Përpjekjet e kombinuara të Kosovës për shkëputje nga Jugosllavia

Që prej momentit të shpërbërjes së Jugosllavisë, një sërë parimesh dhe normash që konsiderohen të rëndësishme për ruajtjen e rendit ndërkombëtar dhe paqen duket se kanë ndikuar politikat dhe masat e aplikuara nga diplomacia ndërkombëtare ndaj çështjes dhe më vonë pavarësisë së Kosovës.

Përpara fillimit të luftës, rol të rëndësishëm në rastin e Kosovës luajtën Konferenca mbi Jugosllavinë dhe Komisioni Badinter, i cili negocioi shpërbërjen e Jugosllavisë; Marrëveshja në Dayton që i dha fund luftës së Bosnjës; Bisedimet në Rambujesë (Rambouillet) midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës me ndërmjetësinë e diplomacisë ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje për statusin e Kosovës

1991 – Komisioni Badinter

Konferenca e Paqes mbi Jugosllavinë, organizuar në gusht të vitit 1991 themeloi Misionin e Komunitetit Europian të Monitorimit dhe Komisionin e Arbitrazhit, i njohur ndryshe si Komisioni Badinter, me autoritet për të negociuar zgjidhjet e mundshme në kuadrin e shpërbërjes së Jugosllavisë.. Çështjet kryesore, me të cilat u mor Komisioni, ishin përcaktimi “i qëllimit të parimit të vetëvendosjes; raporti i këtij parimi me një tjetër parim po aq të rëndësishëm e themelor siç është parimi i qëndrueshmërisë së kufijve; dhe së fundi roli që mund të luajë një organ ndërkombëtar arbitrimi në raste të tilla”

Dokumente kryesore që dolën nga Konferenca: Deklarata dhe Udhëzuesi për Njohjen Ndërkombëtare, të cilat u zbatuan nga Badinteri. Sipas këtyre dokumenteve u vendosën rregulla që favorizonin Republikat si shtete pasuese të Jugosllavisë, të mos ishin më nën kontrollin efektiv të qeverisë federative të Beogradit, duke lënë jashtë këtij diskutimi problemin e kombësive dhe grupeve të veçanta etnike. Kështu, nga fundi i vitit 1991, përveç Serbisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Vojvodinës, pjesa tjetër e Jugosllavisë ishte pak a shumë nën kontrollin e autoriteteve të reja.

Në rastin e Kosovës, shqiptarët mund të synonin të realizonin njohjen e kombësisë së tyre, sikundër edhe të drejtat e tyre qytetare dhe politike brenda shtetit serb, që ndryshe u quajt vetëvendosje e brendshme. Kjo zgjidhje u ofrua për të gjithë grupet etnike brenda Republikave të Federatës Jugosllave.

Komisioni Badinter theksoi qartë se vetëm nëpëmjet njohjes ndërkombëtare të ish-kufijve administrativ si kufij ndërkombëtarë, mund të shmangen konfliktet dhe luftërat për territore.

Letra e qeverisë së Republikës së Kosovës drejtuar Brukselit

Në dokumentin “Letra e Qeverisë së Republikës së Kosovës drejtuar Mbledhjes së Jashtëzakonshme Ministrore të Komitetit Politik Europian (EPC) në Bruksel, 21 dhjetor 1991” , udhëheqja e shqiptarëve të Kosovës argumentoi se, brenda kuadrit të Kushtetutës së vitit 1974, Kosova gëzonte të drejta të barabarta përfaqësimi në nivelin federal me Republikat e tjera, ndonëse kishte statusin e një Krahine Autonome. Duke u bazuar mbi këtë argument u kërkua që Kosova të konsiderohej ashtu si Republikat e tjera, një njësi përbërëse e Federatës Jugosllave. Me gjithë kërkesën e udhëheqjes së shqiptarëve, Komisioni Badinter vendosi të mos e pajisë me sovranitet Kosovën, pasi raste të tilla të ngjashme nuk u negociuan në kuadrin e shpërbërjes së Jugosllavisë as në rastin e Republikave të tjera.

