Gazetari Berat Buzhala, ditën e djeshme publikoi një video dhe një shkrim duke komentuar, sipas tij mbrojtjen e pushtetit ndaj ushtruesit në detyrë të Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendit dhe mënyrën se si pushteti po e sulmon prokurorin Blerim Isufaj.
Ndërsa tregon për të kaluarën e Isufajt dhe Kelmendit, ku i pari ka qenë ushtar i UÇK-së ndërsa Kelmendi, ish-bashkëpuntor i prokurorisë së Serbisë gjatë viteve 90, pra regjimit të Millosheviçit, në videon e sotme, Buzhala i është përgjigjur një reagimi të Këshillit Prokurorial të Kosovës ndaj komenteve të tij në lidhje me dy personat e lartpërmendur.
“Të dy këta janë prokurorë tash e disa vjet. Dallimi është që njani është kanë në UÇK e tjetri pjesë e aparatit të shtetit të Sllobodan Millosheviçit. Dallimi tjetër është se njanin ish-ushtarin e UÇK-së e sulmon politika, Kurti me të vetët, kurse tjetrin ish-bashkëpuntorin e regjimit të Millosheviçit, po e trajtojnë me mirsjellje dhe dashuri, anipse të dy kanë qenë pjesë e Prokurorisë për këto dy dekada,”- thotë Buzhala në videon e fundit, duke mbrojtur qëndrimin e tij.
Ai tutje thotë se, “Kurti kur dëshiroi me sterotipizu dështimin e prokurorisë së pasluftës, nuk e ilustron këtë dështim me ish-bashkëpuntorin e regjimit, qysh e ka bo përpara me të tjerët, po me ish-ushtarin e UÇK-së.”
Më tej Buzhala tregon se ai nuk ka asgjë personale me Besim Kelmendin, ndërsa flet për mbështetjen që Kelmendi ka pasur nga ndërkombëtarët.
“Pra unë nuk e kisha me Besimin si person i përveçëm, por me ‘Besimat’ si fenomen, qysh në qeverisjen e Kurtit po përfitojnë e po rriten, se Kurtit po i leverdis me i pasë këta tipa afër, që nuk kanë shtyllë kurriozore dhe ndihen inferiorë ndaj kujtdo që e ka qitë një tullë në çlirimin e Kosovës,”- shprehet Buzhala.
Tutje ai flet për reagimin e KPK-së ndaj qëndrimeve të tij në raport me Kelmendin, duke treguar se çka s’është në rregull me atë reagim. Ndërsa lexon reagimin, ku thuhet se Buzhala ‘po tenton ta njollosë pa të drejtë profesionalizimin e Kelmendit’, e shtohet se shkrimet e tij janë qëllimkëqija, Buzhala e cilëson një reagim skandaloz.
“Po dojnë me thanë Kelmendi ka punu në atë kohë me i ndihmu kauzës (shqiptare). Për mua ky reagim është skandaloz. Krejt KPK po gënjen,”- thotë Buzhala.
Në videon bashkangjitur mund të ndiqni fjalën e plotë të Buzhalës në lidhje me reagimin e KPK-së ndaj tij.