Presidentia Vjosa Osmani, në seancën solemne të Kuvendit për 14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit pati një përgjigje për ata që pyesin se pse Kosova merret me situatën në Ukrainë, raporton Gazeta Botapress.
Ajo theksoi kërcënimin e lirisë që vjen nga Rusia, e cila po e synon globin, përtej Ukrainës dhe po e përdor në Ballkan Serbinë si aleatin tradicional.
“Liria kërkon edhe mirëmbajtje. Gjithmonë ka forca destruktive që e cenojnë atë. Sot Kosova e rajoni, por edhe i gjithë globi po përballet me rreziqe nga Rusia… Përpjekje të tilla i dënojmë fuqishëm, siç dënojmë edhe kërcënimin e hapur dhe tendencën për pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Kjo përplasje nuk është vetëm një luftë midis dy shteteve, por edhe përpjekje për krijimin e një rendi të ri botëror”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se Rusia synon ta krijojë një lloj tjetër të funksionimit global.
“Për të gjithë ata që pyesin pse Kosova merret me Ukrainën sot, po ua jap një përgjigje nëpërmjet deklaratës së Përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, i cili tha: Kjo krizë është shumë më e madhe sesa një krizë në Ukrainë. Kjo ka të bëjë me llojin e botës në të cilën duam të jetojmë. Një botë në të cilën tanket dhe raketat e një fqinji të fuqishëm mund të vendosin fatin e një vendi fqinj, apo një botë në të cilën qytetarēt lirshëm zgjedhin të ardhmen e vendit të tyre. Kosova ka vendosur se në cilën anë është, prandaj Kosova fuqishëm edhe sot qëndron me aleatët e saj në anën e demokracisë”, tha Osmani.