Marrëveshja në Dayton (1995-1998)

Menjëherë pas spastrimit etnik të Kosovës, pasoi agresioni serb i intensitetit më të lartë ku filloi me ndarjen e Sllovenisë (1990-1991), më pas me Kroacinë, të cilët agresorët serbë brenda një kohe relativisht të shkurtër ia pushtuan gati dy të tretat e territorit (1991), pastaj me agresionin në Bosnjë e Hercegovinë (1992-1996). Serbët shpallën “pavarësinë e republikës” së tyre dhe brenda pak muajve, serbët arritën të spastronin etnikisht gati 70% të territorit të Bosnjë-Hercegovinës duke siguruar në këtë mënyrë bazën territoriale për “shtetin” e tyre të ri.

Kështu, me të gjitha këto ngjarje që po ndodhnin, SHBA e kuptuan që të gjitha përpjekjet për ndalimin e tyre nga BE apo Kombet e Bashkuara nuk do të kishin sukses nëse nuk merrnin përsipër procesin e negociatave. Në këtë rast u nënshkrua marrëveshja e paqes ndërmjet dy palëve më 21 nëntor 1995, ndërsa zyrtarisht kjo marrëveshje u nënshkrua në një ceremoni në Paris më 14 dhjetor 1995. Dokumenti përfshinte se si do të ruhej paqja, përfshinte aspekte ushtarake, stabilizimin rajonal, kushtetutën, kufijtë ndër-entitar, refugjatët e të tjerë.

Mirëpo, rastin e Kosovës nuk e mori në konsideratë as kjo marrëveshje pasi Milosheviçi ishte prezent si përfaqësues i njërës prej palëve ndërmjetësuese të kompromisit të paqes si dhe në Kosovë nuk kishte ende luftë prandaj nuk ndihej nevoja që të merreshin me këtë çështje.

Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, Millosheviçi nuk u fajësua për politikën e tij të ashpër me implikime serioze ndaj të drejtave të njeriut në Kosovë. Përkundrazi, ai u vlerësua si një paqebërës dhe garantues i Marrëveshjes Dayton, e cila bëri të qartë se Kosova është një çështje e politikave të brendshme të Jugosllavisë.

Pas Marrëveshjes së Daytonit, Ibrahim Rugova, presidenti i Republikës së Kosovës së vetëshpallur, vazhdoi me politikat e tij paqësore të negociatave, 12 VITE vazhdoi të mbante kursin e politikës paqësore, e cila shkonte krah për krah me faktin se asokohe popullsia shqiptare e Kosovës qe thuajse krejtësisht e paarmatosur, si edhe me faktin se asokohe Shqipëria nuk jepte shenja përfshirjeje si palë konflikti në Kosove.

Duke u përballur me këto zhvillime, në shkurt 1996 UÇK kishte filluar me sulmet e para kundër stacioneve policore dhe përfaqësuesve të Jugosllavisë së cunguar, kështu që qeveria e Beogradit shtoi numrin e forcave të saj të sigurisë në Kosovë. Në prill 1996, UÇK-ja bëri lëvizjen e saj të parë, duke vepruar në katër vende të ndryshme: Pejë, Stimlje, Deçan dhe në rrugën Kosovë-Mitrovicë- Pejë, ku u vranë 5 serbë. Duke e parë nga ky këndvështrim, shihet qartë se as kjo marrëveshje nuk ishte në favor të Kosovës.

Shpërthimi i luftës në Kosovë

Lufta e Kosovës ishte një konflikt i armatosur i cili filloi në muajin shkurt të vitit 1998 nga agresioni serb. Pushtuesit serb filluan ofensivën në Drenicë kundër popullatës së paarmatosur dhe të pa mbrojtur me pretekst se shqiptarët nuk po e njohin shtetin serb dhe se operacionet i kishin drejtuar gjoja kundër “bandave terroriste shqiptare”.

Fuqitë e mëdha bënë përsëri përpjekje për të bërë presion mbi pushtetin jugosllav duke kërcënuar me sulme ajrore. Ndërsa, në tetor u arrit një marrëveshje mes emisarit amerikan Richard Holbrook dhe Millosheviçit me disa kushtëzime si psh. të zvogëlohej numri i forcave serbe në Kosovë dhe të gjithë shqiptarët të mbeten nëpër shtëpitë e tyre, sigurisht duke qenë nën vëzhgimin e ndërkombëtarëve. Ditët e fillimit të vitit 1999 treguan me fuqinë e fakteve se kishte mbaruar armëpushimi. Pikërisht në këtë periudhë të një gjendjeje “as luftë, as paqe” ndodhi masakra e Reçakut.

