Albin Kurtit ju desh 20 vjet që të fitonte bindshëm në Kosovë. Ai e theu një rekord historik. Por jo ambicien e tij të madhe, sa vetë bashkimi territoreve Shqipëri-Kosovë, që një ditë ndikimi i tij të jetë po aq prezent edhe në Tiranë.
Albin Kurti i dy dekadave më parë pak gjente hapësirë në Tiranë, jo vetëm në mjedisin politik, por edhe atë mediatik.
Atëbotë, diskutohej pakoja e Ahtisarit që ai e kundërshtonte krejt nerv dhe mbetej një zë i veçuar i hapësirës politike mbarëshqiptare.
Rrugëtimi i tij nuk qe i lehtë ndër vite. Pas protestave, kundërshtimeve, arrestimeve dhe burgosjes, mbrëmjen e 14 shkurtit ai fitoi votat për të qeverisur i vetëm Kosovën. Media, opinioni, por edhe klasa mediatike në Tiranë po ziejnë nëse Albini mund të eksportohet nga Kosova, edhe këtu si model politik.
Sigurisht ai nuk është rebeli i 20 viteve më parë, është më i moderuar në qëndrime dhe teza.
Albin Kurti nuk e gjeti fushën bosh dhe fitorja e tij erdhi në një kontekst të caktuar kritik për Kosovën.
Ai shpesh ka hequr një paralele mes Shqipërisë dhe Kosovës në kuptimin se të dyja ”vuajnë nga një sistem ekonomik korruptiv, që shkakton padrejtësi, pabarazi e prapambetje”.
A mund të jetë Albin Kurti një efekt politik edhe në Tiranë tani që ndikimi i tij është maksimal tek shqiptarët e Kosovës?
Analisti Baton Haxhiu hedh idenë se ambicia e Kurtit është historike, që një ditë ai ta shohë veten në karrigen e kryeministrit në Shqipëri. “ Kur do jetë ajo dhe a do ta fitojë atë betejë, nga rruga që ka ndjekur në Kosovë, unë besoj se edhe në Shqipëri do ta ketë rrugën ë njëjtë, jam i bindur për këtë”.
Baton Haxhiu njihet si mbështetës i Hashim Thaçit, megjithatë ai “qëlloi” në shenjë me sondazhin e realizuar në Kosovë duke paralajmëruar dështimin e dy fenomeneve mbizotëruese në Kosovë; humbjen e një partie tradicionale si LDK dhe sfumimin në ndikim popullor të partive të pasluftës.
Ndërsa në Shqipëri, Baton Haxhiu e lidh problemin me mungesën e një hapësire politike për një gjeneratë, e cila jo vetëm nuk është përfaqësuar, por ende nuk ka një lider të gatshëm ta udhëheqë.Analisti Preç Zogaj e sheh ndikimin e Kurtit në një tjetër kontekst.
Në një prononcim për Gazeta”Si”, Zogaj thotë se efekti i tij në Shqipëri mund të shihet vetëm përsa i përket frymës.
“ Mendoj se ka një efekt sa i përket frymës që përcillet për ndryshimin. Një opozitë që fiton zgjedhjet në Kosovë nuk është se është pa efekt edhe në Shqipëri, por gjithnjë në kuptimin e frymës sepse ndryshimet gjithnjë afektojnë vendin fqinj”, shprehet Zogaj, duke nënvizuar se përtej saj nuk ka asgjë tjetër.
“Nëse do kishte një parti analoge në Shqipëri mund ta diskutonim po për momentin nuk ka dhe udhëtimi i tij (Albinit) është shumë larg për të arritur këtu”, vëren ai.
Pikërisht për profilin partiak dhe rolin konkret që mund të ketë në Tiranë, analisti Afrim Krasniqi jep një shpjegim shterues në një analizë për gazetën “Si”.
Fillimisht Krasniqi sqaron se, “ Vetëvendosja” është një subjekt në kontekstin e specifikës politike në Kosovë, e krijuar më shumë si zëdhënëse e pakënaqësisë së brezit të ri ndaj klasës së vjetër politike dhe prezencës dominuese ndërkombëtare në Kosovë, si dhe rendjes pas idesë së bashkimit kombëtar”
“Ideologjikisht, -vijon ai, – është parti e majtë, ku bashkohen populizmi dhe revolta, por vitet e fundit ka shfaqur dhe elementë të së djathtës si identiteti dhe orientimi fetar”.
Krasniqi sjellë në vëmendje se, përpjekja për të krijuar një parti të njëjtë në Shqipëri u konsumua indirekt nga “Aleanca Kuq e Zi” dhe ndonëse pati impakt publik, nuk solli përfaqësim politik.
“Identiteti i ‘Vetëvendosja’ në Tiranë është një mozaik midis ithtarëve të së majtës, të djathtës dhe identitetit fetar, si dhe nuk ka lider politik”, shpjegon Krasniqi. Tek mungesa e liderit vjen edhe problemi.
“Vetëvendosja që ka nisur të ngjizet me disa protesta në vend që nga ajo studentore për t’ju bashkuar më pas naftëtarëve dhe protestës për vrasjen e Klodian Rashës nuk po prodhon efektin e njëjtë. Të paktën deri tani.
“Albin Kurti gëzon simpati të mëdha personale për shkak të aftësive të tij retorike dhe kurbës së tij të rezistencës politike. Kurti pëlqehet si shembull, por më shumë më perceptimin e një aktori tërheqës televiziv sesa si një politikan që mund të ketë ide e plane të konkurrojë e të drejtojë në Shqipëri”, shpjegon Krasniqi.
Megjithatë “Vetëvendosja” po hedh hapin konkret duke u regjistruar në këto zgjedhje në KQZ jo me siglën e vet, por me kandidatë të pavarur, plot tre të tillë.
Afrim Krasniqi e sheh këtë lëvizje të parakohshme madje edhe të gabuar. Pse?
“Së pari, VV nuk është regjistruar si subjekt politik në zgjedhje.
Së dyti kandidatët e pavarur do ta kenë të vështirë të identifikohen më VV në perceptimin qytetar dhe sidomos në minutat e fundit të votë në fletën e votimit.
Së treti dy prej tyre nuk janë të identifikuar publikisht me VV dhe nuk kanë identitet publik të njohur.
Së katërti, VV nuk ka përfaqësim në strukturën zgjedhore dhe median elektorale, dhe për pasojë, mund të ndodhë që përfaqësimi i parë i VV të konsiderohet dështim.
Së fundi, dhe më me rëndësi, VV nuk ka kauza politike të qëndrueshme në Shqipëri dhe as ndonjë program identifikues që e bën atë po aq revolucionare dhe trendy sa në Kosovë”, analizon Krasniqi.
Ka edhe një motiv tjetër, sipas Krasniqit, për të cilin pak flitet publikisht.
“Figurat politike nga Kosova nuk kanë mbështetje të gjerë politike në Shqipëri ehe për shkak të paragjykimeve apriori nga pjesa më e madhe, e lidhur dhe e formuar negativisht nga sistemi komunist dhe kryesisht votuese e mbështetëse e politikanëve tradicionalë me baza në qytete e zona të kundërta nga drejtimi gjeografik i Prishtinës”
Por vetë Albin Kurti në një postim të menjëhërshëm gjatë protestave për vrasjen e Klodian Rashës do të komentote nga Kosova se, rruga larg korrupsionit dhe drejt zhvillimit ishte krejt i mundshëm.
“Duhet vetëm pak organizim dhe strukturim”, citonte ai. Por a mjafton kaq për një terren si Shqipëria? …/Gazeta”Si”/