Tarkan Ozdemir, vëllai i drejtorit të bankës “TEB” në Kosovë, Orçun Ozdemir, i arrestuar të premten nga Policia e Kosovës, kishte në pronësi klubin futbollistik “Besiktas Chisinau” në Moldavi, të cilin e mbylli pas problemeve financiare.
Ozdemir akuzohej nga futbollistët e klubit moldav për mashtrim lidhur me pagat, të cilët dyshohet se nuk ishin paguar për rreth tre muaj gjatë sezonit 2007-2008.
Klubin simotër të gjigantit turk, Beshiktash, Tarkan Ozdemir e kishte themeluar më në Chisinau, kryeqytetin e Moldavisë. Por, FC Besiktas Chisinau, ai e kishte shkatërruar ashtu siç e kishte formuar vetëm një vit më vonë.
FC Besiktas Chisinau falimentoi për shkak të operimeve të dështuara të Tarkan Ozdemirit.Futbollistët pretendonin se Ozdemir nuk ua kishte paguar pagën e prillit, majit dhe qershorit 2008, sipas raportimeve të mediave moldave.
Sipas kontratave që kanë pasur për sezonin 2007-2008, futbollistët duhet të mbledhin gjithsej njëzet mijë euro, raporton Botapress.info
Lojtarët thanë se u përpoqën ta zgjidhnin konfliktin në mënyrë miqësore, por bosi turk u zhduk pa lënë gjurmë.
Vëllai i drejtorit të bankës “TEB” në Kosovë, ishte ndjekur penalisht nga autoritetet moldave për mashtrime. I kishte ikur autoriteteve moldave për një kohë të gjatë.
Ndërsa, ai është arrestuar të premten në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Moldavisë.Në të ardhmen, Ozdemir mund të ekstradohet me vendim të gjykatës për në Moldavi, për t’u gjykuar më tutje.
Vëllai i tij, Orçun Ozdemir, është drejtor menaxhues i Bankës “TEB” në Kosovë dhe anëtar i Bordit Drejtues të institucionit privat të sistemit bankar, i cili operon në Kosovë prej më shumë se një dekade./Botapress.info