Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka uruar Kosovën për kalimin në Asamblenë Parlamentare të kërkesës ligjore për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.
“Përshëndes vendimin e Komitetit të Ministrave, për kalimin në Asamblenë Parlamentare të kërkesës legjitime të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Urime Kosovë dhe sa më shpejt anëtare me të drejta të plota në KiE!”, ka shkruar Begaj.
Kështu u votua sot në Këshillin e Evropës për pranimin e aplikimit të Kosovës
Lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme për Kosovën, ka reaguar edhe ish kryedemokrati Lulzim Basha. Sipas tij, ky vendim është një garanci për Kosovën.
“Një ditë e mirë sot për Kosovën në Këshillin e Europës. Komiteti i Ministrave të vendeve anëtare, i dha mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Europës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Europës. Pas vendimit të shumëpritur të Bashkimit Europian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, akti i sotëm hap një faqe te re në marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare.
Kosova në Këshillin e Europës është garanci edhe për ata që kanë pretendime përsa i përket respektimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave. Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm në zemër të Evropës. Sa më shpejt që ky realitet të përqafohet nga të gjithë, duke përfshirë edhe Serbinë, aq më mirë do të jetë, para së gjithash, për qytetarët e Kosovës, si serbë ashtu edhe shqiptarë, aq më mirë do të jetë për të ardhmen e gjithë rajonit tonë.
Është koha që dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta hedhin një hap të tillë. Sa më shpejt të ndodh aq më mirë do të jetë për sigurinë dhe stabilitetin e Europës. Ballkani Perëndimor në NATO dhe EU do të thotë një Europë më e fortë, më e sigurtë dhe më e begatë”, tha Basha.
Edhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, tha se ky është një lajm i mirë, si edhe një hap i rëndësishëm për vendin.
“Lajm i mirë nga Këshilli i Evropës! Komiteti i Ministrave vendosi të pranojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe t’ia dërgojë Kuvendit Parlamentar për mendim. Një hap i parë i rëndësishëm për t’i dhënë Kosovës vendin e merituar në Këshill”, shkruan Xhaçka.
Ky vendim i rëndësishëm për Kosovën u njoftua pasditen e sotme nga Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla.
Sipas Gërvallës, Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 Maj 2022./Gazeta Botapress.info/