Republika Çeke përfundon udhëheqjen të Bashkimin Europian në fund të këtij viti. Krahas luftës në Ukrainë, Ballkani Perëndimor ishte në krye të agjendës. Udhëheqësit e BE-së ranë dakord për dhënien e statusit të kandidatit për Bosnje-Hercegovinën, liberalizimin e vizave Kosovës dhe hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Martin Košatka, në një intervistë për portalin ‘European Western Balkans’ u pyet edhe lidhur me deklaratën e kryediplomatit serb, Ivica Daçiq i cili ka thënë se Presidenca Çeke nuk do të merret me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian, përcjell Botapress.info
I kërkonte lëmoshë ministrit Peci, largohet dhunshëm nga lokali e mitura
“Duke pasur parasysh datën kur Kosova vendosi të dorëzojë aplikacionin (15 dhjetor), nuk kemi pasur kohë të bëjmë më shumë se sa t’i informojmë ambasadorët e COREPER-it të shteteve anëtare të BE-së se Kosova e ka dorëzuar aplikacionin. Presidencës së ardhshme suedeze do t’i takojë të fillojë konsultimet me shtetet anëtare”, tha Košatka.
Ai përmendi samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur për herë të parë në këtë rajon, në Tiranë. Ai tha se aty BE-ja jo vetëm që ka rikonfirmuar angazhimin për integrimin e Ballkanit Perëndimor, por tha se “kemi bërë thirrje edhe për përshpejtimin e procesit të zgjerimit”.
“Për më tepër, Kosova ka paraqitur kërkesë për anëtarësim në BE”, ka theksuar ai.
Vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, ai e ka renditur të dytën në sukseset e Presidencës Çeke lidhur me Ballkanin Perëndimor.
Suedia, vendi i ardhshëm që do të udhëheq me BE-në, përcaktoi katër qëllime – ruajtjen e unitetit europian dhe forcimin e sigurisë, tranzicionin e gjelbër dhe politikën energjetike, forcimin e konkurrencës evropiane dhe ruajtjen dhe rëndësinë e vlerave evropiane, demokracinë dhe sundimin e ligjit./Botapress.info/