1. Kur dola tek pragu i derës, e zura veten duke e kënduar ‘Lamtumirë…Neve na duhet me u nda’.
Më erdh shumë mërzi.
– A paska mbetur dikush me të
cilin ende nuk jam ndarë!
Nga frika se s’do të kthehem më në shtëpi, lamtumirën e zëvendësova me ‘O mirë se na erdhe’.
Më zuri terri, sepse isha duke u rrjepur të bëj dritë.
Të gjithë ata, si unë, që e kanë zanat të mbërrijnë të fundit në festë, nuk mund të nxitonin, sepse mjegull ishte rruga për në Mitrovicë.
Fati siç më do mua – e para në kolonë.
Nuk guxoja të frikësohesha, për shkak se nuk isha vetëm.
Nëse mo’ Zot, ymri im është
shkurtuar, kjo ka ndodhur për shkak se gjithmonë më duhet të mos i shpreh mendimet dhe ndjenjat e mia të vërteta, aq të poshtra që janë…
– Asnjë vijë e bardhë në asfaltin e lagur. Asnjë shenjë, asnjë dritë.
Terr në tokë, terr në qiell!
Unë e para, dhjetëra pas meje, duke u lutur që të gjendej një gjysmë mashkull të më tejkalonte!
– Sikur ta dinin që një femër me shtiklla po u printe…
Ndjeja sikur po ngas nëpër qiell, s’dija as ku jam, dhe as nuk dija ku fillon e ku mbaron një kthesë.
– A mos është kjo ajo lamtumira e pragut të derës…
Një herë shtëpia e VIII-të (që është shtëpia e vdekjes), në kartën natale të zodiakut, më ka thënë se atë natë, kur të vijnë të të marrin, nuk do të qëllosh në shtëpi…
ama mjegull horoskopi s’ka përmendur…!
– Heshtje e pazakontë në veturën time, që rëndomë dridhet nga muzika.
Në një çast, dikush më tejkaloi…
por, s’kaloi as 10 metra, ndaloi dhe përsëri u rreshtua pas meje.
Dhe, kështu nëpër mjegull, pa drita, pa shenja në rrugë, dola e gjallë nga ‘shtëpia e VIII-të’.
Pasi u çlirova, ia lëshova zërin radio KFOR-in serbisht.
E gjeta njërin duke kënduar: ‘Lažeš zlato, lażeš dušo, lažeš veštice’.
Mbërriva në festë.
Provova ta përshkruaj pak dramën e rrugës me mjegull, por menjëherë ma pritën:
Uh uh, kurrgjë ti, ti bile paske pasur vetura prapa…
– Lëri uhet, zemër!
2. Shteti, qe 20 vite, nuk ka mundur ta ndërtojë rrugën për në Mitrovicë, nuk ka mundur t’i vizatojë as vijat e bardha në xhadé, se s’ka bojë,
i kanë vjedhur paret e bojës,
por, shteti ka mundur të blejë raketa anti-tank.
Besoj se Serbia nuk pret derisa ta shtrojmë rrugën, për ta nisur luffën.
Se nëse na zë mjegulla në luftë, si do të shohin raketahedhësit shqiptarë për t”i goditur tankset e Serbisë duke ardhur në Prishtinë, në rrugën pa drita, pa shenja, pa vija të bardha.
3. As raketat s’kanë kushtuar më shtrenjtë se qepët…
Që Kosova s’ka qepë vendore kjo nuk e bën më pak shtet.
Bujqit i marrin milionat nga Ministria e Bujqësisë, ama rasadi, moti, netët e ftohta një bubë gjithmonë u hyn patateve,…
Bujqit kur nuk meditojnë, merren me politikë.
Mafia bujqësore është shumë e organozuar.
Ata paguhen nga shteti për t’i lënë tokat shkret.
Duhet të hulumtohet fenomeni se pse përveç qepëve, as domatet nuk bëjnë në Kosovë.
Misterioze është sidomos çështja e patateve që edhe në luftë, pa i mbjellur, mbinin.
Pse para luftës nanës sime i lulëzonte limoni që e mbillte në saksi të luleve…
4. E unë, kam arritur të dal nga ata sytë e zinj.
Dola lehtë, si kur del nga deti peshku që më nuk do të jetoj.
Se, s’di a ju kam treguar: unë ia kam dhuruar atij një ‘ese për vuajtjen’, e ai, nuk ishte i zoti të thoshte as….faleminderit…!
E pabesueshme: se si mund të jetë e madhe vuajtja e një njeriu zemërngushtë!
(Është e mundur që tregimin ia kam dhuruar me hile, për ta bërë të dashurohet në mua.
Por ama si ka mundur ta dijë ai që kam bërë hile, kur unë as vet nuk e kam ditur se kam bërë hile).
– Para se të dilja nga ata sy të thellë, ndjeja sikur m’i kishin hedhur përmbi perdet e teatrit bojë gjaku.
Se, çfarëdo që ndodh pas atyre perdeve, edhe kur ndodh e vërteta, kurrë nuk është e vërtetë, e vërteta aty gjithmonë është lojë.
