Dialogu Kosovë-Serbi ka vazhduar edhe në vitin 2022. Palët kanë zhvilluar disa takime të nivelit politik dhe të atij teknik. Pavarësisht, takimeve dhe vizitave të shumta të zyrtarëve të lartë evropianë dhe amerikanë, procesi nuk ka shënuar ndonjë progres. Por, progres ka shënuar një prej protagonistëve të këtij procesi, Albin Kurti.
Dialogu, i cili ka filluar në vitin 2011, gjatë këtij viti është karakterizuar me tensione dhe disa dakordimeve në mes të palëve për disa çështje.
Viti që po e lëmë pas do të mbahet mend edhe për shkeljen e disa qëndrime të kryeministrit Albin Kurti, të cilat i kishte proklamuar prej vitesh sa kishte qenë në opozitë.
Në këtë mënyrë shefi i ekzekutivit pranoi t`i zbatonte disa marrëveshje, të cilat i kishte kritikuar. Gjithashtu, kryeministri u detyrua t`i bëj disa lëshime, të cilat Albin Kurti opozitar do t`i kundërshtonte.
Pas çdo takimi dhe tensionimi të situatës në veri, ai zotohej se nuk do të tërhiqej nga synimet e tij dhe vendimet e Qeverisë në raport me Serbinë, por me shtimin e presionit ndërkombëtar, ai dorëzohej dhe lështonte pe.
Pajtimi për zbatim të marrëveshjes për energjinë
Ndonëse edhe pasi kishte marrë postin e kryeministrit, Kurti ishte zotuar se do të anulonte marrëveshjet e dëmshme të Brukselit, ai nuk veproi në këtë mënyrë.
Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar rreth udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, e cila ishte arritur vite më parë. Kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit, i cili kishte nënshkruar këtë ujdi, nuk i kishte penguar që kjo ishte ndër marrëveshjet më të kritikuara nga Albin Kurti dhe VV-ja.
Pranimin e kësaj marrëveshje e kishin arsyetuar me faktin se udhërrëfyesi parasheh që qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës të fillojnë ta paguajnë energjinë elektrike të shpenzuar.
Por, kjo deri tash nuk ka ndodhur fatkeqësisht me operatorin serb Elektrosever që nuk po tregohet aq konstruktiv sa kryeministri ynë.
Kurti për këtë lëshim kishte përdorur frazën si vijon: “Po bëj pranimin minimal të realitetit për ndryshimin maksimal të tij,”
Letërnjoftimet dhe targat
Vera e këtij viti kishte entuziazmuar kryeministrin për të ndryshuar kursin e dialogut, duke pretenduar se do të zbatonte marrëveshjet që nuk i kishin zbatuar qeveritë e kaluara. Kështu, më 29 qershor, Qeveria e Kosovës kishte vendosur reciprocitet për hyrje të shtetasve të Serbisë në Kosovë. Në këtë mënyrë , Qeveria Kurti vendosi që aplikojë të njëjtën masë, sikur Beogradi, që nuk pranon letërnjoftimin, por në hyrje kosovarët i pajiste me një letër që zëvendëson dokumentet e identifikimit.
Në të njëjtën mbledhje, kabineti qeveritar kishte marrë edhe vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.
Sipas këtij vendimi, pronarëve të veturave me këto targa u ishte mundësuar që kthimin në RKS ta bëjnë në periudhën 1 gusht 2022 – 30 shtator 2022, pra dy muaj kohë.
Këto vendime kishin nxitur reagimin e serbëve lokalë, të cilët në shenjë kundërshtimi kishin bllokuar rrugët.
Ndonëse, Kurti dhe zyrtarët e lartë qeveritarë ishin zotuar se do ta zbatonin këtë vendim, ata nuk e bënë një gjë të tillë.
Më 31 korrik, pas një takimi me përfaqësuesit evropianë dhe amerikanë, kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani kishin kishin pranuar të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të Qeverisë.
Kjo kishte bërë që serbët lokalë t`i hiqnin barrikadat dhe të kthehej liria e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.
Për të gjetur një zgjidhje për këto çështje, më 18 gusht, ishin thirrur në takim në Bruksel kryeministri Albin Kurti dhe president serb Aleksander Vuçiq. Edhe pas pesë orë diskutimesh, ata nuk kishin arritur të gjejnë ndonjë zgjidhje.
Pak ditë më vonë, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, vizituan Prishtinën dhe Beogradin për të ndihmuar arritjen e një marrëveshje.
Disa ditë më pas, nën ndërmjetësimin e BE-së, liderët e të dy vendeve kishin arritur një ujdi gojore ku Serbia kishte rënë dakord t’i shfuqizojë dokumentet hyrëse/dalëse për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova ishte pajtuar që të mos i paraqes ato për qytetarët që kanë letërnjoftime serbe. Kjo nga zyrtarët qeveritarë të Kosovës ishte konsideruar si fitore.
Shkallëzimi i vendimit për targat
Me afrimin e datës për zbatimin e vendimit të qeverisë për targat, shtohej edhe presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës për shtyrjen e këtij vendimi. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kishin kërkuar që Kosova të shtyjë afatin për targat për dhjetë muaj.
