Agron Statovci, familjar i deputetes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtare e partisë “GUXO”, Jeta Statovcit është emëruar të enjten Kryeshef i Ndërmarrjes Publike “TrainKos”.
Paparaci sot gjatë ditës ka raportuar se Statovci është emëruar Kryeshef i Trainkos me vendim unanim të Bordit Drejtues të Ndërmarrjes.
Gazeta ka siguruar vendimin që e bën Kryeshef të kësaj Ndërmarrjeje, familjarin e afërt të deputetes së Listës Guxo në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Z.Agon Statovci Teknolog nëq Tërheqjen e Trenave në Departamentin e Transportit të Udhëtarëve, emërohet Ushtrues i Detyrës së KRyeshefit Ekezkutiv të Hrekurudhave të Kosovës-Trainkos Sh.A”, thuhet në vendim.
Në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ai ka publikuar postime në përkrahje të deputetes Statovci.
Më 5 prill të këtij viti, Agron Statovci e shpërndau një paralajmërim për një paraqitje televizive të kushërirës së tij, të cilës i ofronte përkrahje.
Në të njëjtin publikim, përpos kushërirës së tij, ai i thurte lavde edhe ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila mban përgjegjësi mbi punën e TrainKos. Më 12 prill, ministrja Rizvanolli i kishte propozuar emrat për emërim në bordin e ndërmarrjes, të cilët votuan sot për emërimin e Agron Statovcit.
“Jeta dhe Artana e Kosovës”, kishte shkruar Agron Statovci në mbishkrimin e fotografisë.
Këtë postim, Statovci fshiu nga profili i tij në Facebook disa minuta pas një telefonate me Paparacin, në të cilën mohoi të ketë informata se është emëruar Kryeshef i Ndërmarrjes Publike ‘TrainKos’.
Ai i tha Paparacit se nuk është vënë asnjëherë në dijeni se emri i tij është propozuar për pozitën e kryeshefit të ‘TrainKos’-it.
“Faleminderit kush ta paska dërguar këtë lajm. Faleminderit shumë… nuk po di çka me thënë, inshallah fjala juaj në vesh të Zotit. Besoj që e meritoj, po nuk e di nuk kam asgjë zyrtare”, ka thënë Agron Statovci në një bisedë telefonike me Paparacin. “S’kam asnjë informatë, as s’ka fol kurrkush për emrin tim”.
Agron Statovci e ka pranuar lidhjen e tij familjare me deputeten Jeta Statovci.
“Jetën e kam njëfarë kushërire, por nuk e di çka qon peshë tash kjo punë”, ka thënë ai. “Po sipas logjikës tuaj tash duhet me e mbytë Jetën a qysh? Faleminderit për pyetjet po nuk kam asgjë zyrtare, ditën e mirë”.
Ndërmarrja e hekurudhave ‘TrainKos’ funksionon pa kryeshef tash e një muaj, që prej shkarkimit të ish-kryeshefit Gelor Shala.
Shala ishte kryeshef i ndërmarrjes që nga viti 2014. Ndërsa në vitin 2020 atij i ishte vazhduar mandati edhe për pesë vjet nga bordi i kaluar i ndërmarrjes. /Botapress.info/