Kosova bëri hapa për ta shtensionuar veriun sipas një marrëveshje të arritur mes Kryenegociatorit Besnik Bislimi dhe Emisarit Miroslav Lajçak , por BE-ja nuk po i konsideron të mjaftueshëm për t’ia hequr sanksionet. Diplomacia e BE-së ka shkuar në pushime me njoftimin se kthehen në fund të gushtit. Edhe Kryenegociatori Besnik Bislimi është i habitur që BE-ja nuk tha asgjë për heqjen e masave siç i quajnë të dyja palët.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme njoftoi gazetarët se kryediplomati Joseph Borrell po shkon në pushim dhe do të rishihen në fund të gushtit.
Rasti “Subvencionet 3”, dështon të nisë gjykimi pasi munguan njëri i akuzuar dhe avokati i tij
I bie që udhëheqja e politikës së jashtme të BE-së mori pushimin e verës, pa një përgjigje për sanksionet që i janë vënë Kosovës në fund të qershorit, si masë ndëshkuese për Qeverinë që s’pranonte propozimet e BE-së për shtensionimin e situatës në veri.
Me 10 korrik, Kosova arriti një marrëveshje me BE’në në Bratisllavë të Sllovakisë. Në bazë të saj ka filluar largimi i pranisë së njësive speciale nga objektet e komunave veriore, por kjo është duke shkuar ngadalë, pasi në dy javët e parë do të tërhiqen vetëm 25 përqind e tyre. Pas dy javësh do të bëhet një vlerësim i ri nga Policia, EULEX dhe KFOR për t’i tërhequr eventualisht edhe 25 përqind.
Ndonëse ishte thënë se sanksionet ndaj Kosovës ishin të përkohshme, zyrtarët e BE-së, para se të shkonin në pushim, nuk bënë të qartë nëse ato do të largoheshin. Këtë të paqartë e ka edhe kryenegociatori Bislimi.
Pas takimit që pati në Bruksel të mërkurën, ai tha se janë të habitur që Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian ende nuk ka kërkuar që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese.
“Në Bratisllavë kemi dakorduar një marrëveshje që quhet aranzhimet mes Kosovës dhe BE-së për implementimin e qëndrimit e 27 vendeve anëtare të BE-së. Rrjedhimisht titulli i asaj marrëveshje tregon që dakordimi ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së dhe i përgjigjet kërkesave të BE-së. Për ne ka qenë e qartë se kjo është rruga për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Për ne është habi që edhe 8 ditë pas dakordimit në Bratisllavë ende nuk kemi një letër shpjeguese që kërkon heqjen e masave nga ana e Komisionit dhe Bashkimit Evropian” ka thënë Bislimi.
Me këtë paqartësi të krijuar, udhëheqja e diplomacisë evropiane shkoi në pushime.
Profesori Blerim Latifi, që përcjell zhvillimet politike në vend e ka komentuar cështjen e sanksioneve, të cilat nuk u hoqën as pas marrëveshjes.
“Borrelli paska shkuar në pushimin e gjatë të verës. Kjo do të thotë se edhe Dialogu Kosovë- Serbi shkon në pushim. Me gjasë edhe mekanizmi që vendosë për heqjen e sanksioneve që na u vendosën ditë më parë. Pastaj, me ardhjen e shtatorit, rifillojnë vajtje-ardhjet, tashmë të njohura prej vitesh. Vajtje-ardhjet që prodhojnë shumë zhurmë dhe pak rezultate”, ka shkruar Latifi në Facebook.