5. Kur përfundoi lufta, komandantët kujtuan se pas luftës më nuk ndodh lufta.
– Pas dashurisë më nuk ndodh dashuria, se lufta s’ka mbarim.
– Tash, ata që kanë luftuar për liri, flasin lundër luftës, e ata që kanë qenë lundër luftës për liri, flasin për një luftë të re.
Donika Gërvalla papushim ia sqaron BE-së se kush është Serbia.
Sa herë flet për luftën që do të ndodh, Gërvalla i vendos jakët e këmishës mbi jakët e setrës, ai stili i John Travoltës te ‘Ethet e së shtunës’. ..!
6. Albin Kurti prap do t’i fitojë zgjedhjet.
Është duke kaluar nëpër atë
fazën e pendimit..
Unë kam lexuar shkrimtarë shqiptarë që i kanë mohuar veprat e tyre, si Azem Shkreli ‘Karvanin e bardhë’, për shembull, që e ka shkruar dy herë, ku i përshtat bindjet politike sipas kohës.
Dhe askush nuk ia sheh për kusur, në emër të tij jepen shpërblime për ‘librin e vdekur’ dhe letërsinë që më nuk ekziston.
– E pastaj, ti pyet se pse shkrimtarët disidentë i vrau Liria!
– Çka di unë!
Të kishin shkruar bile poezi të bukura…s’kish pas dert që kanë qenë matanë!
– Albin Kurti e ka përmirësuar gabimin e tij më të madh.
Tash, me të renë, e ka quajtur Oliver Ivanoviçin bashkëpjesëmarrës në vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve të Mitrovicës.
Më ka gëzuar pa masë që e ka thënë të vërtetën,
se….
drejtësinë e kam ëndërr, e kam dëshirën më të
madhe..
Dhe barazinë.
– E, dëshirat e mia krejt kanë
mbetur pa u plotësuar.
Madje edhe ajo dëshira që ta kem një kopsht të vogël me lule sardane… e të bëj shurup me trëndafila…!
7. Sot kryeministri e kish zgjedhur për zëvendës guvernator të
bankës një dashnor të shquar, me frizurë boby.
Dikush u ankua se ky djali e kish pasur të dashur një spiune serbe.
Se spiunja është dashur të jetë shqiptare.
– Por, tash nuk e ka të dashur, kjo është marrë si rrethanë lehtësuese për Romeon.
8. Lloçin e Mitrovicës nga çizmet nuk kam arritur ta heq qe 3 javë.
S’ka rrugë të papërlloçur atje.
Kryetari i Mitrovicës është i Klinës, nuk e di ai se çfarë ndjenje është të jesh i ri, të endesh korzosh së qytetit deri tek gjimnazi me pallto të zbërthyer, e fjolllat e borës të të shkrihen në dritat e syve.
S’ka faj kryetari se nuk e ka asnjë kujtim nga qyteti të cilin e udhëheq nga Klina.
– Është sikur të më çoni mua ta udhëheq Pejën për shembull.
Besa atje i kam disa simpati, bile njëri dukej si Antonio Banderas në vakt t”vetin, veç xheloz, se…
– Pa kujtime dhe pa dashuri nuk udhëhiqet qyteti.
Vërtetë nuk e kam të qartë se pse krejt Mitrovica Jugore ka sharruar në lloç, e Mitrovica Veriore jo!
– Atje flasin veç për luftë.
Se edhe NATO po thotë – luftë.
Mua dy ushtarë të KFOR-it kur i takova në Urën e Ibrit, më thanë: ‘Buona Sera Signorina’!
– Vet me vete: ‘It is time to say goodnight to Napoli
Though it’s hard for us to whisper buonasera…
– Me atë Hënë të vjetër e të lodhur mbi lumin Ibër!
9. I thashë:
Mirë jam, veç nganjëherë më dhemb shpirti.
Unë e quaj shpirt, ndoshta s’është. Veç, shpirtin kur dhemb, unë e ndjej në këmbë.
– Kujt s’i dhemb shpirti n’ditë sotit , më tha.
Askush s’ka faj, por unë që ende kam
nevojë të flas…sepse…goja m’u ka thà.
Kur provon ta rrëfesh mërzinë tënde, ta zvogëlojnë me fjalë, e kur largohen nga ti, asnjëri nuk e merr me vete asnjë peshë të
mërzisë tënde, as peshën e një presjeje.
– Prandaj, më e rëndë se mërzia është që s’ke se kujt t’ia tregosh atë.
10. Lumir Abdixhikut i është tekur se komandantët po i frikësohen Rrugës së tij të Re.
E si mund t’i frikësohesh diçkahit që nuk ekziston!
Ku është ajo rrugë?
11. Albin Kurti prap do t’i fitojë zgjedhjet.
Anipse Fitore Pacolli dhe një mashkull tjetër i Lëvizjes po i përqeshin politikanët që kanë probleme me të folur.
Është pafundësisht johumane, është diskrimini që në emër të pushtetit ta përqeshësh dikë që nuk mund t’i shqiptojë fjalët.
