Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje mund të përballet me greva e protesta dhe krejt kjo si shkak i Ligjit të ri të Pagave.
Ligji, hartimi i të cilit udhëhiqet nga Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk është përfunduar. Madje, zyrtarisht ende nuk dihet asgjë për të rreth koeficientëve, vlerës së tyre ose ndryshimit që do të pësojnë pagat në sektorin publik, përveç një drafti të publikuar në media, e të mohuar nga MPB-ja, shkruan Botapress.info
Por, sindikatat nuk po rrinë duarkryq. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka paralajmëruar greva të përgjithshme në tërë sistemin arsimor në rast se kërkesat e punëtorëve të arsimit nuk merren parasysh nga Qeveria e Kosovës.
Vendimi pritet të merret më 2 prill, kur do të mbahet mbledhja e delegatëve të Kongresit të kësaj sindikate.
Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për lajmi.net, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili tha se sistemi arsimor rrezikohet të shkojë në grevë, si pasojë e mosgatishmërisë se qeverisë për zgjidhjen e kërkesave të sindikatës dhe mos publikimin e versionit final për Ligjin e Pagave.
Mes tjerash, ai bëri të ditur se për të ndërmjetësuar një takim me kryeministrin Albin Kurti, i janë drejtuar me një letër presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.
“I kemi dërguar letër Presidentes dhe kryetarit të Kuvendit që ata të ndërmjetësojnë te Qeveria që të kemi dialog gjatë kësaj jave. Kërkojmë që Qeveria të bëjë një shtesë prej 100 euro për të gjithë punëtorët e arsimit, që nga çerdhet deri në universitet ngase kemi rritje të vazhdueshme të rritjes së çmimeve në produkte ushqimore”, u shpreh kryetari i SBASHK-ut.
Jasharaj theksoi se “çdo gjë që do të ndodh në sistemin arsimor pas datës 2 prill, fajtori i vetëm do të jetë Qeveria Kurti”.
Në anën tjetër, më 8 prill pritet që edhe sindikata të tjera të fillojnë me protesta në rast se Qeveria e Kosovës nuk e harton Projektligjin për Pagat.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, në një prononcim për lajmi.net tha se të martën është takuar me federatat sindikale dhe se janë pajtuar që nëse qeveria nuk reflekton, do të fillojnë me protesta, për të vazhduar pastaj me veprime të tjera sindikale.
“Nga qeveria ende nuk kemi një përgjigje për Ligjin e Pagave, kështu që sot kam pasur një takim me federatat sindikale dhe kërkesë prapë për takim me qeverinë, por nëse kjo nuk pranohet do të fillojmë me protesta. Kështu që më 8 prill do të kemi protestën e parë. Kemi bërë kërkesë për takim me kryeministrin, por jemi në pritje sepse nuk kemi marrë përgjigje. Do të fillojmë me protesta, pastaj mund të ndërmarrim edhe veprime të tjera”, deklaroi Hykolli.
Mes tjerash, ai përmendi tri kërkesat kryesore të tyre; ndarjen e shtesave prej 100 eurosh për të gjithë punëtorët e sektorit publik deri në hartimin dhe fuqizimin e Ligjit të Pagave, ndryshimin e skemës pensionale si dhe Ligji për sigurimin shëndetësor, i cili ende nuk është funksional.
Se do të ndërmarrin veprime sindikale kanë paralajmëruar edhe nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe ajo e Policisë së Kosovës, por nuk kanë përmendur protestat.
Blerim Syla, kryetar i FSSHK-së, deklaroi për lajmi.net se pas datës 7 prill, kur do të mblidhet kongresi i federatës, do të dalin me një deklaratë publike.
Por, gjithsesi tha se veprimet do t’i koordinojnë me të gjitha sindikatat dhe “reagim do të ketë”.
“Nuk mund të flasë njëherë se çfarë veprime do të ndërmarrim, por pas datës 7 prill do të dalim me një deklaratë sepse në këtë datë është kongresi i federatës, por gjithsesi veprimet do t’i koordinojmë me të gjitha sindikatat dhe reagime do të ketë”, tha Syla.
Ndërsa, Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, tha se janë në pritje të përgjigjes nga ana e qeverisë lidhur me kërkesat e tyre, por nëse një gjë e tillë nuk ndodh, “sigurisht që do të veprojmë”.
“Presim që këtë javë të marrim përgjigje për kërkesat tona dhe pa marrë përgjigje nuk mund të them asgjë. Por, presim të shohim se a janë bërë disa ndryshime që kemi kërkuar në Ligjin e Pagave dhe mandej do ta thërras këshillin drejtues të PK-së e do të diskutojmë për hapat e mëtutjeshëm, por do të presim deri në fund të kësaj jave dhe nëse vërtetë nuk kemi diçka konkrete apo ka diçka të papranueshme, sigurisht se do të veprojmë”, u shpreh Zeqiri. /Botapress.info/