Në dëshminë e tij, plotë me emocion e vlerësime për Kosovën dhe marrëdhëniet e shtetit të vogël europian me SHBA-të, sot në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan, Jeffry M. Hovenier ka përmendur edhe periudhën kur siç thotë “Kam pasur fatin të marr pjesë” në “përpjekje në kapacitete të ndryshme” që të sherbejë në Kosovë me ekipin e OKB-së të udhëhequr nga ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari që zhvilloi “Planin e Ahtisaarit” dhe Hovenier e thekson se hapi rrugën për pavarësinë e Kosovës.
“Nëse konfirmohem si ambasador i SHBA-së në Kosovë do të ishte një nder i veçantë për mua që të shërbejë në një vend që ka dalë tmerret e ish-Jugosllavisë dhe spastrimit etnik nga regjimi i Millosheviqit. Shtetet e Bashkuara luajtën një rol thelbësor, së bashku me partnerët tanë evropianë, për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe për t’i mbështetur ata në përpjekjet e tyre për të krijuar një vend multi-etnik e demokratik”, tha ai në deklaratën e tij në Senatin amerikan, transkriptin e së cilës e ka siguruar Gazeta Online Reporteri.net.
“Kam pasur fatin të marr pjesë në këto përpjekje në kapacitete të ndryshme, përfshirë si anëtar i Ekipit të OKB-së të udhëhequr nga ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari që zhvilloi “Planin e Ahtisaarit” dhe hapi rrugën për pavarësinë e Kosovës”, shtoi i nominuari për ambasador amerikan në Prishtinë në dëshminë e tij para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan.
“Populli i Kosovës nuk e ka harruar kurrë rolin dhe mbështetjen e palëkundur të Amerikës gjatë njëzet e dy viteve të fundit. Si rezultat, Kosova është një nga vendet më pro-Amerikane në botë dhe një partner i ngushtë i yni”, tha Hovenier.
“Pas zgjedhjeve demokratike në shkurt, një qeveri e re ka marrë detyrën me një mandat vendimtar dhe marrëdhënia SHBA-Kosovë mbetet pozitive dhe produktive”, ka deklaruar ambasadori Jeffry M. Hovenier.
Ai po ashtu përmendi edhe zotimet që Kosova të strehojë 2 mijë afganë që kishin punuar me SHBA dhe aleatët e NATO’s.
Në paraqitjen e tij para anëtarëve të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan, Hovenier ka treguar se cilat do të ishin prioritetet e tij nëse konfirmohet si ambasador i SHBA-së në Kosovë.
Tha se prioriteti i tij numër një do të jetë vazhdimi i mbështetjes së SHBA për sovranitetin e Kosovën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Një Kosovë demokratike vazhdon të jetë thelbësore për stabilitetin e rajonit dhe është një qëllim i joni afatgjatë strategjik për Evropën dhe si tërësi e lirë dhe paqe”, tha i nominuari i Joe Biden për ambasador të SHBA-ve në Prishtinë.
Prioritet tjetër sipas Hovenier do të jetë mbështetja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Mbështetja e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë i cili dhe po e citoj presidentin Biden “duhet të ketë në qendër njohjen reciproke”. Normalizmi është thelbësor për stabilitetin rajonal dhe do të hap rrugën për të dy shtetet drejt integrimeve në institucionet euro-atlantike. Nëse konfirmohem do ta inkurajojë Kosovën në mënyrë fleksibile dhe me urgjencë për dialog”, shtoi Hovenier./Botapress.info/