Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njihet për retorikë politike dhe përdorim të madh të rimës në fjalimet e tij. Por, duke u munduar ta zhvillojë edhe më shumë këtë aftësi, ai shpesh përdor edhe shprehje të çuditshme, të cilat pastaj bëhen virale në rrjetet sociale.
Duke bërë lojëra fjalësh, Kurtit shpeshherë i dalin fjalitë tejet qesharake.Njëjtë i ndodhi edhe sot në shënimin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit kur kryeministri Kurti e lëshoi një nga ‘perlat’ e tij të radhës, shkruan Demokracia.com.
Kryeministri Kurti tha se nëse nëna është mësuesja e parë e përkohshme e mësuesja është nëna e dytë e përhershme.
“Nëse nëna është mësuesja e parë e përkohshme, mësuesja sigurisht që është nëna e dytë, por e përhershme, ngado që shkojmë gjatë tërë jetës mësuesen e parë, nënën e dytë e mbajmë me vete sa të jetë jeta”, deklaroi Kurti.
Një lojë të tillë fjalësh, Kurti e bëri edhe para disa ditësh kur tha se “Prindi i prindit që nuk është gjyshi”.
Këtë e tha në tryezën shkencore kushtuar studiuesit të albanologjisë, profesorit dhe drejtuesit shumëvjeçar të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Sadri Fetiu, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.
Derisa e shpjegon këtë ngjarje, Kurti thotë që sa i rëndësishëm është prindi është edhe prindi i prindit, e që nuk është gjyshi.
Duket se për këtë gjetje, Kurti bazohet në shprehjen “mësuesi është prind i dytë”.
“Unë si fëmijë, para se ta hasi Evgjeninë te letërsia dhe mitologjia antike, Euripidi e Lukreci e më vonë edhe te Dante e te Gëte, e kam mësuar Evgjeninë e Andon Zako Çajupit te poezia “Vaje”. Mirëpo para se të shkoj në shkollë e mbaj në mend mirë që babai e recitonte këtë poezi, të cilën unë mendoja që quhet “Evgjenia”, e jo “Vaje”. Atëkohë jo vetëm që mendoja që quhet “Evgjenia” e jo “Vaje”, por mendoja që e ka shkruar Sadri Fetiu, sepse babai e recitonte poezinë edhe thoshte që ja ka mësuar Sadri Fetiu. E unë besoja që ai që ia ka mësuar edhe e ka shkruar. Është dashur shumë vjet më vonë në shkollë ta marrë vesh se poezia nuk quhet “Evgjenia”, por quhet “Vaje” dhe se nuk e ka shkruar Sadri Fetiu, por e ka shkruar Anton Zako Çajupi. Sa është i rëndësishëm prindi, po aq i rëndësishëm është edhe prindi i prindit e që nuk është gjyshi. Para se të kem mësuese timen, kam pasur mësues të prindit tim, e që ka qenë Sadri Fetiu”, kishte thënë Kurti, përcjell Demokracia.com.
Edhe në fushatën për zgjedhjen e kryetarit të Podujevës në vitin 2020, Kurti e kishte dhënë një shpjegim të çuditshëm për lidhjen e tij familjare me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën.
“Baba i nanës së babës së Glaukut, e ka djalë të axhës babën e babës të burrit të çikës së tezës tem”, ishte shpjegimi i Kurtit, që bëri qytetarët t’ia plasin të qeshurës. /Botapress.info/