Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj për kërcënim ndaj presidentes Vjosa Osmani.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, ka thënë për KOHËN se aktakuza ndaj Gj.D. është ngritur për veprën penale “Kanosje”.
“Ju njoftojmë se më 20.10.2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër personit me inicialet Gj.D., në drejtim të veprës penale ‘Kanosja’, nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, ka thënë ajo.
Pas shkarkimit nga posti që mbante, në një emision televiziv Dedaj kishte përmendur Kanunin e Lekë Dukagjinit derisa fliste për Osmanin, ndërsa shkarkimin e tij e kishte konsideruar hakmarrje politike.
Këshilltari për medie i presidentes, Bekim Kupina, i ka thënë KOHËS se Dedaj është denoncuar për kërcënim publik që i ka bërë presidentes.
“Siç kemi paralajmëruar z.Gjergj Dedaj është denoncuar te organet e rendit për kërcënim publik kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj”, ka thënë Kupina.