O lisi plak, o trungu i vjetër.
Ke lëshuar rrënjë në shkëmb e në gur. Shtatit e gjymtuar e ke mbështetur për bjeshkën, mur. Degët e thyera si shall malësori t’u kanë kacavarë në plis.
Një gur i bardhë t’u ka ndal në kafkë dhe nën lis. O shkëmb e gur, o lis shekullor! Ngrite kokën dhe na thuaj një fjalë dhe mos hesht! Këtu kaluan pranë teje disa drumtarë, pak mësim prej teje kanë qejf me marrë. Shpaloje gjoksin dhe ule kokën të të shohim mbas kreje dhe në ballë, sa plagë ke dhe sa vrragë! Çele gur gojën, o lis? Sa dregëza ke nën plis? Shtati t’u ça deri në tokë e trungu t’u dogj deri në zgur. Po rritesh e po plakësh me barkun e shqyer. Streh shtegtari e zullumqari në furtunë.
Hijerëndë shikon majat e malit të mbushura me dëborë! Gjethe dhe sytha gjethojnë e mugollojnë në degën e tharë! Fol o më i miri në fis tonë! Shtati t’u ka djegë dhe kaq rëndë rënkon e gjëmon me habi! Sa breza pranë teje kanë ardhë dhe i ke strehuar në gji. Kush flet e cili hesht?! Kush çka tha dhe çfarë ka bluar? Ti me gojë mshelë ke qëndruar. Jeta kalohet ma lehtë e më mirë dhe më dlirë, nëse gojën e mban mshelë! Këtu na erdh NATO! Andej iku Serbia. Evropa me Amerikën e “ripushtuan” vendin deri te lumi e te Ura!
Kush i qiti telat me gjemba ndanë udhës me gur betoni? KFOR-i, UÇK-ja a Serbia?
Rusia pat ikur dhe Francën e la në breg të Ibrit për me ruajtë natën e me na heq tutzën? Andej s’guxojnë shqiptarët me dalë, se i pret deka. KFOR-i thotë, se jemi këtu, se s’ka kush ua pret mullzën. Kjo s’është prozë as poezi. Më mirë është të mos shohesh me sy! As fjalë, as trimëri mos me ndi. Veshët në lesh me i shti e kokën me fsheh në rërë. Jeta këto vite na shkoi me dredhi e me hilexhi e hjeksi. Ata që na çelen shtegun dhe na hapën udhën, diçka na patën rrëfye, por ne nuk u besonim se mendët nuk i kishim në krye. Kemi menduar se shkaun e kemi vëlla! Kush na nxiu këngën dhe bishtin na zuri me derë? Vargut ia këputi bishtin dhe goja na u mpak. Erdh dita, kur ata na e përmbysën bukën dhe sofrat. Na çnjerëzuan nuset dhe nënat dhe motrat. Nuk besonim se drithi bije kokrra-kokrra nëpër lug e në gur, që e sjell ujët e gurrës së bardhë që të pikon në ballë! Në gur bluhet mendimi e ballguri dhe gruri.
Eh, sa kishin hijeshi malet, kur ata këndonin: besa-besë. Bora u përgjak, kur ata po kalonin nëpër Ujezë. Vesa dhe shtrezi në buzë iu ngri e ujë mbetën pa pi, se krojet i mbuloi kallukonxha e tymi.
Humbën nëpër mjegull e zjarr, se iu ra qiella kokës. Gjëmoi kodra e boka deri te mali e ahishta deri te gusha. Nga granatat u rrëxuan kali e gomari dhe mushka. Samari iu ra nën bark.
Barrët dhe armët iu mbetën në batak. Luftëtarët u degdisën dhe u shtrinë nëpër luginë. Disa u vranë dhe shumë prej tyre morën arratinë. Ditën kush na bëri natë? Pse s’po flet o lis, që gjoksin e ke sall plagë e fletë?
Heshtja është dukat(?).
Djemëve të luftës plaga ende po ju rrjedh gjak. Enver Alaj ia prishi strofullen shtëpisë-bunker e jatak! Kur e ktheu kokën pas, Faruk Xhemajli u rrëxua në livadh në baltak. Trimi bombën e zbrazi, si Oso Kuka në xhebehane. Flakë mori baroti dhe agzoti. Heshti pushka e vikama: kuku-lele u përhap gjama! Zharavë u kallë toka e trimi ndërroi jetë, se kallashi u zbraz në gjoksin e tij dhe ai fund shkallëve ka mbetë. Tak e tuk gjuante major Nazifi! UÇK-ja i ranë çetnikut. Ata heshtën te presa e te gjoli dhe i ra grada kapedanit, kryeshenikut. Ushtarët tanë nëpër bahçe janë shkepë. Përsëri nisi pushka nga pusia nga kulmi e nga kulla.
Trimat e puthën lendinën dhe tokën e ujiten me gjak, për të mbjellë farën e lirisë, po thotë ushtari Cufë Kurtula, që me kallashnikovë po mbante frontin të mos vinte kush përpjetë në sokak. Rrëfejnë dhe herë po heshtin sa e sa luftëtarë.
