Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se vendimet e Qeverisë po merren nga disa emra të “pakonfirmuar dhe paidentifikuar” në zyret e Vetëvendosjes.
Ai ka deklaruar se pret nga qeveria të udhëheqë me vendin e jo të marrë “vendime për teke individuale”
“Qeveria presim që ta bëjë punën e vet. Të sillet si qeveri dhe të qeverisë dhe jo të sillet si institucione i cili udhëhiqet nga teket individuale nga persona të paidentifikuar dhe pakonfirmuar. Cdo vendim i mundshëm. Shkon fillimisht në zyre të VV-së dhe kalon nëpër ato komitetet”, ka deklaruar Gashi.
“Mësa kam informacion dhe si e shoh se funksionon Kuvendi. Këtë e them me kompetencë. Të gjitha vendimet merren në komitete të partisë. Ja nini krismën ma vonë. Po flas për vendime të përditshme. Jemi duke folur për çështje që kanë të bëjnë me qeverisjen. Po flas vetëm për pjesën që cenon institucionet e Kosovës. Si marrin vendimet në parti është punë për ta. Por punët e Kuvendit të shkojnë tjetërkund është problematike. Është paaftësi e qeverisë sepse per nje çështje që ka të bëjë me energjetikën e Kosovës duhet vendimi me shku e me u marr neper komunitete te partisë. Me me i thirr institucionet e pavarura ligjore me dhënë raport ne komunitete të partisë është shkelje e rëndë ligjore dhe kushtetuese .Ka ndodh dhe po ndodh për ditë”, përfundoi ai.
E për mosformimin e Komisionit Hetimor për energji, Gashi tha se qeveria e Albin Kurtit dhe partia që ai drejton vepruan në kundërshtim me Kushtetutën.
Gashi tha se një gjë e tillë do të mbetet “njollë për Kosovën” derisa u shpreh i bindur në formim të Komisionit.
“Sa ai përket kushtetueshmërisë, është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën veprimi i qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje dhe nëse ata do të pamundësojnë formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar do të jetë problemi më i madh që e ka pasur Kosova këto vitet e fundit me demokracinë. Dhe po ju garantoj sonte këtu se do të jetë në të gjitha raportet për Kosovën dhe do të jetë njollë për Kosovën. Por jam i bindur se ai komision do të formohet. Nëse jo brenda një jave, brenda dy ose tre jave do të formohet”, tha Gashi në Pressing.
“Ne do të kthehemi në Kuvend kur do të formohet komisioni”, tregoi Gashi duke folur për veprimet e LDK’së.
“Kthehemi në Kuvend, diskutojmë, debatojmë, nuk votojmë. Një platformë si Kuvendi i Republikës nuk mundemi me ja lënë në dorë Lëvizjes Vetëvendosje me sjellje të papërgjegjshme. E patë sot, i kaluan 10 ligje, pa debat, pa diskutim pa kurgjo hiq”, tha Gashi./Botapress.info/