Dikush në BE nga repertori dhe nga leximoret publike paska hequr artistë e shkrimtarë rusë: Çajkovskin, Dostoevskin, Çehovin… si masë kundër invazionit rus mbi Ukrainë si dhe kundër barbarisë së egër ruse ndaj ukrainasve. BE sot ka ndaluar fluturimet nga Rusia për në shtetet evropiane, ka ndaluar dhe ka konfiskuar pronën e tundshme dhe të patundshme, ka përjashtuar dhe dëbuar personalitete e oligarkë (Abramoviçin e Çelsit), ka stopuar gara sportive, ka stopuar e tërhequr qindra biznes-firma e gjithfarë raportesh të tjera! Asnjë shtet evropian nuk është kundër popullit rus, asnjë shtet evropian nuk mund të llogaritet si grabitqar i pronave ruse; nuk ka shtet evropian e në botë që nuk e vlerëson kulturën ruse, nuk ka shtet në botë që nuk i vlerëson krijuesit dhe artistët e shekullit XVIII, XIX, XX, XXI; nuk ka dashamirë të bibliotekave personale që nuk i ka në rafte klasikët rusë, nuk ka fakultet muzike në botë ku nuk studiohen veprat e kompozitorëve rusë! Por, sot janë më se të domosdoshme një sërë masash “antihumane”, me qëllim që të irritohet opinioni rus dhe ta mësojë se tërë këtë “urrejtje botërore” e ka si reaksion kundër despotit të tyre, Putinit. Duhet të kuptojnë se si popull po humbin gjithçka dhe se një qëndrim unik botëror është i padurueshëm, është i kobshëm dhe vlerat e popullit rus dalin në piedestalin botëror vetëm pasi të lirohen prej një despoti të tyre që po i kanoset tërë botës dhe të gjitha vlerave botërore.
Pa dyshim që tërë populli rus ka mirëkuptim të paluhatshëm në këtë qëndrim të botës “kundër” çdo gjëje ruse dhe shpreh keqardhje të fuqishme për pamundësinë e tyre për ta “shpëtuar botën”!
Megjithatë, një akademike maqedonase (Dr. Katica Qullavkova) paska dalë dhe paska protestuar fuqishëm kundër këtij “qëndrimi racist” të shteteve perëndimore. “Askush përveç nacistëve nuk kanë ndaluar artistë e krijues siç bënë sot bota kundër artistëve klasikë e bashkëkohorë rusë”, thotë Qullavkova në reagimin e vet!
Më tej, kjo akademike e cila nuk shquhet për nacionaliste maqedonase sa për urrejtje patologjike antishqiptare, thotë: “politikë brutale, mars, viti 2022, pas intervenimit special të ushtrisë ruse kundër Ukrainës, tërë bota “progresive” si dhe Amerika, madje edhe Maqedonia e Veriut, po promovojnë bojkotimin e artistëve dhe të kulturës me sufiksin “ruse”!”, Tutje, Qullavkova pyet: “Me çfarë lehtësie të paparë morale e intelektuale ndalohet Dostoevski, Çehovi, Çajkovski, baleti rus, romanca ruse…”
Dekadencë totale e shpirtit rilindës të Evropës”, përfundon akademikja Qllavkova!
A e di kjo antishqiptare e përbetuar se në kohën kur po “piqej” intelektualisht, populli shqiptar në Republikën Socialiste të Maqedonisë po privohej nga e drejta për ta lexuar Kadarenë, Agollin, Spahiun, London e shumë të tjerë, për të parë drama e filma shqiptarë, për të dëgjuar këngë klasike e popullor shqiptare! A nuk kishte ndodhur po kështu (si në Maqedoninë e saj) edhe nga ana e nacistëve?!
Pse bëhet “franceze” Qullavkova dhe me kaq lehtësi morale flet për një “ndalesë e bojkot”, ndërkohë që politikat popullore antishqiptare të popullit të vet, kishin ndaluar mbi 500 këngë shqiptare dhe i mbanin në “bunkerin e RTVM”! Për një këngë, për një libër apo më vonë, për një videokasetë me ndonjë dramë shqiptare, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dënoheshin me nga 10-15 vite burg! A nuk është raciste edhe qëndrimi i saj “shtetëror” kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe! Ndalimi i librit shqip në kufirin maqedonas, i librit që vjen nga Shqipëria apo Kosova, e që mund të jetë vepër e autorit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, a nuk është “politikë naziste” të cilën aq mirë po e njohka Qullavkova?!
Akademik Katica Qullavkova kurrë nuk e tha një fjalë kundër diskriminimit “nazist” që iu bë e që vazhdon t’i bëhet shqiptarëve në rrafshin kulturo në Maqedoninë e Veriut; zonja Qullavkova kurrë nuk e shprehi një protestë kundër “vjedhjeve historiko-kulturore” ku u përfshi edhe ajo për krijim të një identitet artificial “maqedonas antikë”!
Katica Qullavkovës po i qanë xhani për kulturën ruse në kohën kur “pjesëtarët” e po kësaj kulture po vrasin foshnje, pleq e plaka ukrainase, në kohën kur po përdhunojnë gra e vajza ukrainase, në kohën kur po i kanosen botës me përdorimin e raketave bërthamore, për shkatërrimin e çdo gjëje të gjallë dhe çdo vlerë kulturore në botë! Ç’rëndësi paskan vlerat e kulturës ruse nëse përfaqësuesit e sotëm të kësaj kulture i kanosen kulturës botërore! Mos të derdhë lot krokodili Katica Qullavkova, por le të pozicionohet haptazi në krah të Putinit! As nuk diskreditohet e as nuk komprometohet. Ngelë po ajo që ishte, që është e që do të mbetet përherë, e komunitetit pseudo! /HEJZA/