Fillimisht, qeveria kishte refuzuar shtyrjen. Më pas, këtë shtyrje ishte munduar ka kamuflonte.
Në ndikimin e këtij presioni, më 28 tetor, Qeveria e Kosovës kishte dalë me planin që vendimi për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia të zbatohet në disa faza
“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, kishte thënë Kurti.
Kjo shtyrje nuk i kishte kënaqur faktorët ndërkombëtarë. Pas prezantimit të këtij planit, SHBA-ja dhe BE-ja kishin shprehur zhgënjimin e tyre për mos respektimin e kërkesës se tyre.
Faze e parë e zbatimit të vendimit të qeverisë kishte shkuar mirë, ndërsa me afrimin e fazës së dytë ishin shtuar presionet e aleatëve dhe ishte rritur tensioni në terren.
Më 21 nëntor, kryeministri Kurti kishte pranuar kërkesën e ambasadorit amerikan në Prishtinë që të shtyhej vendosja e gjobave për 48 orë, në mënyrë që t’i mundësojnë BE-së dhe SHBA-ve gjetjen e një zgjidhje.
Më vonë, në një intervistë për një gazetar të huaj, Kurti kishte thënë se shtyrjen e kishte pranuar pasi ishte informuar nga diplomati amerikan për rreziqet që do të mund të shkaktonte në veri vendimi i qeverisë.
Përfundimisht, më 23 nëntor, palët ishin pajtuar që të shtyhet vendimi për targat. Ujdia ishte arritur gjatë një takimi në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Pothuajse të njëjtën marrëveshje e kishte refuzuar kryeministri Albin Kurti në një takimi në Bruksel, i cili ishte zhvilluar dy ditë më parë me presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.
Zyrtarët qeveritarë patën thënë se këtë lëshim e kanë bërë për t`i hapur rrugë bisedimeve intenzive për propozimin franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Shtyrja e zgjedhjeve
Vendimi i qeverisë ishte bërë sebep për largimin e serbëve nga institucionet qendrore dhe lokale. Pasi drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, kishte refuzuar ta zbatonte vendimin e qeverisë për targat, autoritet kosovare e kishin pezulluar nga puna. Kjo kishte nxitur Listën Serbe të largohet nga Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës.
Këto veprime ishin përcjell edhe me dorëheqjen e serbëve nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veriore.
Largimi i kryetarëve të komunave veriore, kishte nxitur presidenten e vendit që të shpall mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e komunave. Insistimi i institucioneve kosovare për t`i dërguar trupat e KQZ në komunat veriore kishte hasur në rezistencë nga serbët lokalë, të cilët kishin sulmuar me granata dore objektet e KKZ-ve. Tensionimi i situatës atje, kishte shtyrë SHBA-në dhe BE-në që të kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të shtyjnë mbajtjen e zgjedhjeve. Natyrisht, fillimisht, presidentja dhe kryeministri kishin refuzuar, por më pas pranuan që këto zgjedhje të shtyhen për pjesën e parë të vitit 2023.
“Ujdia” për largimin e barrikadave
Pas shtyrjes se zgjedhjeve, Policia e Kosovës kishte arrestuar në pikën kufitare në Jarinje ish-policin serbe Dejan Pantiq, si i dyshuar për sulme ndaj zyrave të KKZ-ve në veri. Kjo kishte nxitur një valë të re të pakënaqësive të serbëve lokalë. Ditën që është arrestuar Pantiqi, të nxitur nga autoritet serbe dhe grupe te organizuar me maska, ata kanë filluar bllokimin e rrugëve në atë pjesë të vendit, duke mos lejuar as dërgimin e ish-policit në paraburgim. Vazhdimisht ata kërkonin lirimin lirimin e ish-policit. Vetëm pas Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi që Pantiqit t`i ndryshohet masa nga paraburgimi në arrest shtëpiak, ata u pajtuan për largimin e barrikadave. Autoritetet serbe thanë se largimi i tyre është bërë pas lirimit të Pantiqit, dhe garancioneve Policia e Kosovës nuk do t`i ndjek njërzit që kanë qëndruar në barrikada. Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe SHBA-ja dhe BE-ja përmes një deklarate të përbashkët për media. Kjo deklaratë nxiti dyshime të mëdha në opinion se lirimi i Pantiqit dhe largimi i barrikadave është bërë me marrëveshje të fshehtë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Për këtë opozita i ka kërkuar sqarime kryeministrit Albin Kurti.
Ky i fundit, ka mohuar një gjë të tillë. Ai ka thënë se të vetmen garanci që kanë marrë serbët është se institucionet e Kosovës nuk kanë lista për arrestimin e serbeve. Sipas tij, lisat të tilla nuk ka pasur asnjëherë.
Shtensionimi i situatës në veri dhe largimi i barrikadave i ka hapur rrugën vazhdimit të dialogut në Bruksel.
Udhëheqësit e të dy vendeve kanë paralajmëruar një janar të “nxehtë” në procesin e dialogut për arritjen e marrëveshjes finale.