Dihet që Joe Biden kishte probleme me të folur,
Churchill belbëzonte
dhe Demosteni, oratori më i madh i kohës kishte vështirësi në të folur.
Dhe, Moisiu, profeti më i rëndësishëm i hebrenjëve dhe i krishterizmit belbëzonte, prandaj thuhet se fliste pak.
– Oj Idiote.
Ramush Haradinaj është i plagosur në luffë.
S’mund të ta kënaq ai tash ty edhe veshin.
Prit ti, se ta gjejmë ne ty një folës që ta kënaq veshin…!
12. Glauk Konjufca po kërkon zgjedhje të parakohshme.
Tha se ‘lufta e madhe në zgjedhje do të bëhet për vendin e dytë’.
Lumiri e mori seriozisht Glaukun dhe menjëherë e filloi luftën për vendin e dytë, me opozitën.
Ditën kur Lumiri tha se ‘LDK nuk vjedhin toka’, demek siç kanë vjedhur PDK e AAK, u zbulua se Kryetari i Prishtinës i ka vjedhur tokat e Prishtinës.
Përveç që i ka mbyllur rrugët e Prishtinës, e ka mbuluar Prishtinën me mbeturina, përveç që vjedh me parking, ky e ka vjedhur edhe tokën publike e ua ka dhënë shokëve të tij të krimit!
Përparim Rama është hajn, apo jo!
Kur s’vjedhin toka…e kanë varrin e Rugovës që i nxjerr nga situata.
– Është trishtuese kur i vetmi shembull i mirë që të ka mbetur krye shpirti është një shembull i vdekur.
-,Lëre Rugovën, por trego Ti kush je!
13. Tash ne e kemi një raketë për një tanks të Serbisë, por s’e kemi një prokuror që na shpëton nga hajnat e dyqaneve, të cilët publikisht, me lejen e ‘Drejtësisë’ ua vjedhin qytetarëve kusurin.
Nuk e kemi një prokuror që pyet se pse tregtarët, në emër të mbrojtjes së natyrës, i vjedhin qytetarët, duke i detyruar t’ua reklamojnë bizneset me logot e tyre ne qese najloni.
Qeset nuk janë ndaluar, por tash ti jep pare që ta shkatërrosh natyrën.
Deri tash natyra shkatërrohej falas, tash qytetarët japin pare e tregtarët paguhen me pare që ta shkatërrojnë natyrën.
– Pra, shteti i lejon tregtarët të bëjnë biznes me shkatërrimin e natyrës.
Është e habitshme indiferenca e popullit shqiptar ndaj padrejtësive.
– Veç nëse i prek në seks….
14. Në Mitrovicën e Jugut takon serbë, por prodhime serbe nuk gjen.
Albin Kurti i ka ndaluar prodhimet serbe dhe ky më nuk është lajm.
Kaçak duhet të bëhesh për ta siguruar një biber të njohur të armikut.
– Janë disa gazetarë serbë që më lexojnë këtu në blog, më ka shkuar mendja t’i porosis diçka…!
15. Shqiptarët po ikin nga Kosova, por tash ndarjet janë të lehta.
Se para luftës, ai trimi kur nisej për kurbet, e kalonte një
javë duke u hallashtisur e përshëndetur me shokët e vet.
– Tash mbërrin shpejt në kurbet, se s’ke as shokë të pershendetesh me ta.
16. Isha duke i thënë vetes ‘U bë boll’, kur më erdhi një puthje në viber.
Puthja ishte nga një burrë ama buzët ishin të grave, të fryera e të lyera me buzëkuq të ndezur.
Ia bllokova puthjen dhe i shkrova viberit: krijoni një palë buzë mashkulli, aman.
17. Se kush është femra, e kupton më së miri kur e nxjerr një dokument.
Askund nuk kërkohet emri i nanës.
Desh plasa pardje kur asnjë dokument nuk ma kërkonte emrin e nanës, veç të babës, nana në dokumente nuk është prind, duke filluar nga letërnjoftimi.
18.
– I Love You!
– Shut up.
19. Asnjëherë nuk kam parë njeri të vdekur. Nuk mundem.
Nuk kam zemër të mjaftueshme.
Nuk e kuptoj prej nga vjen kureshtja, interesimi dhe nevoja për ta shikuar një viktimë duke u vrarë në mënyrë barbare.
Kureshtjen për të parë dhunë, vrasje e vdekje të tmerrshme, psikologjia e definon si ‘kureshtje të sëmurë’, kureshtje morbide,
Pamjet tragjike të vrasjes së djalit të ri nga Podujeva u ekspozuan në tregun medial, pa pikë etike e humanizmi, nuk u fshehën as nga fëmijët.
– Kur ndodhin vrasje si kjo,, më pikon zemra gjak…e pikon…, derisa i them vetes: – Ndoshta shpirti del shpejt nga trupi dhe nuk i përjeton dhimbjet e copëtimit të trupit! .
P.S. I’m not here. You may see me, but I’m empty.
Detachment 2011.