Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka konfirmuar se nuk është takuar me kryetarët e rinj të zgjedhur në katër komunat veriore. Lajçak gjatë qëndrimit në veri, është pyetur edhe në lidhje me atë se a është takuar me kryetarët, por që është përgjigjur se “nuk është e vërtetë”.
Ai po ashtu, është pyetur edhe nëse ka bërë një propozim të ri për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Asnjëra nuk është korrekte, sa i përket procesit, ju e dini pozicionin e Bashkimit Evrpian. Procesi është ligjor, por nuk jep një zgjidje afatgjatë politike, dhe kjo duhet të arrihet përmes një marrëveshje politike.” – ka thënë ai.
Sa i përket Asociacionit, ai ka thënë se tani do të shihen pikëpamjet e të dyja palëve.
Ndërkohë, Lajçak ka theksuar se për të është e rëndësishme që të kalojë kohë në veri të Kosovë, për të parë nga afër se si është situata.
“Siç e thash edhe më parë, kemi normalizim ose konforntim. Për mua, përgjigja është e qartë – ne duhet të fokusohemi 100 për qind në normalizim, dhe të mos lejojmë të ndodhë ndonjë konfrontim. Për këtë arsye, takimet që kam pasur kanë qenë shumë të rëndësishme dhe të dobishme.” – u shpreh ai.
Ndërkohë, Lajçak vizitën e tij në Kosovë e nisi me një takim në orën 07:30 të mëngjesit me kryeministrin Kurti, për të vazhduar më pas në një takim tjetër me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza dhe më vonë, edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe.
Pas takimit me kryeministrin Kurti, ai doli para gazetarëve dhe lëshoi deklarata mjaft të rënda, prej të cilave ishte edhe kjo si vijon:
“Mund të kemi ose normalizim, ose konfronim,” – tha ai.