Shqiptari, Uliks Gjonaj është në mesin e 10 instruktorëve të vetëm në botë, siç quhen në gjuhën profesionale të tyre, instruktor i nivelit 8, që është njëri prej niveleve më të larta për siguri. Ai po ashtu është instruktor i sistemit “Police Compak”, që është program i Policisë amerikane, teksa arriti të jetë edhe instruktor për instruktorët, edhe në njësitin më elitar “SWAT”.
I njëjti merret edhe me lëmin e antiterrorizmit dhe është i certifikuar nga “Criminal Justic Institute-Florida”, teksa sot ka arritur ta ketë edhe akademinë e tij “Commando Defence Academy Suiss – Instructor, Police, Combat Systems-Lockup”.
Gjonaj në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN” në Klan Kosova për herë të parë ka treguar se pavarësisht këtyre niveleve të larta ku është i certifikuar, ai me planet amerikane e izraelite që provoi t’i sjellë në Kosovë për t’i shërbyer profesionalisht Policisë së vendit, është neglizhuar nga institucionet shtetërore, teksa shton se një gjë e tillë nuk i ka ndodhur edhe me shtetet fqinje, atje ku tashmë ka kryer edhe disa trajnime.
“Kam pasur kontakte me institucionet e Kosovës dhe i kam dërgu programe edhe të sistemit amerikan, edhe të sistemit izraelit, mirëpo janë neglizhuar dhe nuk kam pas asnjë lloj përgjigje. Jo vetëm një herë, por ka qenë me pesë apo dhjetëra herë që i kam dërgu e-mail edhe Ministrisë së Mbrojtjes, edhe Ministrisë së Brendshme, por që nuk kam pas asnjë përgjigje institucionale. Në Maqedoni e Veriut kam pas, në Bosnje kam pas, e s’po flas për shtetet e Evropës. Ndërsa, në Shqipëri kam pas tashmë më shumë se shtatë trajnime”, rrëfeu ai.
“Kjo ka ndodh prej vitit 2015-2016, në ato vite kur kam qenë në nivelet më të larta. Kam dashur t’i sjell diçka që i nevojitet Policisë, sepse edhe sot Policisë i duhen programe që janë akademike, jo programe që janë të kurseve apo të niveleve të ulëta, se kjo ia mundëson një punë më profesionale”.
Megjithatë, Gjonaj tha se pavarësisht mosshqyrtimit të këtij programi dikur, ai shpreh sërish vullnetin për ofrimin e tij edhe për Qeverinë e tanishme, për të cilën thotë se e ka në dorë këtë bashkëpunim ose jo.
“Unë jam i certifikuar nga shteti i Amerikës dhe prej njësitit më elitar SWAT. Jam munduar dhe mundohem vazhdimisht që t’i sjell dhe t’i përgatisë edhe instruktorët që janë brenda Policisë. Meqenëse unë e gëzoj një program që është modern, nuk më lë ndërgjegjja që mos t’ia sjellë, sidomos dy shteteve tona. Mirëpo, kjo varet krejt prej dëshirës dhe bashkëpunimit që dëshirojnë këta”.
“Unë jam në gjendje për shtetin tim të jap maksimumin, sidomos tash, që të vijë dhe të jap kontributin tim, edhe pse përpara nuk më kanë ftuar”, deklaroi Gjonaj.
Deklarata e plotë:
https://www.youtube.com/watch?v=J9qmPqMXEPk&ab_channel=FaktemeAdnanMEROVCI
Emisioni i plotë:
https://www.youtube.com/watch?v=af8_4FGtgX8&ab_channel=FaktemeAdnanMEROVCI