Futbollisti i talentuar ukrainas, Oleksandr Sukhenko, është gjetur në mesin e trupave të masakruara nga forcat pushtuese ruse në fshatin Bucha, 15 kilometra larg kryeqytetit Kiev.
Ishte raportuar ditë më parë se 25-vjeçari së bashku me familjen e vet ishin rrëmbyer nga shtëpia dhe tani trupat e masakruar të tyre janë gjetur në fshatin Motyshyn në Bucha.Mamaja e Sukhenkos ishte kryetare e fshatit si dhe babai i tij ishte aktiv në komunitetin e sportit, veçanërisht në futboll.
Sipas një organizate rajonale të futbollit, trupat ukrainase pasi rimorën në kontroll fshatin zbuluan një gropë me 30 trupa të masakruar të popullatës civile.
Në një status në rrjetin social Facebook, Kyiv-Svyatoshinsky Football e përshkroi si një familje shembull, e cila kanë dhënë shumë për komunitetin.“Luftuan pafundësisht për të mbrojtur fshatin e lindjes deri në orët e fundit kur masakra mbërriti, dhe vdiqën si heronj,” shkroi në Facebook kjo organizatë.
Babai i talentit ukrainas, Igor Sukhenko, u përshkrua si një sipërmarrës i fortë dhe si president i një skuadre rurale të quajtur Kolos FC, ku punonte shumë që të nxirrte në pah talente të reja.
Oleksandr Sukhenko ishte futbollist aktiv dhe luante në skuadrën FC Kudrivka, e cila bënte pjesë në ligën e dytë të Ukrainës.