Në ditën e dytë të qëndrimit në Washington D.C., Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Albin Kurti është takuar sot me senatorin Chris Murphy. Sipas njoftimit, Murphy i ka thënë Kurtit se ka kompani të teknologjisë së informacionit që janë të interesuara të investojnë në Kosovë.
“Në Washington D.C., ata vazhduan diskutimet për tema dhe çështje që kremtojnë por edhe synojnë avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve të veçanta ndërmjet vendeve tona. Kryeministri Kurti e njoftoi senatorin Murphy për vendimin e fundit të Qeverisë për vendosjen e sanksioneve shtesë dhe në përputhje me paketën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ndaj Federatës Ruse. Duke folur për vizitën e tij atje, kryeministri Kurti foli edhe për takimet me investitorë potencialë, me theks te ata të fushës së Teknologjisë së Informacionit”, thuhet në njoftim.
Në komunikatën e kryeministrisë thuhet se senatori Murphy i uroi mirëseardhje Kurtit në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe “tha se vizita e tij dhe takimet e shumta janë rikujtim i marrëdhënieve të pathyeshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës”.
“Ai gjithashtu e njoftoi kryeministrin se reputacioni i Kosovës në sektorin e teknologjisë së informacionit është në rritje e sipër dhe ka cituar interesimin e kompanive të këtij sektori për të investuar në Kosovë”, thuhet në fund.