Buzëqeshin me vete Imeri e Hasifi! Reshati përplaset për të gjetë mendimin dhe fjalët, që s’kanë halë. Sinani i kujdesshëm si përherë flet më pak. Sadiku ngulmon vetëm të vërtetën me thanë. Sot Rexhë Osaj nuk flet! Kushedi ku mbet! Ai po e pret kolonel Tahirin. Nuk flasin as heronjët e Betejës së Loxhës: Rrustemi e thërret Salihin, o vëlla! Pushka e tyre te Kulla e te Livadhi edhe sot jehon e gjëmon.
Gjithçka duket e vyshkur dhe e shkretë. Një pupëz kërcen nga dega e ftonit në mollë e hyn nën fletë. Një shpendkeqe mbi kulmin e Shtëpisë-Bunker vajton. Plakat e gjuejnë me gurë. Ajo fshihet nëpër trupin e dardhës dhe nën gjethet e thanës. Bubullon e gjëmon toka e qielli. Një hije e zezë i bije tokës dhe shtëpisë. Gjithëçka shkon në erë! Puthadorët me shekuj i kanë shti veshët në lesh, duke hanger turpin me bukë e pshesh. “E gojës i kanë vu kapak! Hugjutin a patën dhe e kanë ma rahat”. Kush po na e prish tokën dhe po e na zapton kullotën? Tanët na vranë me dredhi e hjeksi. Në luftë me shki e në “paqë” besa, kadimi, nëpër të ftohtë e nëpër borë dhe shi. “Intelegjencia” jonë ende me të moçmen, po shikojnë gjithë habi! Se s’ka shtet, hamenden dhe nuk ka peshojë në drejtësi. U rrënqeth qyteti, mali dhe lumi, se u vra “në liri” Enver Maloku, fytyrë pëllumbi. U plagos Sabri Hamiti dhe doli fjala, se radhën e ka iks ypsiloni. Në listë i pari është dr. Ibrahimi. Në front u vranë komadant Mali dhe Agimi!
Kush flet e kush ka gojë? Rrasa e Kosharës dhe Gomuri, dje dhe sot gjëmojnë. Kush kend e pa dhe cili iku nëpër dëborë. Sot kush bën hudut e ligj dhe drejtësi dhe pritën ia zë shkaut të zi, gjithë lavde e madhni?! E di ti, o lisi i çarë se cili u fsheh në arë! Ligjet i bëjnë ata që kanë euro e dollarë dhe revolet e mbushura me municion për vëllezërit, që ngritën zërin për të kërkuar liri e drejtësi, që s’ ka qare pa ardhë (?). Epo ligjësia dhe liria vonojnë, por vijnë! Kushedi!
Ne ëndërrojmë, se i kemi luftëtarët e gjallë. NATO e KFOR a do ta mbrojnë të keqën apo do të monitorojnë? Mos o Zot do t’ia çelin rrugë një “ripushtimi” të ri me shkjeni? Por në Llap e Drenicë është gjallë Adem Jashari. Në Grykë të Pejës, Smajl Hajdari. Në Prizren komandant Drini. A thua ku mbet dhe a është gjallë djali i Hotit, Ukshini? Shkrojlat s’mund të bëjnë fjalë e gjamë dhe të gjithë emrat s’munden me i zanë. Nga Vushtria në Tiranë na a u vra Baca? Kurse në Prishtinë i urti, Xhemail Mustafa!
Pas lufte Tahiri vetë i tretë. Vargu është i gjatë! Ka emra heronjësh të vdekur. Ata janë gjallë. Antiheronjë të gjallë, por ata të vdekur janë. Pa gojë kanë mbet heshtak e deshtak. O trim, o lis, o më i miri në fis! Lidhi plagët me shokë e shami. Zgurin mbështjelle me degë, kurse plisin vëre mbi krye!
Mos ta shohin njerëzia këtë hata e zuhur, se plagët ende gjak të pikojnë në shtat dhe në gur! Gjyshet le t’i shërojnë varrët me mazë e me qepë të zier dhe me lule shtogu. Atje në stane te Rrasa e bjeshkës këndon Zogu. Shëndoshi plagët e çele gojën e mos hesht! Gojës mos i vë kapak, se Evropë e Serbi me trutharët tanë përherë na kanë vra e eshtrat na i kanë ndrydh e blue në mulli. Mishin na kanë mbllaqitë dhe gjakrat na i kanë pi e gëlltitë. Rrënjët mbështeti fort në dhe e në gur. Shtati i lisit shekullor në shkëmb e mur le të bëj roje ditë e natë, se ka hak.
Nga trungu i moçëm po të rrjedh lëmashk i ri! Sythat po mugullojnë lulet e lirisë. Me to do t’i thurin degë më degë dhe dorë më dorë, epopenë e lisit tonë…