Konferenca e Rambujesë

Masakra e cila ndodhi në fshatin Raçak, ndikoi që të thirret një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, e cila do të mbahej në Rambuje të Francës më 6 shkurt 1999. Grupi i Kontaktit prej 6-anëtarësh shprehu nevojën për mbledhjen e udhëheqësve serbë dhe shqiptarë. Bazë e këtyre bisedimeve ishte një propozim i njohur si plani i Hillit (Kristofer Hill, ish-ambasador amerikan në Maqedoni), i cili kishte bërë përpjekje edhe më parë për negocimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Palës serbe IU THA SE , nëse nuk nënshkruan propozimet, do të bombardohej, ndërsa shqiptarëve u tha se, nëse nuk nënshkruanin do t’i linin në duart e serbëve. Delegacionin shqiptar e përbënin: UÇK-ja, kryesuese e delegacionit; LDK-ja dhe LBD-ja. Grupi i Kontaktit nuk lejonte një shqyrtim për pavarësinë e Kosovës.

Madeleine Albright e cila u imponua shpejt në krye të Grupit të Kontaktit, ishte e mendimit se Kosova do të mbetej krahinë e Jugosllavisë mirëpo do të gëzonte një “autonomi substanciale”, do të mbaheshin zgjedhje demokratike për një “qeveri krahinore”, çështja e pavarësisë do të diskutohej vetëm në krye të tre vjetëve si dhe Kosova do të pushtohej nga forcat e NATO-s për garantimin e zbatimit të angazhimeve të marra

Pavarësisht nga garancitë e dhëna për sovranitet dhe integritet territorial të Jugosllavisë, autoritetet e Beogradit nuk pranuan ta nënshkruajnë këtë dokument. Regjimi i Millosheviqit vazhdoi fushatën e tij luftarake në Kosovë, nisi ofensivën e madhe të spastrimit etnik duke dëbuar nga shtëpitë e tyre qindra mijëra shqiptarë. Nga frika prej akteve hakmarrëse serbe më shumë se 800’000 njerëz braktisën vendlindjen e tyre dhe shpëtuan kokën në Shqipëri dhe Maqedoni.

Të nesërmen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, më 24 mars i filloi bombardimet mbi caqet e ushtrisë serbe në Kosovë dhe Serbi Madje pa mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi  Kina dhe Rusia, duke pasur parasysh problemet e tyre, nuk mbështetën një vendim të tillë. Nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, për rreth 72 ditë bombardime, u kryen 2300 sulme ajrore, u hodhën 22 mijë tonë eksploziv kundër 8 pikave në Serbi dhe 70 në Kosovë,

Millosheviçi më në fund u detyrua të dorëzohej. Forcat e armatosura serbe filluan të tërhiqeshin më 10 qershor 1999.  Po këtë ditë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244 e cila parashikonte vendosjen e NATO-s për t’i bindur ushtrinë dhe policinë serbe të mos ktheheshin më në Kosovë.

Kështu, Kosova u vendos nën administrimin e përkohshëm të OKB-së, territori i së cilës drejtohet qysh nga viti 1999 nga një institucion i OKB-së, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa KFOR ishte forca kryesore ushtarake e sigurisë.

Shkatërrimi i Jugosllavisë, i cili filloi me Kosovën në vitin 1989, pas dhjetë viteve plot vuajtje çoi në shkëputjen faktike të Kosovës nga Serbia. Kështu, sapo u kthyen refugjatët, Kosova iu përvesh punës duke mjekuar plagët që kishte marrë dhe filloi rindërtimin. Me ndihmë dhe me përpjekje për vendosjen e një demokracie pluraliste, e cila do të ndihmonte në drejtimin e vendit së bashku me nëpunësit ndërkombëtarë të UNMIK-ut dhe KFOR-it./Botapress.info/

ngjashme