Nuk kryen punë presioni i Kurtit dhe nëntë deputetëve të tij, Gjykata vendos kundër Vetëvendosjes

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur kundër kërkesë së asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj projektit të Ndërmarrjes Publike Banesore për ndërtimin e objektit afaristo-banesor në lagjen “Lakrishtë”. Projekt ky që kap vlerën e 120 milionë euro.

Presioni i kryeministrit, Albin Kurti dhe nëntë deputetëve të partisë së tij, Arjeta Fejza, Tinka Kurti, Adnan Rrustemi, Enver Haliti, Luan Aliu, Salih Zyba, Jeta Statovci, Enver Dugolli dhe Arjeta Rexhepi, të cilët ishin të pranishëm në seancën e mbajtur gjyqësore ditë më parë nuk ka kryer punë.

Gjykata, të premten e 21 tetorit e ka cilësuar si të pabazuar kërkesën e Vetëvendosjes, shkruan Gazeta Insajderi.

“Sipas vlerësimit të gjykatës për t’u caktuar masa e sigurisë duhet të bëhet i besueshëm edhe elementi i rrezikut, i venë si kusht i domosdoshëm nga LPK”, thuhet mes tjerash në vendim.

Derisa, tutje në arsyetimin e Gjykatës thuhet se: Gjykata kërkesën për masën e sigurimit duhet ta trajtojë në një mënyre të tillë që të shmanget çdo lloj perceptimi, sipas të cilit gjykata e ka paragjykuar zgjidhjen e çështjes në themel apo nuk është e paanshme në gjykim”.

Partia e Kurtit si palë paditëse pretendon se në mbrojtje të interesit të përgjithshëm duhet të caktohet sa më parë masa e sigurisë, me të cilën ndalohet tjetërsimi i gjendjes faktike dhe juridike të asaj pjese të lagjes “Lakërishtë”.

Lufta’ e Albin Kurtit me Ndërmarrjen Publike Banesore

Kryeministri Albin Kurti më 8 shtator pati bërë një status që lidhje ekskluzivisht me një projekt të Ndërmarrjes Publike Banesore.

Ai e pati akuzuar gjyqësorin se ka heshtur një lëndë për bllokimin e një investimi, që është pikërisht i NPB-së, por e vërteta qëndron ndryshe.

Gazeta Insajderi pati publikuar dokumentet që demantojnë kryeministrin.

Ai tha se Gjykata Themelore të Prishtinës ka heshtur për një muaj ndaj kërkesës së asamblistëve të tij në Prishtinë për masë të sigurisë, për mbrojtje të 17 mijë m2 pronë publike në Prishtinë.

“Masa e sigurisë, analoge me atë të masës së përkohshme, natyra e së cilës kërkon reagim të menjëhershëm të gjyqësorit, mbetet e pa adresuar për 30 ditë me radhë”, ka shkruar Kurti, në profilin e tij në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.

Por, kjo nuk është e vërtetë, pasi Gjykata Themelore e Prishtinës, qysh në shkurt të këtij viti, i ka kthyer përgjigje palës propozuese paditëse, atëherë Qeverisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.

Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, që mban datën 22 shkurt 2022, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi thuhet se: Refuzohet si i pabazuar propozimi për caktimin e masës së sigurimit të paditëses-propozuese Qeveria e Republikës së Kosovës, me të cilën ka kërkuar që të caktohet masa e sigurimit ndaj 17 mijë m2.

Që i bie, se Themelorja e Prishtinës nuk ka heshtur ndaj propozimit të Qeverisë që e ka bërë përmes Avokaturës Shtetërore për vendosjen e masës së sigurisë, por e ka refuzuar atë.

Dy muaj më pas, më 21 prill 2022, kundër kërkesë së Qeverisë për vendosjen e masës së sigurisë kundër investimit milionësh ka vendosur edhe Gjykata e Apelit, duke e vërtetuar vendimin paraprak të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Duke mos i marrë parasysh këto vendime, asamblistët e Kurtit, i janë rikthyer edhe një herë kësaj çështjeje, në gusht.

Por, ligjërisht ata nuk kanë të drejtë që në civile të propozojnë mase sigurie sepse nuk janë palë në proces.

Ndryshe, investimi për të cilin LVV ka ngritur padi kap vlerën e 120 milionë eurove, duke qenë një prej projekteve më të mëdha në Prishtinë, e që është goditur nga Qeveria Kurti.

Me projektin e ri që ka filluar tash e dy disa vjet, ndërmarrjes NPB do të i rritet pasuria për 50%.

Të hyrat vjetore nga qiratë e objektiti shumëkatësh do të rriten për mbi 400%, sipas NPB-së duke rritur kështu fitimin nga qiratë prej 1.2 milionë euro në vit, në 5.1 milionë euro, shkruan Gazeta Insajderi.

Gjykimi për këtë rast kishte nisur ditë më parë, ndërsa aty në rolin e spektatorëve ishin nëntë deputetë të partisë në pushtet.

Sikur Arjeta Fejza, Tinka Kurti, Adnan Rrustemi, Enver Haliti, Luan Aliu, Salih Zyba, Jeta Statovci, Enver Dugolli dhe Arjeta Rexhepi.

Ishte deputetja Kurti ajo që njoftoi publikun për këtë pjesëmarrje, duke thënë se kishin shkuar për rastin e NPB-së “ku pritej të mbroheshin 17 mijë metra katrorë pronë publike”./Botapress.info./

ngjashme