Kuvendi i Kosovës po mban seancë solemne për shënimin e 26 – vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, foli para të pranishmëve për luftën e familjes Jashari, heroin Adem Jashari dhe gjithë sakrificën e tyre.
Osmani tha se epopeja e UÇK së përcaktoi fatin tonë si shtet, prandaj sot Kosova qëndron mbi supet e heronjve tanë.
“Sa herë vjen marsi, kujtimet tona rikthejnë në vëmendje periudhën më të lavdishme, që lidhet me përpjekjet tona për liri dhe shtet. Më 5, 6 dhe 7 mars, Shaban Jashari, Ademi, Hamza treguan heroizëm të pashoqë duke mbrojtur pragun e shtëpisë së tyre.
Ai dhe familja e tij refuzuan të përkulen dhe luftuan për dinjitetin dhe lirinë e Kosovës. Adem Jashari u shndërrua në gardian të përhershëm të Kosovës, të lirisë sonë të larë me gjak. Ne u detyrohemi komandantit me familje dhe secilit luftëtar, invalid e veteran me mirënjohje të përhershme.
Do ta nderojmë kujtimin për ta, duke i ruajtur vlerat për të cilat luftuan dhe ranë.
Epopeja e UÇK së përcaktoi fatin tonë si shtet. Sot shteti i Kosovës qëndron mbi super e heronjve tanë.
Ai e bëri, komandanti legjendar e bëri, prandaj u shndërrua në heroin tonë të përjetshëm. Ishte më shumë se komandant, ishte vizionar. “ – tha Osmani.