Rundi i ardhshëm i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mbahet më 2 maj në Bruksel. Temë e atij takimi, siç u paralajmërua, do të jetë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Një nga pikat e marrëveshjes së arritur në Ohër është obligimi i Kosovës që të fillojë të sigurojë nivelin e duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme nga dialogu.
Edhe pse nuk përmendet në mënyrë eksplicite, kjo pjesë i referohet Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin u ra dakord dhjetë vjet më herët.
Beogradi këmbëngul në një Asociacion me kompetenca të gjera; Prishtina beson se një i tillë do të ishte i dëmshëm për funksionalitetin e shtetit.
Zyrtarët serbë e vendosën themelimin e Asociacionit si parakusht për përparimin e mëtutjeshëm të dialogut me Kosovën.
Marrëveshja e Ohrit nuk parashikon njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por garanton të drejta të barabarta për të dyja vendet, respektim të integritetit territorial dhe paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Marrëveshja e obligon, po ashtu, Serbinë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Në dokument nuk përmendet mundësia e njohjes reciproke apo e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara – për të cilat gjëra politikanët kosovarë këmbëngulin publikisht.