Policia e Kosovës, sot në ora 18:17, në Prishtinë, ka ndërmarrë një operacioni taktik të koduar me emrin “MARSI”, ku është arritur të ndalohen katër persona të dyshuar të cilët ishin duke shkëmbyer substancën narkotike të dyshuar e llojit marihuanë me peshë 114 gram.
Siç thuhet në njoftimin e Policisë, substanca është gjetur tek i dyshuari me iniciale A.H., ndërsa tre personat tjerë dyshohet se kishin qellim blerjen e substancës.
Gjithashtu është kryer kontrollimi i banesës së të dyshuarit dhe gjatë kontrollimit janë gjetur dhe konfiskuar 2 kg e 158 gramë substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe 1 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar Departamenti i Krimeve të Rënda dhe me urdhër të Gjyqtarit të procedurës paraprake është bërë kontrollimi i banesës se dytë ku është gjetur dhe konfiskuar 240 gr. substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë.
Tutje, policia bën të ditur se në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dhe sekuestruar: substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë gjithsej: 2 kg e 512 gr, substancë e dyshuar narkotike të llojit kokainë 1 gr, dy peshore digjitale, katër telefona celular dhe 670 euro.
Në këtë rast, me urdhër të organeve të drejtësisë është realizuar edhe kontrollimi i një shtëpie në Gjilan, por nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
“Me vendim mbi ndalimin, personave, të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, dhe rasti vazhdon të hetohet nga sektori qendror i antidrogës së Policisë së Kosovës”, thuhet në kumtesën e Policisë dërguar mediave.
“Një orë më vonë hetuesit e antidrogës në një rast tjetër po ashtu në Prishtinë kanë arrit ta arrestojnë edhe një person tjetër të dyshuar (K.A.) për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge dhe të konfiskohen dëshmi relevante për rastin”, përfundon komunikata e Policisë së Kosovës.