mendim kanë edhe shumica e mbështetësve të tij.
Një mendim të tillë e ka edhe deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
“20 vjet e kanë vjedh dhe e kanë mjelë këtë shtet e po lypin nga Qeveria Kurti për 9 muaj me e ngrit në këmbë. Për mos me ardh në këtë ditë është dasht me punu me mish e me shpirt për këtë vend e jo me e vjedh e milionat e tyre me i mbajt offshore. Të kishte pasur shteti ynë rezerva veç sa kanë disa individ (ish pushtetarë e bashkëpuntorë të ish-pushtetarëve) pasuri ndryshe do të ishim sot. S’ka rrymë, sepse e kanë shit dhe e kanë vjedh. Po të kishim punuar mirë e mbarë për 20 vjet sot Kosova do të ishte në gjendje të furnizonte shtetet e rajonit me rrymë e jo të mbetej vet pa të. S’ka rrymë, sepse ish pushtetarët dhe bashkëpunëtorët e tyre e kanë hangër deri në palcë këtë vend”, kishte shkruar Pacolli në profilin e saj në “Facebook” në vitin 2021.
Në Qeverinë Kurti dhe në Lëvizjen Vetëvendosje, që udhëhiqet nga vetë kryeministri, janë së paku 4-5 persona që nuk kanë dënjuar të kapërcejnë moralisht trashëgiminë problematike të Jugosllavisë.
Ylli i të gjithë këtyre personave, natyrisht, është z.Veton Surroi, i cili është këshilltar i jashtëm e kryeministri Kurti.
Surroi, i cili është djalë i ish-djali i ambasadorit të Titos, nëpërmjet shtëpisë botuese të tij, ka botuar një libër të titulluar “Fadil Hoxha në vetën e parë”, e që përgjithësisht është një përpjekje për të pastruar figurën e komunistit Hoxha.
Të afërt me Kurtin në Qeveri janë edhe disa pasardhës të familjes të ish-sistemit, përfshirë Agon Hamzën, nipi i ish-ministrit të rendit në kohën e Jugosllavisë, Xhevdet Hamza; dhe Erzen Vraniqi, djali i Hamdi Vraniqit, personit që “lëshoi lejën” për ndërtimin e kishës ortodokse në oborr të Universitetit të Prishtinës.