Skemat sociale u dyfishuan për 60 ditë. E nga 100 euro shtesë u ndan për pensionistët. Skemat sociale u dyfishuan për 60 ditë. E nga 100 euro shtesë u ndan për pensionistët.
Krejt këto vendime Qeveria i mori pas rundit të parë të zgjedhjeve më 17 tetor, nga i cili Vetëvendosje – partia që udhëheq me të – nuk arriti ta fitojë asnjë komunë pa balotazh. Opozita po e akuzon se po e bën këtë për qëllime elektorale të saj në prag të rrethit të dytë zgjedhor më 14 nëntor.
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi e cila njëherësh është edhe anëtare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, thotë për “Front Online” se pavarësisht përpjekjeve, subjekti qeverisës nuk do t`ia arrijë qëllimit.
“Qëllimi i VV-së është t`u u marrë me punësime me fitu komuna më shumë, por ka me kanë e kot. Përpos Gjilanit, komunat tjera kot e ka. VV gjithmonë i ka kritiku qeveritë tjera për nepotizëm, por krejt vetë po i bën këto. Ajo po e vlerëson vetën në këtë mënyrë”, theksoi ajo.
Njëjtë mendon edhe deputeti tjetër opozitar, Ferat Shala i PDK-së.
Shala i cili është Kryetar i Komisionit për Ekonomi thotë se elektorati nuk mund të mashtrohet më.
“Qeveria e ka shtuar aktivitetin për hapjen e konkurseve të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve tjera. Krejt këto janë në funksion të fushatës elektorale të balotazhit. VV është në panik të madh elektoral, po mundohet me harrnu këtë me hapjen e konkurseve. Elektorati ynë nuk mund të mashtrohet. Ka një kulturë të lartë të vetëdijesimit”, theksoi ai.
Front Online ka provuar të marrë një qëndrim nga Vetëvendosje lidhur me këto pretendime të partive, por gjatë ditës ka munguar përgjigjja.
Të tri këto parti, VV-PDK e AAK do të përballen mes vete në balotazh në disa komuna.
Nga rezultatet e fundit të (KQZ) del se, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka fituar asnjë komunë në raundin e parë, por do të shkojë në balotazh në 12 komuna në nivel vendi.
Ajo do të garojë në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Shtime, Gjakovë, Rahovec, Fushë Kosovë, Podujevë, Kaçanik, Obiliq, Viti dhe Kamenicë.
Në anën tjetër, PDK-ja është në balotazh në tetë sosh, Prizren, Drenas, Vushtrri, Shtime, Dragash, Malishevë, Kaçanik dhe Klinë.
E AAK në pesë, Gjakovë, Klinë, Junik, Istog e Rahovec./Botapress.info/