Projektkodi civil i cili rregullon martesën mes personave me gjini të njëjtë, është një nga çështjet më problematike. Ky projektkod u hodh në votim në mars, mirëpo nuk gjeti mbështetje të mjaftueshme nga deputetët, prandaj edhe dështoi. Vjeshta dhe periudha para festave të fundvitit janë përmendur si dy afate nga Glauk Konjufca dhe Mimoza Kusari Lila, ndërsa nga Ministria e Drejtësisë thonë se “shumë shpejtë” ky projektkod do të procedohet për votim. Mirëpo, se a do ta votojnë këtë projektkod civil për Express flasin dy deputetë të VV-së dhe një i AAK-së.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila në fillim të shtatorit tha se ky projektkod në vjeshtë vjen sërish në Kuvend.
“Tensionet në Veri, katalizator për Asociacion”, PSD aksion para Qeverisë
“Projektkodi vjen sërish në vjeshtë, një dokument i rëndësishëm, i dyti pas kushtetutës në raport të rregullimit të jetës së qytetarëve prej lindjes deri në vdekje… Para tetorit nuk besoj që ka shansë teorike”, kishte deklaruar Kusari – Lila , në një intervistë në emisionin “DPT te Fidani” në T7.
Tetori shkoi, ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, para gjashtë ditësh si afat për votimin e këtij projektkodi e përmendi periudhën para Vitit të Ri.
“Po unë mendoj që para Vitit të Ri, kështu kanë qenë fjalët. Te shohim. Të them të drejtën, kjo nuk është përgjegjësi vetëm e mazhorancës dhe as nuk mendoj që duhet me qenë. Ne po flasim për do orientime vlerore afatgjata. Ke me i vendos do baza e standarde që s’ke me mujt me i hjek më, mundesh me rregullu atë punë me kompletu, por jo me…sepse është e të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Konjufca në RTV Dukagjini.
Se do të procedohet në Kuvend ky projektkod për Express e kanë konfirmuar nga Ministria e Drejtësisë, mirëpo nuk kanë dhënë ndonjë datë duke thënë se “shumë shpejtë do të procedohet për votim”.
Nga kjo ministri kanë thënë se i kanë bërë “ndryshimet adekuate në nenin 1138” i cili në shqyrtimet e para lejonte bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta.
“Drafti i Kodit Civil tashmë pothuajse është i finalizuar, me ndryshimet adekuate edhe në nenin 1138. Shumë shpejtë, posa të finalizohet nga Zyra e Kryeministrit, i njëjti do të jetë publik dhe do të procedohet për votim”, kanë thënë nga MD për Express.
Mirëpo deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një bisedë për Gazetën Express ka thënë se AAK nuk do ta votojë projektkodin civil.
“Qëndrimi i AAK-së ka qenë mjaft i qartë. Nuk do ta votojmë Kodin Civil. I kemi arsyet dhe kemi konsultuar elektoratin dhe kemi marrë përgjigje që ne nuk duhet ta votojmë Kodin Civil. Ashtu siç e kanë sjellë në Kuvend, shumicës parlamentare i takon që këtë Ligj ta trajtojë dhe ta votojë nëse e vlerësojnë ata që duhet votuar, edhe ashtu i kanë numrat e nevojshëm dhe nuk i nevojiten votat e opozitës për këtë ligj”, ka thënë Lekaj.
Për Express kanë folur edhe dy deputetë të VV-së që herën e kaluar votuan kundër projektkodit civil.
Halil Thaçi refuzoi të tregojë nëse do të votojë “pro” apo “kundër” këtij projektkodi. Ai tha se qëndrimin e tij do ta bëjë publik kur të votojë në Kuvend.
“Nuk e di se kur do të vijë në Kuvend, por unë edhe herën e kaluar nuk kam pas qëndrim publik dhe as kësaj here nuk do të kem qëndrim publik për këtë projektkod. Qëndrimin tim do ta bëjë publik me votën në Kuvend”, tha Thaçi.
Ndërsa deputeti Visar Korenica tha se “në pyetjet e vjetra i gjeni përgjigjet e vjetra”, duke lënë të nënkuptohet se do të votojë kundër këtij projektkodi.
Express ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga deputetë të tjerë nga PDK e LDK, mirëpo të njëjtit kanë qenë të paqasshëm./Botapress.info/