Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara për vitin 2022, Kosova do të humbasë 50 % të popullsisë deri në fund të këtij shekulli. Sipas të njëjtit burim, fatin e njëjtë do ta kenë edhe Letonia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Lituania, Armenia, Maqedonia e Veriut dhe Polonia. Përgjatë këtyre viteve këto shtete pritet të humbin 40 deri në 50 % të popullsisë, shkruan N1, transmeton Express.
Këto të dhëna i ka bërë të ditura përfaqësuesi i Fondit të OKB-së për Popullsinë në Bosnje e Hercegovinë, John Kennedy Mosoti.
“Analiza e gjendjes së popullsisë konfirmoi se Bosnja dhe Hercegovina është një vend me shkallën më të ulët të lindjeve në botë (1.25), me nivel të lartë migrimi dhe plakjeje të popullsisë, si dhe me pabarazi gjinore të rrënjosur thellë. Deri në vitin 2070, tendenca të tilla demografike dhe pabarazi do të çojnë në një reduktim të popullsisë së përgjithshme me më shumë se 50 për qind, ndërsa struktura demografike do të anohet drejt një popullsie më të vjetër”, ka thënë Mosoti.
Ai theksoi se “sektorët që janë kyç për zhvillimin socio-ekonomik të vendit, si arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale, do të jenë në rrezik serioz kolapsi, ndërsa tregu i punës do të përballet me mungesën e punëtorëve dhe ekspertëve të kualifikuar”./Botapress.info/