Afro një milionë euro shpenzoi Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të tetorit të vitit të kaluar. Arriti të fitojë pa balotazh vetëm në dy komuna.
Mijëra euro u morën donacione nga individ e biznese të ndryshme. Para të shumta u paguan edhe në mobilizimin e propagandës zgjedhore.Disa prej kompanive nga të cilat u blenë shërbimet, ishin shpërblyer pak muaj më herët me kontrata nga komunat në të cilat udhëhiqte Lëvizja Vetëvendosje, e disa kompani tjera janë tenderues të rregullt të institucioneve publike, shkruan Botapress.
Në javën e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve- KQZ ka publikuar raportet financiare të partive politike për zgjedhjet lokale të fundvitit të kaluar.
LVV-ja ka pasur të hyra dhe shpenzime të deklaruara më së shumti nga të gjitha partitë.
Video animacionet për partinë e Albin Kurtit, siç shihet në raport janë bërë nga kompania “Grafika Shpk”. Vlera ka qenë 5360 euro.
Kjo kompani sipas ueb-faqes së Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës –ARBK, është themeluar në vitin 2019.
Periskopi gjatë humtimit ka gjetur se, kjo kompani deri më tani ka fituar vetëm një kontratë. Vlera ka qenë rreth 30 mijë euro dhe ishte lidhur me Komunën e Prizrenit në Mars të vitit 2021. Në atë kohë, komuna udhëhiqej nga Mytaher Haskuka i LVV-së.
Shtypja e materialit reklamues sipas raportit, ka qenë në vlerë prej 5800 euro, ku është bërë edhe tek kompania “Metton Reklama” SHPK.
Kjo kompani është themeluar në vitin 2020, dhe kontratën e parë e ka fituar në vitin 2021 nga Komuna e Podujevës që udhëhiqej nga Shpejtim Bulliqi. Vlera e kontratës ka qenë e vogël rreth 7000 euro për furnizim dhe montim të E-kabinave.LVV-ja ka marr pajisje me qera nga kompania “AMC Corporation” SH.P.K. Pagesa në konton e kompanisë është bërë në vlerë prej 19, 082.39 euro.
Data e regjistrimit të kësaj kompanie sipas të dhënave të ARBK-së, është më 04. 12. 2020.
Gazeta ka gjetur se kjo kompani në vitin 2021 ka përfituar 3 kontrata nga institucionet publike në vlerë prej rreth 20 mijë euro. Kontratën më të madhe e ka përfituar nga Prizreni në vlerë prej rreth 10 mijë euro.
Në vlerë prej 9, 994.00 euro, LVV ka shtypur materiale reklamuese nga kompania “Arba Tek” që është në pronësi të Rasim Mehmetaj nga Klina. Në vitin 2020, kjo kompani ka fituar një kontratë prej 82 mijë eurove nga Ministria e Punëve të Brendshme për furnizim me materiale elektrike.
Kontraktorë të institucioneve publike janë edhe disa kompani tjera, prej të cilave LVV ka blerë shërbime për zgjedhjet komunale 2021, siç është kompania Digi Print, NTG Blendi, etj.
Sipas formularit të deklarimit të shpenzimeve, gjatë periudhës së fushatës, LVV ka pasur të hyra në vlerë prej 491, 428.28 euro. Në këtë shumë hynë 330, 483, 92 nga buxheti, 137, 041.57 donacione dhe kontribute në të holla, 23, 902.80 euro, janë kontribute mallra dhe shërbime.
Të hyrat kanë qenë nga njerëzit e partisë dhe nga bizneset.
Sipas dokumentit të LVV-së të paraqitur në KQZ, kompania nga Gjilani “Adea Group” SHPK ka dhënë dy herë donacione në vlerë prej 2000 euro. Në katër vitet e fundit, kjo kompani ka fituar 9 kontrata nga institucionet e Kosovës, në një vlerë prej 61,431.03 eurove që kryesisht kanë pasur të bëjnë për furnizim me ujë.
Po në periudhën e zgjedhjeve në emër të fushatës LVV ka shpenzuar 919, 408.58 euro, para të deklaruara.
Për propagandën zgjedhore, veç në Facebook janë deklaruar të paguara nga partia mbi 13 mijë euro. Mbi 14 mijë euro janë paguar për gjobat në PZAP. /Botapress.info