Deklaratat se nëpër borde nuk do të emërohen njerëz me libreza të partisë, duket se nuk po vlejnë.Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës janë emëruar disa borde të ndërmarrjeve publike. Në mesin e tyre, u emërua edhe bordi i Kompanisë së Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor.
Në mesin e kandidatëve që u emëruan është edhe Feim Fetoshi, raporton Nacionale.Ai ishte prezantuar në vitin 2019 nga kryeministri Kurti, si anëtar i Vetëvendosjes.
“Feim Fetoshi nga fshati Fortesë i Rahovecit i bashkohet VETËVENDOSJE!-s. Feimi është Inxhinier i Teknologjisë dhe Bioteknologjisë me studime të përfunduara në Universitetin e Prishtinës dhe në Zvicër. Me një praktikë profesionale në EZH të Zürichut dhe koncernin Pharmacia të Freiburgut, ai ka kontribuar në Simpoziumin e parë të vertarisë dhe vreshtarisë së Kosovës”, thuhej në postimin e Kurtit.
Feim Fetoshi për disa vite ishte kryetar i Degës së AAK-së në Rahovec dhe asamblist i këtij subjekti në Kuvendin e Komunës së Rahovecit. Pastaj, ai kishte aderuar në PDK për t’u bërë fillimisht drejtor i Shërbimeve Publike dhe më vonë drejtor i Bujqësisë në kohën e qeverisjes së Idriz Vehapit. Në zgjedhjet lokale në Rahovec, ai është parë në përkrahje të kandidatit të LDK-së, Ibrahim Kryeziu, ndërkaq në zgjedhjet e fundit parlamentare të viti 2019, Fetoshi ka përkrahur Lëvizjen Vetëvendosje, në tubimet e së cilës ka marrë pjesë aktivisht./Botapress.info/