Pesë policë kanë marrë lëndime të lehta dhe katër automjete zyrtare janë dëmtuar gjatë ditës së djeshme në veri.
Në njoftimin e fundit që ka lëshuar Policia e Kosovës thuhet se lëndimet e policëve kanë ardhur pasi protestuesit kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare\
KFOR-i e cilëson si të dhunshme hyrjen e kryetarëve në zyra – situatë tejmase e rrezikshme
Sipas Policisë, janë dëmtuar tri vetura të EULEX’it dhe disa vetura civile, përfshirë edhe ato të gazetarëve.
“Si pasojë e sulmeve pesë (5) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, janë dëmtuar katër (4) automjete zyrtare, njërës prej tyre iu ishte vënë zjarri duke u dëmtuar në tersi, janë dëmtuar disa vetura civile përfshirë të gazetarëve, si dhe tri (3) vetura të EULEX-it. Po ashtu në disa raste në lokacione të ndryshme janë dëgjuar të shtëna me armë, për të cilat po kryhen hetime në bashkëpunim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Në njoftim, Policia ka bërë me dije se ka larguar mjetet transportuese që ishin vendosur nëpër rrugë, në formë barrikadash.
“Individë/grupe të caktuara kriminale, përveç sulmeve ndaj zyrtarëve dhe mjeteve, kanë tentuar të bllokojnë rrugë të ndryshme me zhavor/gurë dhe mjete të rënda transportuese. Policia e Kosovës me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, ka marrë masa për largimin e tyre dhe pastrimin e rrugëve në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente. Mjetet transportuese janë larguar, rrugët janë të lira për qarkullim, përderisa Policia e Kosovës ka angazhuar njësitet e saja për hetime dhe veprime të mëtejme policore”, thuhet në njoftim.
Rasti është cilësuar si “Cenim i Rendit Kushtetues & Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm & Dëmtim Asgjësim i Pasurisë”.