Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muajsh pesë të dyshuarve për posedim të paautorizuar të armëve dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Të pandehurit me iniciale S.H., M.S., D.M., S.S, dyshohen për posedim të paautorizuar të armëve, ndërsa M.S. është i pandehur për veprën penale sulm ndaj personit zyrtar.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër pesë të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1 dhe 1.2.3 të KPPK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Gjyqtari i procedurës paraprake i ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurve B.B., S.H., M.S., D.M. dhe S.S. si dhe i ka marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete për të siguruar praninë e të pandehurve dhe pas analizimit të tyre, konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale”.