Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati sonte vonë është takuar me kreun e BSKPK’së, Atdhe Hykollin. Ky takim përfundoi pa u përmbushur kërkesa prej 100 euro për mësimdhënësit, dhe pa u ndërprerë greva, që ka filluar për më shumë se 7 ditë.
Sipas komunikatës së ZKM-së, kryeministri Kurti e ka ftuar Hykollin që të konsultohet për Ligjin e Pagave. Ndërsa, Kurti po e vazhdon inatin me kryetarin e SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj. Kryeministri pati deklaruar s’mund të takohet me Jasharajn, meqë është rregull që të takohet me kreun e BSKPK-së, Atdhe Hykollin, e jo liderë të degëve sindikale.
Ja komunikata e plote e Zyres se Kryeministrit Kurti:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati zhvilluan takimin e radhës me Kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli.
Për më shumë se një orë u diskutua për grevën e shpallur nga BSPK-ja, për kërkesën sindikale për shtesën prej 100 euro dhe për veprimet e deritanishme të Qeverisë në trajtimin e kërkesave tjera paraprake të sindikatave.
Kryeministri Kurti e njoftoi z. Hykolli se Projektligji për Pagat e Sektorit Publik këtë javë ka përfunduar fazën e konsultimeve paraprake dhe se gjatë javës që po vjen do të dalë në konsultime publike, teksa e ftoi BSPK-në që të bëhet pjesë e këtyre konsultimeve.
Ndërkohë që javën e kaluar është prezantuar pakoja e re për Përballje me Inflacionin që është vazhdimësi e mbështetjes ndaj qytetarëve nga e cila përfitojnë të gjithë qytetarët, përfshirë edhe punonjësit e sektorit publik. Përveç mbështetjes direkte financiare, ku përfitojnë të punësuarit në sektorin publik e privat, studentët, familjet në asistencë sociale e pensionistët, pakoja parasheh edhe lehtësim të barrës së faturave të energjisë elektrike për ata që kursejnë. Kjo mbështetje që po u bëhet qytetarëve është më e madhja në rajon por edhe më gjerë.
Më tej ai tha se Qeveria që drejtohet nga ai ka treguar gatishmëri për të adresuar kërkesa sindikale që trajtojnë në mënyrë sistematike problemet e punëtorëve të sektorit publik. Si dëshmi mori vendimet e MAShTI-t për të ndarë 1.7 milionë euro për 300 mësimdhënës me probleme shëndetësore, për buxhet shtesë për mësimdhënësit që kualifikohen si tepricë ashtu që mos të mbesin pa punë, trajtimin e barabartë të mësuesve klasorë dhe lëndorë në arsimin e mesëm të ulët, eliminimin e padrejtësive ndërmjet të gjitha kategorive të punëtorëve të arsimit dhe renditjen e mësimdhënësve me koeficientin më të lartë ndonjëherë sipas projektligjit të ri, thuhet ne kumtesen per Medie te Zyres se Kryeministrit Kurti.