Për herë të tretë, Arben Vitia sot është emëruar ministër i Shëndetësisë. Të parën herë ai u rrëzua bashkë me gjithë Qeverinë Kurti, ndërsa herën e dytë në Qeverinë Kurti 2 ai dha dorëheqje për të garuar për të parin e komunës e Prishtinës, gjë që nuk e arriti. Vitia prapë sot ka marrë detyrën për të udhëhequr shëndetësinë- dikasterin me më së shumti punë të papërfunduara.
Emërimi i Vitisë si ministër i Shëndetësisë nuk është pritur mirë nga ish-ministri Zemaj. Ai në një prononcim për Gazetën tha se “me këtë politikë” shëndetësia ka dështuar dhe degraduar.
Kjo është video me të cilën u provokua situata në Veri mbrëmë
“Dështimi dhe degradimi i institucionit të shëndetësisë me këtë politikë dhe qasje, përfshirë edhe këtë emrin, nuk e di ku ka me shku ma shumë”, tha ai.
Ndërkaq, njohësi i shëndetësisë, Bujar Vitija ka thënë se emërimi i ministrit të Shëndetësisë është një veprim i vonuar i Qeverisë Kurti, derisa zgjedhjen e sërishme të Arben Vitisë e quan “eksperimentim të Kurtit”.
Vitija thotë se shëndetësia nuk ka qenë asnjëherë më keq, sepse, sipas tij, të gjitha institucionet janë me ushtrues të detyrës.
“Mendoj që është veprim i vonuar për faktin se janë bërë tashmë 80 ditë që nuk kemi pasur ministër të Shëndetësisë dhe po ashtu është një vit i humbur i shëndetësisë, që nuk është bërë asnjë lëvizje në drejtim të avancimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët. Emërimi i Vitisë në këtë pozitë për herë të tretë është një eksperimentim i kryeministrit Kurti me udhëheqjen në sektorin e shëndetësisë, duke e pasur parasysh ne jemi në një situatë që shëndetësia është duke u udhëhequr me ushtrues të detyrës në të gjitha institucionet shëndetësore dhe kjo e ka rënduar edhe më tepër menaxhimin e shëndetësisë” ka thënë gazetari Vitija për Gazetën Express.
“Mund të them se asnjëherë s’ka qenë më keq për nga aspekti i menaxhimit të këtij sektori. Unë prej Vitisë pres stabilizim të sektorit të shëndetësisë, qëndrueshmëri të shërbimeve me funizim të vazhdueshëm me barna dhe materiale, por nuk pres asgjë më shumë, aq më pak përmbushjen e premtimeve të Qeverisë Kurti për funksionalizim të sigurimeve shëndetësore”, ka shtuar Vitija.
Vendimin e Kurtit për Vitinë e ka komentuar edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Ai tha se “nuk do të ketë ditë të mira për shëndetësinë”.
“Pas afër tre muaj pritjesh për të reflektuar përballë degradimit të shëndetësisë, degradim që u manifestua edhe tragjikisht, kryeministri Kurti paska vendosur që ta rikthejë në krye të shëndetësisë një ish ministër, i cili, mbahet mend veç për një gjë: strehimin pas videove me mesazhe durimi, kur pandemia rrezikonte jetën e qytetarëve. Ditë të mira për shëndetësinë siç duket, nuk do të ketë edhe për një kohë. A për mafinë e shëndetësisë, me gjasë ky durim prej tre muajsh ia paska vlejtur”, ka shkruar ai në Facebook.
Një propozim për ministrin e Shëndetësisë e kishte dhënë deputeti i Listës Guxo, Burim Meta. Në tetor, ai kishte thënë se kolegu i tij Haxhi Avdyli duhet të jetë kandidat potencial për të udhëhequr shëndetësinë.
Mirëpo, pavarësisht tentimeve të Gazetës Express, Meta ka qenë, një herë i paqasshëm, e më pas nuk e ka hapur telefonin, ndërsa Avdyli reagoi në Facebook.
Ai ka thënë se “tani shëndetësia ka adresë politike”, teksa është zotuar se do të jenë bashkë për “të avancuar reformimin e sistemit tonë të brishtë shëndetësor”. /Botapress.info./