Ish-deputetja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Flora Brovina, ka treguar për herë të parë se si ishte arrestuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe u burgos me dënim 17 vjet.
Ajo në emisionin n’Fokus në T7 ka treguar se ka qenë pjesë e njësiteve guerile dhe se është krenare për aktivizmin e saj.
“Realisht kam qenë ushtare e njësitit gueril. E them për herë të parë. Jam krenare që i kam takuar këtij grupi shumë të fortë dhe trim. Unë isha mjekja natyrisht. Dy-tri herë kam mbajtur armë, jo më shumë. Dhe jo për të vrarë po për mbrojtje. Të gjendeshim në një territor ku nuk është territor i UÇK-së është shumë më vështirë”, tregon ajo.
Tutje ajo shton se arrestimi i saj ka qenë për shkak të një gabimi që ka bërë.
“Burgosja ndodhi me gabimin tim. Erdha t’i marr gjërat që të shkoja në Zonën e Gollakut ku e dija saktë se çfarë po ndodh. E them për herë të parë, jam shumë krenare për trimërinë e këtyre vajzave dhe djemve të këtij njësiti. Thonin se nuk ka gra në Zonën e Llapit. Por kishte dhe shumë të zonja. Çfarë mund të më bënin? Të më vrasin? Kisha parë fëmijë të vrarë. Gra të dhunuara. Të mbajë gajlen time ishte e fundit”, përfundoi ajo. /Gazeta Express/