Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm tha se Kryesia e re e sapozgjedhur e LDK-së do të marrë sot draftin për Asociacionin dhe do ta diskutojë deri në fund të javës së ardhshme.
Abdixhiku në një prononcim për media nuk tregoi se kush të zgjedhurit e ri të Kryesisë së partisë së tij.
“LDK ka autorizuar kryesinë e sapozgjedhur që të marrë një qëndrim dhe gjatë ditëve në vijim, përkatësisht kah fundi i javës së ardhshme, Kryesia e LDK-së do të mblidhet dhe do të diskutojë mbi draftin që do ta pranojë sot. Unë draftin që kam pranuar nga ndërmjetësuesit do t’ia dorëzoj sot Kryesisë dhe ata do të kenë kohë të mjaftueshme që të bëjnë analizat deri në fund të javës së ardhshme”.
Për çështje tjera organizative, Abdixhiku tha se kanë marrë vendim që për herë të parë ta hartojnë listën zgjedhore të kandidatëve për deputetë shumë më herët.
“Morëm vendim që të nisim procesin konsultativ të brendshëm në hartimin e listës zgjedhore të deputetëve për zgjedhjet e ardhshme. Është një praktikë e re”.
Ai tha se zgjedhja e listës shumë më herët është që “të bëjmë listën zgjedhore që më pas t’u jepet kohë të organizohen”.
“U dakorduam brenda Këshillit të Përgjithshëm, brenda dy orë e gjysmë diskutimesh që të kemi prezencë në terren nga dita e sotme e tutje. Pra, anëtarët e Këshillit të jenë vazhdimisht në konsultime me qytetarët gjithandej”.