Departamenti i Thesarit amerikan deklaroi se është ndërmarrë një nga operacionet më të mëdha për të goditur tregtinë në të ashtuquajturin “dark web”, ato pjesë të Internetit të fshehura për pjesën më të madhe të personave, por ku mund të tregtohet praktikisht çdo gjë ilegale, shpesh herë me anë të kriptomonedhave.
Në rastin konkret, bëhet fjalë për një network rus të quajtur Hydra, aktiv nga viti 2015 dhe i aksesueshëm vetëm përmes disa programeve specifike.
Të paktën 8 milionë dollarë nga ky lum parash janë identifikuar nga autoritetet amerikane si fond për kompani hakerësh që kanë goditur kompani në SHBA.
Një operacion paralel kundër Hydra u zhvillua edhe në Gjermani, duke mbyllur disa servera dhe duke sekuestruar 25 milionë dollarë në kriptovaluta.
Rusia është shqetësim i madh për shkak se cilësohet si një “parajsë” për hakerët, shpesh herë e toleruar dhe madje e nxitur nga Kremlini si armë kundër shteteve të ndryshme.