Albin Kurti nuk i reziston ftesës për pjesëmarrje në Simpoziumin e Symit në Greqi – një event që përshkruhet si “mbledhi vjetore e mendimtarëve globalë sipas traditës së filozofëve antikë grekë”. Vetëm për të shkuar atje Kurti la një ngjarje tjetër në Tiranë – takimin me Kryeministrave të rajonit me ftesë të Edi Ramës – për çka u kritikua në Prishtinë. Publikisht tha se pjesëmarrjen në Kretë e ka konfirmuar muaj më parë. Kurti ka shkuar në Symi edhe kur në Kosovë ndodhnin ngjarje të jashtëzakonshme dhe kërkohej prezenca e tij.
Simpoziumi “Symi” në Greqi, duket të jetë organizimi i preferuar e Kryeministrit Albin Kurti. Ai nuk ka munguar asnjëherë në këtë simpozium, në pesë herët e fundit që është mbajtur. Qeveria dje njoftoi se kjo është hera e gjashtë që Kurti është pjesëmarrës në këtë organizim.
Simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-Kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit. Edicioni i sivjetëm titullohet “Çfarë bote në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus” (Which World in 2030? Addressing the Icarus Syndrome).
Lirohet edhe një i dyshuar tjetër që u arrestua për sulmet në veri ndaj gazetarëve
Meqë shkuarja e Kurtit në këtë simpozium, që këtë vit mbahet në ishullin e Kretës, bëhet një nga temat qendrore në Kosovë, profesori i Filozofisë Blerim Latifi në një shkrim të publikuar ne Gazetën Express e trajtoi figurën mitike të Ikarusit.
“Tregimi mitik mbi fatin e Ikarusit është kthyer në metaforë për ambicien e shfrenuar, iracionale, ambicien, e cila duke mos u përputhur me mundësitë reale, përfundon me dështim fatal” shkroi Latifi.
Nuk dihet sa gjatë do të qëndrojë këtë herë Kryeministri në Greqi, por ai të hënën u kritikua që refuzoi të shkojë në Tiranë vetëm për të marrë pjesë në “forumin grek të proveniencës së majtë”.
“Një politikan normal do ta bënte saktësisht të kundërtën, por ja që Kurti, kur janë në pyetje forumet ndërkombëtare ku mendimtarët e të majtës spekulojnë mbi të ardhmen e njerëzimit, nuk do t’ia dijë për obligimet e tij kushtetuese’ shkroi tutje Latifi.
Por, Qeveria theksoi se Kurti në Tiranë do të jetë gjatë tetorit, në Samitin e Procesit të Berlinit.
“Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”.
Nëse lista e pjesëmarrësve të Simpoziumit të Symit e publikuar ne faqen zyrtare është finale, një nga pjesëmarrësit aty është edhe Kryeministri Edi Rama. Mbetet të shihet nëse dy kryeministrat shqiptarë do të takohen ne ishullin grek pas dy dështimeve për t’u takuar në Prishtinë e Tiranë.
Vitin e kaluar në Symi, Kurti e kishte nisur fjalën e tij duke thënë se e ka për nder të madh dhe kënaqësi që ishte rikthyer në këtë simpozium. “Mendoj se nuk ka njerëz që nuk kthehen sërish këtu”.
Për çdo verë, Kurti është kritikuar për pjesëmarrjen e tij në “Symi”. Herë se e zgjaste shumë qëndrimin atje, e herë se shkonte në Greqi, pa marrë parasysh se çfarë po ndodhte në vend. Njëjtë ndodhi edhe këtë vit.
Kësaj radhe, Kryeministri Kurti nxiti reagime, sepse u konfirmua se ai ka refuzuar një ftesë të Kryeministrit Edi Rama në Tiranë, ku do të mblidhen liderët e rajonit, për të marrë pjesë në simpozium.
Ndonëse Ramën ka refuzuar ta takojë edhe para një jave në Prishtinë, sipas Zyrës së Kurtit, pjesëmarrja në “Symi” është arsyeja pse ai s’mund të jetë në Tiranë.
“Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë”, ka shkruar Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Ndaj Kurtit nisen reagimet menjëherë. Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka pyetur se “si qenka më me rëndësi një konferencë në ishujt e bukur të Greqisë sesa takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë?!”.
Çitaku e ka quajtur “Fëmijërore dhe politikisht e papërgjegjshme”, sjelljen e Kurtit, duke iu referuar përzgjedhjes së konferencës në Greqi, para tryezës në Tiranë.
Prej kur Kurti shkon në këtë simpozium, i janë komentuar resortet luksoze ku ka qëndruar, nëpër vende turistike greke, ku ai është organizuar ndërsa kur është kthyer nuk kanë munguar as batutat me të nga deputetët të cilët i kanë thënë “qenke rrezitur”.
Një vit më parë, ai qëndroi nëntë ditë në Greqi. Simpoziumi kishte zgjatur katër ditë, nga 10, deri më 14 korrik. Po ato ditë truprojet që po e shoqëronin Kryeministrin në simpozium, kishin shkaktuar skandal me publikimin e fotografive duke u larë në pishina të resorteve.
Shkuarja e Kurtit në Greqi nuk ka kaluar pa zë as në vitin 2021. Kryeministri po kritikohej se ishte zhdukur derisa po ndodhnin helmime masive nga uji në Deçan. Zëdhënësi i Qeverisë kishte njoftuar se Kurti është në Athinë dhe po merrte pjesë për herë të katërt në Simpoziumin ‘Symi”. Në korrikun e atij viti, Kryeministri qëndroi tetë ditë në Greqi, e dy javë krejt në Evropë.
Qëndrimin e Kurtit në një hotel, që në mediat kosovare cilësohej si luksoz, “Grand Resort Lagonissi”, e kishte zbuluar ish-kryeministri i Greqisë, Papandreou, si organizator i simpoziumit, i cili shprehte mirëpritje për Kurtin dhe familjen e tij.
“Kështu, unë e mirëpres Albin Kurtin, atë dhe familjen e tij përsëri këtë vit, të cilin dua ta përgëzoj për zgjedhjen si kryeministër i Kosovës, që nga takimi ynë i fundit në Symi” – shkroi George Papandreou në Facebook, teksa falenderonte hotelin “Grand Resort Lagonissi” për akomodimin e të ftuarëve.
Greqia ka qenë ndër destinacionet kryesore të Kurtit, ku ka shkuar më shpesh. Përveç që viteve të fundit Kurti e ka pasur korrikun e rezervuar për “Symi”-n, edhe gjatë pranverës ka marrë pjesë në forumet ekonomike “Delphi”.