Botapress 1 Maj – Një variant i koronavirusit, i identifikuar në Indi, është duke u hetuar nga shkencëtarët në gjithë botën, gjë për të cilin infektologët kosovarë paralajmëruan se shumë shpejt do të vijë edhe në Kosovë.
Sot gjatë ditë Infektologu i Klinikës Infektive, Sali Ahmeti tha se edhe Kosova mund të preket me këtë lloj të COVID-19. Sipas tij, edhe ky mutacion i ri nuk ka ndonjë problematikë që e dallon prej dy varianteve të mëhershme.
Çfarë është varianti indian i koronavirusit?
I ashtuquajturi variant indian i virusit Covid-19 është zbuluar në të paktën 17 vende në botë. Mutacioni i virusit që po gjunjëzon Indinë dhe deri më tani të panjohur, i quajtur ndryshe varianti B.1.617, është zbuluar në mbi 1 200 sekuenca të ngarkuara në bazën e të dhënave ndërkombëtare Gisaid, tregon OBSH.
Vendet ku është zbuluar më shpesh janë India, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Singapori, por edhe në Belgjikë, Zvicër, Greqi dhe Itali.
Varianti B.1.617, i cili ka një numër të “nënvarianteve” deri më tani është klasifikuar si një mutacion me interes, por ende jo shqetësues, i cili do ta etiketonte atë si më të rrezikshëm se virusi origjinal, pasi është më ngjitës, më vdekjeprurës, ose rezistent ndaj vaksinave.
Shkencëtarët nuk e dinë ende nëse ky variant është më infektues apo më rezistues ndaj vaksinave dhe nuk dihet sa është përhapur dhe nëse është duke nxitur valën e dytë të pandemisë edhe në vetë Indinë.
Mjeku Jeremy Kamil, virolog në Universitetin shtetëror të Luizianës, ka thënë se një nga mutacionet është i ngjashëm me ato që janë parë në variantet e identifikuara në Afrikën Jugore dhe Brazil.
Ky mutacion mund t’i ndihmojë virusit që t’iu shmanget antitrupave në sistemin imunitar, të cilat mund të luftojnë koronavirusin, bazuar në përvojën nga infektimet paraprake apo vaksina. Pjesa më e madhe e të dhënave rreth variantit indian nuk janë të kompletuara, kanë thënë shkencëtarët, pasi shumë pak mostra janë marrë – 298 në Indi dhe 656 në gjithë botën, në krahasim me më shumë se 384,000 mostra të variantit britanik.
India ka raportuar rreth 200,000 raste ditore të infektimit me koronavirus prej 15 prillit – shumë më tepër sesa 93,000, shifra më e madhe ditore që ka regjistruar vitin e kaluar.
Numri i viktimave është duke u rritur po ashtu. Shkencëtarët besojnë se vaksinat ekzistuese do të ndihmojnë në kontrollimin e këtij varianti, kur është fjala për parandalim të simptomave të rënda të sëmundjes.
Disa variante pashmangshëm do t’iu ikin vaksinave aktuale, sipas një punimi të publikuar në revistën Nature, nga profesori Gupta dhe kolegë të tij.